Albspirit

Media/News/Publishing

Sofia Loren, jeta si film dhe rrugëtimi nga kinemaja italiane te ajo amerikane

 

Sofia Loren, një nga aktoret më të njohura italiane, ka pasur një histori familjare jo dhe aq të zakontë. Bijë e një burri që nuk u martua kurrë me të ëmën dhe që e braktiste e afrohej me të sa herë i tekej, ajo është rritur pa një figurë atërore. Kur ishte ende fëmijë dhe rritej në familjen e gjyshërve të saj, e ëma kthehet sërish nga Roma, pasi një periudhe paqeje me dashurinë e jetës, babain e Sofisë, shtatzënë.

Këtë herë, Riccardo Scicolone as nuk do ia jepte mbiemrin vajzës së dytë, Anna Marias, e cila mbajti mbiemrin e së ëmës, Villani deri kur, Sofia nisi të siguronte ca para si modele dhe aktore dhe e rregulloi që e motra të merrte mbiemrin e të atit, duke i hequr asaj një turp që e brente mes nxënësve dhe mësuesëve në shkollë. Tashmë, femrat e bukura kishin ikur nga Napoli dhe ishin vendosur në Romë, ku Sofia, që mori mbiemrin e artit Loren, nisi të përmbushte ëndrrën e ndërprerë të mamasë dhe të plotësonte të sajën, duke fituar rolet e para në një kohë kur po lulëzonte Cinecitta.

Suksesi i mëvonshëm tashmë njihet. Ajo kaloi shumë shpejt kufijtë e Italisë, për të arritur, si pak aktore të tjera italiane, të ndërtonte një karrierë edhe në Amerikë. Në udhëtimin e saj për atje, mori me vete edhe motrën e vogël, e cila ishte e talentuar si këngëtare. Me vesh muzike dhe zë të bukur, Maria mund të kishte qenë një këngëtare e njohur, por mesa duket, mamaja e tyre Romilda Villani, nëse kishte bërë lëshime që Sofia të ndiqte këtë karrierë me kaq shumë udhëtime dhe larg shtëpisë, do e kishte paksa të vështirë të pranonte të njëjtën gjë edhe për vajzën e vogël.

Edhe pse ajo kishte ëndërruar vetë të bëhej aktore, zhgënjimet në jetë e kishin bërë më shumë protektive sesa mamatë e tjera, ndaj të bijave. Kështu që ndoshta edhe prej këtij kujdesi, por edhe për shkak të zgjedhjeve të Marias, motra e Sofias u kthye në Itali.

Në Romë, u njoh dhe u dashurua me djalin e vogël të ish-udhëheqësit fashist italian Benito Mussolinit, Romanon, një pianist jazzi.

Edhe pse familja e saj i bëri thirrje ta mendonte këtë marrëdhënie, Maria ishte plotësisht e dashuruar. Sigurisht profesioni i Romanos kishte ndikimin e tij. Ajo ishte e magjepsur pas pianistit me duar të bukura që jetonte brenda muzikës. Këtë i tha edhe së motrës, ai nuk donte t’ia dinte për politikë, ishte artist! Gjë që ishte e vërtetë deri diku. Ai qëndroi i tërhequr publikisht nga marrëdhëniet familjare. Vetëm vite më vonë do të shkruante një libër autobiografik mbi të atin, Duçen.

Romano dhe Maria u martuan në kishë, në vitin 1961, Maria veshi fustanin e bardhë, e vetmja dasmë e vërtetë sipas konceptit të mamasë së tyre, duke qenë që Sofia, vite më vonë bëri vetëm një martesë civile në Paris. Vajza e tyre e parë, Alessandra, do të lindte një vit më vonë dhe do të kishte nune pikërisht Sofinë edhe pse Kisha do të protestonte për shkak që ajo kishte një marrëdhënie me një burrë të martuar, burrin e saj të jetës, i cili edhe pse i ndarë, ishte ende peng i martesës së parë që nuk ishte zgjidhur ligjërisht.

Alessandra Mussolini ka qenë deputete e Parlamentit Evropian, si anëtare e partisë Forza Italia. Më vonë lindi motra e vogël, Elisabetta. Megjithatë martesa nuk do të zgjaste. Kur vajza e vogël ishte pesë vjeç, Romano dhe Maria u ndanë.

Djali i Mussolinit, u martua sërish, këtë herë me një aktore, ndërsa Maria, shkrimtare dhe gazetare, në një vizitë për punë në një nga spitalet e Romës, u njoh me kirurgun e zemrës nga Irani, Magid Tamiz. Ai në atë kohë po mendonte të kthehej në atdhe, por qëndroi dhe madje u martua me gruan energjike e cila sa e pa, vendosi të mos e linte më.

Ata vazhdojnë të jetojnë në Romë që kur u martuan në vitin 1977. Maria ka luajtur veten në dokumentarin e mbështetur në librin autobiografik të Sophia-s dhe ka krijuar romanin autobiografik “Shtëpia ime është plot me pasqyra”, që u kthye në film, ku rolin e mamasë së tyre, e luan Sofia.

Post Scriptum

Sofia Loren, ikona e kinemasë italiane, diva par excellence. Diva e madhe, ikona e vërtetë e kinemasë italiane, lindi më 20 shtator 1934 në Romë, por u rrit në kushte shumë të vështira në Pozzuoli, province e Napolit. Një jetë e jashtëzakonshme, e karakterizuar nga dashuria e saj e madhe për producentin Carlo Ponti, i cili më pas u bë bashkëshorti i saj. Cinecittà, RAI dhe Hollywood i bëjnë homazhe asaj, duke i kushtuar “Sophia Loren: Diva e Napolit”, e cila hapet me ”La Ciociara” të Vittorio De Sica, i cili i dha asaj ”Palmën e Artë” në Kanë dhe ”Oskar” në 1962. Më pas ”La vita davanti a sé’ filmi i djalit të saj të dytë Edoardo, i cili në vitin 2020 shënoi rikthimin e yllit në ekranin e madh dhe bazohet në romanin prekës të Romain Gary. Aktorja fitoi ”David di Donatello” me një këngë nga kolona zanore e realizuar nga Laura Pausini e cila më pas fitoi Golden Globe dhe u nominua për Oscar, ndërsa filmi hyri në top 10 në Netflix në 37 vende. Në faturë ka edhe filma që shfaqen rrallë në Shtetet e Bashkuara, si ”Varfëria dhe Fisnikëria” ”Dasma Italiane” dhe ”Një ditë e veçantë”, filma që shënuan bashkëpunimet me Vittorio De Sica dhe Marcello Mastroianni.

Please follow and like us: