Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Malindi në një libër historie
Vendlindja, zanafilla e kombit…
Ditë më parë në librarinë “Agolli”, miku imi Behar Spahiu më bëri prezantimin e librit të tij “Malindi në breza”, një libër që në shikimin e parë është për t’u patur zili… me Malindin si fshat e kam dëgjuar në vitet ’70 të shek. XX, kur poeti i talentuar Xhevahir Spahiu, do të shkruante një reportazh në “Zërin e Popullit” për njeriun që ecte në gjunjë, Ëngjëll Zotaj nga Smokthina e Vlorës…miqësia kishte zënë rrënjë mbi gjysmë shekulli…
Libri për historinë “Malindi në breza” ishte i rëndë dhe kishte peshë, ashtu siç është e rëndë dhe historia e këtij fshati “yllësi” në Skraparin e luftëtarëve patriot dhe trimave partizanë. Historia e Malindit vjen thjeshtë dhe e shkoqitur, me luftëtarë dhe partizanë, me njerëz fisnik dhe të dashur për jetë e punëtorë, buzëqeshur dhe të ëmbël në muhabet e në shoqëri, një fshat që në shekuj i ka bërë ballë qëndresës, i lidhur fort me vendlindjen, që siç shprehen autorët Spahiu “Vendlindja është themeli-bazë, sinonim i padiskutueshëm i jetes sonë, atje është zanafilla e kombit, atje fillon Atdheu për të gjithë”.
Çdo gërmë dhe fjalë në libër është e gdhendur mjaft me shije, shkruar me një gjuhë të pastër dhe me një dashuri të paanë, duke e dhënë Malindin, të bukur, të qeshur dhe bujar, me njerëz fisnik në çdo kohë dhe periudhë të historisë. Dy autorët Bektash e Behar Spahiu, librin e kanë çelur me një poezi “Malindi” të Xhevahir Spahiut, i cili e ka përmbledhur në një pikë gjaku. E në këtë pikë gjaku ka futur shirat, rrezet, kalë malli, faqe mali, buzë lumi, yje, rrush, fshat i vogël dhe i madh, që je afër dhe larg…
Autorët në libër kanë përshkruar me saktësi çdo vend e histori, çdo fis dhe çdo familje, përbërjen e tyre. Në rreshta për t’u njohur, ditur dhe prezantuar vjen shtrirja gjeografike, gjurmët në lashtësi (toponimia, vendgjetje arkeologjike), gjenealogjia (trungu familjar: skema, përshkrimi, albumi fotografik, vështrim i përgjithshëm historic, Malindasit për liri dhe pavarësi, nga një pushtim në tjetrin, ngjarjet në vitet 1921-1938, gjendja ekonomike shoqërore para çlirimit, qëndresa kundër pushtimit nazifashist 1939-1944, Malindi pas çlirimit të vendit-sistemi socialist, shërbimi ushtarak në vite, vitet 1990-2015, (tranzicioni demokratik), organizimi administrativ dhe emigracioni, disa aspekte etno-kulturore, arsimi, kultura, shëndetësia, këngët në Malind, krenaria e vendlindjes dhe e Atdheut, banorët e Malindit ndër vite, takimet për hartimin e historikut…të gjitha këta krerë të shoqëruar dhe me një bibliografi mjaft tëpasur në vite. Përsëri libri mbyllet përsëri me një letër poezi “Xhaxhait tim Ali”, të shkruar nga Xhevahir Spahiu, ku jepet malli për lisat, dëllënjat, për varret e të parëve (gjyshërt dhe gjyshet), për këngët e vjetra, për një shishe ballëkazani…të paça xhaxha…
Thirrja e poetit… filloni
Dy autorët Bektash e Behar Spahiu, idenë për të shkruar historikun e fshatit Malind e kishin që herët, kur djemtë e Malindit, me fillimin e shekullit të Ri, kur shkonin në vendlindje, të çmallur, dhe në një ditë vjeshte, të vitit 2000, i thonë Xhevahir Spahiut se do shkruajmë historikun e fshatit…
-Filloni, ju tha poeti ynë i madh, se do t’iu ndihmoj edhe unë, sepse vendlindja është themeli ynë. Të dy vëllezërit, të dy Spahijtë, të dy ushtarakë, ju vunë punës së lodhshme, por fisnike dhe bujare, shkrimin e historisë së Malindit. Vitet e fundshekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI po shkonin me shpejtësi, u rrëzua sistemi monist, pati ndryshime të shumta demografike, shpërngulje masive nga fshati dhe emigracion në botë. Dukura e re bëri që të shpejtonin punën për përgatitjen e historikut. Në këto vite të shpejta, u arrit të komunikohej me 170 malindas banorë në Tiranë dhe Durrës. Në klubin “Sevrani”, me pronar fisnikun Selim Këllëçi nga viti 2001, u krijua dhe “Bashkësia Malindi”. Komunikimi i ngrohtë vëllazëror, këngë e valle, zgjuan dëshirën për të qenë bashkë, si në Malind. Filloi puna për hartimin e historikut nga grupi i punës Bektash Spahiu, Sadik Hasko, Xhevahir Spahiu, Fatbardha Hasantare (Çaushi). Vrapuan Bektash, Behar dhe Xhevahir Spahiut duke shkuar në Berat, Poliçan, Skrapar, Vlorë, Durrës, Fier, Lushnje etj., ku grumbulluan informacion, dokumenta, të dhëna nga të vjetër, material nga AQSH dhe Bibloteka Kombëtare. U krijua një fototekë e pasur. Në vitin 2007 materialet e përgatitura për historikun e Malindit u printuan në tre kopje nga Thellëza Spahiu.
Në vitin 2009, u rëndua shëndeti i akademikut, poetit Xhevahir Spahiu. Pas përkujdesjes nga autoritetet vendore në Tiranë dhe kujdesit të mjekëve gjermanë në Turqi, u shpëtua jeta e Xhevahirin, si xhevahir që është, por, u sëmur dhe u operua Bektash Spahiu. Me shërimin e tyre, libri për Malindin mori frymë, këta i dhanë një shtysë dhe një këndvështrim të ri historikut “Malindi në breza”. Libri mori një formë të re strukturore, të thjeshtë, shkencore. Libri sjell mjaft risi dhe trajtesa, sjell figura të njohura të Malindit si Ali Kajtaz Spahiu, Çaush Çaushi, Tefik Vrenoz Ibrahimaj, Abdyl Çuni, Sulejman Hasko, Fetah Rushan Bregu, Agim Xhindi, Hekuran Musa Zenuni, Kujtim Tahir Çela, Zenel Hysen Guri, Enver Braçaj, etj.
Libri përshkruan si të veçantë dhe ndërtimin e mekamit të Tahir Babait, për jetën e bashkëfshatarëve, për ndihmesën e gjithë familjeve të ardhura me detyra të ndryshme në Malind etj. Libri frymëzon, jep dritë dhe kujtesë për të gjithë malindasit. Autorët kanë përshkruar mjaft bukur punën, vitalitetin e mbijetesës të banorëve malindas në shekuj. Në libër vend të dukshëm ka marrë gjenalogjia e hollësishme, struktura grafike e trungut familjar, për çdo familje dhe fisi, ku dukshmë jepet puna dhe detyra, dashuria për fshatin, jepet me bollëk atdhetari, vëllazëri dhe bashkim. Fotografitë e shumta, të vjetra dhe të reja, krijojnë një pikturë gjigande dhe na japin një sfondin historik mjaft të dukshëm për një fsht me bëma si Malindi.
Albumi i fotove është një kujtim shekullor, një gjë e vyer dhe e veçantë, e pavdekshme dhe me vlera të mëdha. Autorët ju lënë detyrë brezave që këtë ta pasurojnë. Libri është për shekuj dhe autorët shpresojnë se “të tjerët do t’i gjejnë e ta pasurojnë Malindin në breza”. Ky është mesazhi, është amaneti që “Malindi nuk do të harrohet, sepse malindasit janë të kudondodhur, në Malind, në Shqipëri e në botë. Libri është i hapur për të gjithë dhe të gjithë ju thonë që ju lumtë mëndja dhe dora Spahive: Xhevahir, Bektash e Behar, të gjithë bashkëpuntorëve të kësaj vepre të papërsëritshme për Malindin.
Malindi në LANÇ
Malindi e pësoi në luftën italo-greke, ku nga një bombardim më 21 dhjetor 1940 humbën jetën 9 veta, nga të cilët vetëm dy janë shpallur dëshmor Jaup Mestan Spahiu dhe Mustafa Muharrem Lapanji dhe fshati Malind nuk është shpallur fshat Martir…fshati është i vetmi fshat në Shqipëri që është bombarduar tri herë nga ushtria greke (1914, 1940) dhe italiane (1942).
Në vitin 1941 burgoset Novruz Hasko. Shyqyri Hasko në vitin 1941 bënte pjesë në grupin komunist që drejtohej nga Muhamet Gjollesha në Tiranë. Në dhjetor 1942 krijohet këshilli i parë Antifashist Nacionalçlirimtar i Malindit me kryetar Ilias Myslim Spahiu. Në mars të vitit 1943 u zgjodh këshilli i gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare me kryetare Bedrie Riza Irahimaj. Më 10 maj 1943 në batalionin territorial të Çepanit, komandant kishte Xhemal Malindi dhe nga Malindi ishin 12 anëtarë të çetës territoriale të fshatit. Më 22 qershor 1943 krijohet batalioni partizan “Riza Cerova”, ku Novruz Habil Hasko u caktua zëvendëskomisar i batalioni dhe më pas zëvendëskomisar batalion në BrVIIS dhe Maliq Hasan Spahiu me detyrën e korierit të batalionit. Batalioni territorial i Çepanit, ku bënin pjesë luftëtarë nga Malindi kanë marrë pjesë në luftimet në Përmet-Kuqan-Mezhgoran, në Qafën e Kiçokut, në Përmet. Nga Malindi morën pjesë në luftime 10 partizanë.
Më 14 janar 1944 u krijua Grupi i Tretë Partizan e Skraparit, ku bënin pjesë nga Malindi: Skënder Ibrahimaj komandant batalioni, Novruz Hasko zëvendëskomisar batalioni, Maliq Spahiu, Zeqir Spahiu, Et’hem Spahiu intendent dhe Asllan Çuni. Partizan ka qenë dhe Bexhet Hazbi Spahiu, partizan në BrVIIS. Ferrik Hysen Spahiu luftoi deri në Jugosllavi, në moshën 39 vjeçare ndërron jetë nga plagët e luftës. Është dëshmor i Atdheut. Partizanë nga Malindi kanë qenë: Xhemal Malindi, Qamil Spahiu, Novruz Hasko, Fetah Spahiu, Skënder Malindi, Bexhet Spahiu, Ferrik Spahiu, Et’hem Qazim Spahiu në BrXS, Petrit Xhemal Malindi në BrXVS, Mithat Jaup Spahiu, Islam Ali Spahiu, Fetah Ramadan Spahiu në BrXS, Riza Hysen Spahiu, Asllan Tajar Çuni në BrXVIS, si dhe Bajram Iljaz Spahiu, Alo Hazbi Spahiu dhe Veiz Qani Spahiu.
Në Malind kanë qëndruar: Mehmet Shehu, Xheladin Beqiri, Gjin Marku dhe pjesëtarë të misionit anglez, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Liri Gega, Teki Koloneci etj. Këta drejtues të ushtrisë partizane kanë qëndruar në shtëpitë e Karafil Çaushi, Brahi Ibrahimaj, Dule Çaushi, Riza Hysen Spahiu, Ziqiri Spahiu, Hazbi Spahiu, Refat Spahiu dhe Mehmet Spahiu. Shtëpia e Qani Spahiut ka qenë spital partizan. Në Malind shtëpia e Novruz Hazbi Haskos është shpallur Familje bazë e LANÇ-it.
Nga Malindi kanë kryer detyra luftarake Qani Veiz Spahiu komandant vendi, Iljaz Myslim Spahiu anëtarë këshilli, Safet Hazbi Spahiu në komandën e vendit, Xhemal Abaz Ibrahimaj komandant vendi në Çorovodë, etj.
Janë shpallur 10 dëshmorë të Atdheut nga Malindi: Bukurie Avni Spahiu, Hikmet Mehmet Spahiu, Selvi Spahiu, Nazmie Zeqir Spahiu, Xhite Baki Spahiu, Adem Bilinam Spahiu, Mustafa Muharrem Lapani, Jaup Mestan Spahiu, Habil Hasko, Ferit Hysen Spahiu.
Dy fjalë për autorët
Bektash dhe Behar Spahiu, të dy janë vëllezër. Kanë përfunduar studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerave për Tankist dhe për Artileri Kundërajrore. Kanë kryer detyra komanduese në specialitetet e tyre. Për punë të lavdërueshme janë vlerësuar me Medalje nga Kuvendi Popullor. Puna e tyre është vlerësuar nga komandat ushtarake në vite.
Në vijimësi janë marrë me detyra shoqërore dhe kanë kontribuar në shoqërinë “Bashkësia Malindi”. Punuan me seriozitet dhe vullnet duke prurë për brezat në shekuj librin dinjitoz “Malindi në breza”.