Albspirit

Media/News/Publishing

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

Letër e Mid`hat Frashërit drejtuar kryetarit të “Vatrës” me anën e së cilës njofton se, së bashku me Mihal Turtullin dhe përfaqësuesit e kolonive shqiptare të Stambollit e Partisë Politike, kanë nënshkruar një memorandum kundër ndërhyrjes italiane dhe shpreh mendimin e tij për të siguruar mbrojtjen e SHBA për shtetin e ri shqiptar

Lozanë, më 23 prill 1919

Zoti President,
Ju konfirmoj letrën time të datës 25 të muajit të kaluar. Më datë 2 të këtij muaji i kam shkruar një letër dhe dërguar një telegram Turhan Pashës; letrën e dërgova me ndërmjetësinë e Fuad Dibrës që e ngarkova t’ju dërgonte kopjen, shpresoj ta keni marrë. Aty bëhet fjalë për një problem që ka dalë midis Turhanit dhe meje në lidhje me thirrjen time në Paris (telegram që Turhani ma dërgonte në Romë më datë 5, siç ua thoja në letrën time të fundit). Mirëpo më 2 prill Turhani më telegrafonte se nuk më kishte dërguar asnjë telegram dhe se udhëtimi im në Paris u bë i pamundur për arsyen e thjeshtë se nuk kisha vizën e nevojshme. Ju përgjegja se pasaporta ime, e vizuar në mënyrë të rregullt nga legata franceze në Romë, ndodhej në konsullatë në duart e kontit Manzoni ose në ato të kolonel Vicenzit dhe se, për sa i përket ftesës së tij, i dërgova kopjet dhe të gjitha firmat e telegramit të tij të 5 marsit. Qysh atëherë nuk kam asnjë lajm. Ka dy javë që ju kam telegrafuar për t’ju propozuar t’i shprehni delegacionit shqiptar besimin tuaj përderisa ai do të punojë për pavarësinë e plotë të vendit, pa pranuar asnjë ndërhyrje të jashtme. Gjithashtu, kemi dërguar që këtej një telegram të gjatë për këtë problem sepse i famshmi Esat po bën gjithmonë intriga dhe Turhani nuk gëzon aspak besimin tonë. Turtulli më letrat e tij na sjell gjithmonë shqetësime.
Pardje Turtulli më kërkonte në qoftë se e autorizoja të firmoste në emrin tim një memorandum kundër ndërhyrjes italiane: iu përgjigjja që po. Duket se delegacioni i Stambollit dhe i Partisë Politike (Grameno etj.) janë dakord mbi këtë pikë. Shpresoj që të jenë edhe delegatët e Rumanisë (Pandeli Vangjeli e Dhimitër Berati). Ne edhe një herë i kemi telegrafuar Konferencë së Paqes për ta lutur të rregullojë çështjen e Shqipërisë në përputhje me aspiratat tona kombëtare dhe në favor të pavarësisë së saj të plotë. Ne gjithashtu pranojmë që Shtetet e Bashkuara të na japin ndihmën e mbrojtjen e tyre për të na udhëhequr në hapat tona të para në jetën politike kombëtare. Është një çështje mbi të cilën ne kemi qenë gjithmonë dakord me doktor Turtullin, të cilën ia sugjerova përsëri kohët e fundit. Për fat të keq, nuk kemi lajme më të gjata sepse letrat e fundit që kam marrë janë ato të doktorit, të cilat edhe ato janë shumë të shkurtra e lakonike. Nga delegatët e tjerë si edhe nga ju nuk kam marrë ende asnjë letër. Kohët e fundit zoti Gu..?, agjent i Italisë, më luti të kaloja nga konsullata për të më komunikuar që kam për të marrë një çek prej 3600 nga Banka e Romës si rrogë e muajit mars dhe si delegat shqiptar. Unë iu përgjigja me shkrim se, duke mos patur mundësi të shkoj në Paris si anëtar i delegacionit të qeverisë shqiptare, qe e pamundur për mua të merrja rrogë si i tillë.
Do të isha shumë i lumtur po të merrja lajme nga ju. A i keni marrë 20 kopjet e broshurës “Kërkesat shqiptare”? Rreth 150 ekzemplarë ua kam dërguar personaliteteve dhe gazetave, 50 nga të cilat ia kam dhanë Labos. Kam në botim e sipër broshurën “Shqiponjat brenda e jashtë vendit”. Botuesi do të ma japë pas një jave dhe do t’ju dërgoj 20 ekzemplarë. Në letrën time të datës 25 të muajit të kaluar ju kërkonja nëse më lejoni të bëja disa shpenzime për shtypjen e disa shkrimeve dhe të më tregoni qartë destinacionin e shumës prej 10. 000 fr. që më keni dërguar në muajin shkurt; më shkruani gjithashtu dhe se çfarë shume mujore do të caktonit për shpenzime personale dhe për udhëtimet e mia. Unë jam i mendimit se paratë që “Vatra” po mbledh duhet të shpenzohen me nikoqirllëk dhe ajo që do të mbetet do të përbëjë fondin për punët kulturore të shoqërisë.
Ju lutesha në letrën time të fundit të më dërgonit broshurat e Hawardit, Williams, librin e Peacock, 5 kopje të çdo numri të “Adriatic Review”, 3 kalendarë “Vatra” dhe 3 libra shqiptarë “Kamberi dhe Çekrezi), si dhe 3 “Othello”. I pres gjithmonë. Kam menduar se do të ishte më mirë të botonim “Adriatic Reviw” në 15 faqe dhe çdo javë gjatë Konferencës, me qëllim që të bëjmë më shumë propagandë dhe që mund të shërbejë si buletin për çështjet tona.
I juaji
Mid`hat Frashëri
Poste restante
Lousanne

AQSH, F. Koleksioni i Shoqërive Shqiptare në Zvicër, V. 1919, D. 27, fl. 3.

Please follow and like us: