Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Kuka Dragoti: Kënga e uverturës së ndarjes

Falmë bija ime, për të njëjtin mallëngjim,

si rituali i tymit drejt qiellit

prej atij oazi ninullash të ngecura

në çarkun me klithmë të çjerrë

sa piskamat e kësulëkuqes,

në festën e ujkut, ku gjyshja është mungesë

I njëjti aeroport si dikur, më rikthehet

me duelin e vjetër të ndarjes,

po ai horizont pranë busullës, prej dheut mëmë

që i mësoi ikjen, hartës.

Iu luta Zotit të të bëjë të lumtur

me zërin e një kënge që s’më bindej

si tokmak ngjeshej ankthi në stomak

kur mbillte farën e mallit, por…

nuk ishte festë kur u ndamë bija ime

xhamat ndarës çelën syve, rrudhat e para

direkë ëndrrash na prinin kuturu,

pa ditur ku ndalen…

Si do fashitim, historinë tonë bija ime?

sa durim u dashka të mos fundoset, si titanik,

pasthirrma e lotit…?

Gjumi im ka ndërruar shtatë mote

ka shenjat e një jete të pajetuar bashkë

çka mbet prej ndarjes sonë

jam sërish

një përqafim zemërshtrydhur

një gjoks që nxjerr lutje zëulët

e përkund pagjumësinë e moshës…

E di të mungoj si prani e panevojshme

na ra për pjesë të dremitim, mes mungesash

kur u ndamë ti takove rrugën tënde

unë mora plagën e pritjes, për të dyja

Përralla jonë erdhi me mua në këtë botën tjetër

mbështjellë me heshtjen tënde të mençur

Sa larg të kam bija ime, sa larg

vëllai punon me orar të zgjatur

vesh mallin tim me bisht të syrit

mes meje e teje është buka e tij

në dhjetor iku nga shtëpia

shtrëngonte duarsh fatin e mirë.

S’di ç’të bëj, tani…

koha ime bosh rëndon sa një gur i shkulur

nuk këshilloj më, si e ditur

fsheh zërin nëpër xhepa që kujtesa

i ktheu në tunele, për fjalët e mia dikur

– Bijë kujdesu për veten

– Për gjithcka më thuaj

 – Mamin e ke në vagonin e fundit

 – Ndaj kërkoje në xhepin e bluzës.

Falmë bija ime, për të njëjtin mallëngjim si dikur jam e pathyeshme sa sakatoj veten

sa herë frika e harresës ul siparin

më luhet njëjtë në gjoks , uvertura e ndarjes,

në aeroportin “Nënë Tereza”…

Jam një nënë e munguar që më mungon nëna…

Please follow and like us: