Parku Kombëtar Shebenik – Steblevë, një mrekulli e natyrës e lënë pas dore
Parku Kombëtar Shebenik – Steblevë, një mrekulli e natyrës, e lënë pas dore.
Asnjë i punësuar nga Stebleva dhe fshatrat e kësaj njësie administrative, asnjë investim shtetëror.
Nga Sakip Cami[1]
Prej 15 vjetësh, 34 mijë hektarë të këtij parku natyror me 14 liqene akullnajorë, vetëm 110 km larg Tiranës, nuk vizitohen dhe shfrytëzohen sic duhet dhe sic janë mundësitë. Për 15 vjet ky park është vizituar vetëm nga 43 mijë vizitorë ditorë.
Në Parkun Kombëtar Shebenik – Steblevë, fshati turistik i Steblevës zë një të tretën e territorit të tij. Ky park shtrihet në verilindje të vendit tonë, në mesin e verilindjes, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit dhe është i mbrojtur edhe nga UNESCO.
Me vendim të Këshillit të Ministrave ai është shpallur Park Kombëtar me vlera të larta ekoturistike, në përshtatje me konventat ndërkombëtare për shtimin e sipërfaqeve të mbrojtura. Po me vendim të KM, i është ndryshuar emri nga Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë në Parkun e Shebenikut, duke mbetur në emërtim vetëm me një skaj të tij. Skaji lindor përkon me fshatin shqiptar të Jabllanicës që ndodhet në RMV, por kjo nuk do të thotë se banorët e Jabllanicës nuk janë të interesuar për zhvillimin e mjedisit dhe të turizmit njëlloj sikurse shqiptarët e Steblevës dhe të zonave të tjera të këtij parku.
Ky është vendimi i dytë që qeveria ka marrë për këtë park, nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit e vendit tonë, vendim që nuk ka të bëjë me zhvillimin e tij, por për emërtimin e tij. Banorët e Steblevës kanë propozuar që të emërtohet Shebenik – Steblevë. Drejtoresha e Përgjithëshme e Zonave të Mbrojtura të RSh Daniel Pirushi, bijë e Steblevës, e mbështet këtë propozim, jo vetëm si emërtim, por edhe për investime. Por pas VKM së dytë, pushtetarët vendorë shprehen se nuk është koha për t’u marrë me emërtime të reja, dhe nga ana tjetër nuk kanë punësuar asnjë banor të njësisë administrative të Steblevës në këtë park dhe në pyjet e Steblevës.
Ishin banorët e Komunës së Steblevës që i mbrojtën me forcë pyjet e tyre në vitet 1997 – 2002 nga prerjet pa kriter, nga hajdutët dhe keqbërsit. Pa djersën dhe mundin e tyre nuk do të kishim sot një të tretën e këtij parku kombëtar.
Në sipërfaqen prej 34 mijë hektarë, pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësoree ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet.
Parku shtrihet brenda këtyre kufijve:
- Në veri (Rrethi i Bulqizës): Pika e takimit të rrugës automobilistike Librazhd – Steblevë me rrugën Librazhd- Dorëz, ura e lumit Rapun, pranë fshatit Zagosht, shkalla e Lunikut, fshati Llange, Fushë Studen. Kufiri verior ndjek rrugën e fshatit Borovë, përroin e Zallit të Klenjës, ndërpret rrugën automobilistike Steblevë – Klenjë dhe pika kufitare Shkëmbi i Shqipes.
- Në lindje Republika e Maqedonisë (Jablanicë), Shkëmbi i Shqipes, vijon përgjatë kufirit shtetëror, maja e Raducit (2 081 m), Qafa e Kruqit (2132 m), Shpella e Ariut (2 030 m), Qafa e Kokelit (1883 m), Maja e Kurorës), Maja Varri i Marikës, Maja e Kallkanit, Qafa Rinas (1 404 m).
- Në jug (Komunat Rrajce, Qukës, Hotolisht, Qendër): ndjek kurrizin dhe rrugën për këmbësorë, në drejtimin Qafa e Policës, kalon te Qafa e 6 Lisave, ndjek rrugën për këmbësorë, maja e Skurës.
- Në perëndim (Komunat Lunik e Steblevë), zbret kurrizin, ndërpret lumin e Bushtricës, vijon në maja e Trestenikut, maja Varri i Plakës, ndjek rrugën këmbësore për në fshatin Bozgarë – Kokrevë, ndërpret përroin e Hotolishtit, ngjitet kurrizit, kalon përgjatë rrugës Dorëz – Librazhd, deri te pika e takimit me rrugën automobilistike Librazhd – Steblevë.
Në territorin e parkut përfshihen gjashtë komuna, pjesë e dy bashkive Librazhd dhe Prrenjas. Prezenca e tij ndikon në një popullsi prej afërsisht 15.000 banore.Ky park menaxhohet nga Seksioni i Zonave te mbrojtura pranë DRSHP Elbasan,
Parku përshkohet nga dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin.
Kjo zonë ka 14 Liqenet akullnajore të vogla me bukuri mahnitëse, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit si dhe 3 liqene artificialë, njëri më i bukur se tjetri.
Klima në shumicën e parkut bie në kategorinë e klimës mesdhetare, me temperatura mesatare vjetore ndërmjet 7 °C dhe 10 °C. Reshjet mesatare vjetore jane midis 1.300mm dhe 1.800mm, varet nga lokacioni brenda parkut.
Parku përmban ahun, bredhin, pishën, dhe specie lisi, si dhe lloje të tilla si shelg dhe bredhin evropiane argjendi në shpatet veriore të zonën e Parkut. Ka edhe një numër të llojeve bimore të rralla. Specie kryesore të florës janë: Ahu, Pisha e zeze, Bredhi, Dushqet, Bushi dhe më rrallë takohen Meshtekna, Arrneni, Frashëri, Ajdesi, Panja, Ajshja, Shelgu, Lisi, Lajthia, Shkoza, Mëllëza, Vidhi, Vodhëza e egër, Qershia e eger, Boronica, Gorrica, Dardha e egër, Trendafili i eger, Çaji i malit, Sanza, etj. Disa specie janë në rrezik të zhduken si mështekna, arrneni, frashëri, qershia e egër, shtogu, boronica dhe shumë bimë mjekësore si xhirrokulli, sanzin, krekzen, lulebalsamin, blirin, vidhin e malit, çajin e malit etj.
Zona parkut është menduar të përmbajë një nga vargjet kryesore e mbetur të specieve si Rrëqebullit i Ballkanit etj. Gjithashtu një gamë të natyrshme për ariu kafe, ujkun gri, dhia e egër, derri i egër, trofta e egër. Speciet kryesoe të faunës jane: Ariu i murrmë, Ujku, Vjedulla, Dhelpra, Ketri, Nusja e lalës, Shqiponja, Skifteri. Më të rrallë janë: Zardafi, Derri i egër, Kaprolli, Dhia e egër, Rreqebulli, Gjeli i egër, Trofta e malit. Fauna ka pësuar dëmtime të mëdha, pothuajse janë në zhdukje rrëqebulli, dhia e egër, kaprolli, gjeli i egër, macja e egër, lundërza, shqiponjat, trofta e malit.
Janë të shumtë shtigjet për shëtitje në park të ndjekura me shenja përkatëse per eskursionin tuaj. Është i zhvilluar sporti i skive në dimër në Fushë Studen dhe Steblevë, sporti i automobilizmit malor në stinën e verës, sporti i kanoes në liqen, etj
Turizmi në këtë zonë akoma është në fazat e para të zhvillimit. Vizitoret janë të paktë dhe të vetë organizuar. Kjo kur zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme. Ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët, studiuesit, etj. Përmendim psh, Fshatin Llangë me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumëvjeçare; Kishën e Koshorishtit, ndërtuar në një shpelle në shek. II para erës sonë; liqenet karstike Shebenik, liqenin e Fushë-Studnes, Vlaskën, Fushën e Dorezit, Bredhin e FushëKuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë të tjera.
Ne këtë zone komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturor e tradicionale, të cilat janë e vetmja frymëmarrje e këtij komunitetit dhe këto janë festat tradicionale që festohen gati në çdo fshat të madh dhe kanë secili të veçantat e veta, por nga pikëpamja e pjesëmarrjes janë shumë të vlefshme, sepse marrin pjesë shumë anëtarë te komunitetit, të ftuar, po dhe të huaj.
Kostumet popullore tradicionale janë një pasuri e madhe folklorike që ndryshojnë në disa fshatra, poashtu edhe këngët e vallet popullore.
Në zonë organizohen festa popullore si ajo e Shëngjergjit (ardhjes së pranverës) etj. Ka edhe disa shpella ku mund të vërehen ende pikturat murale me motive kryesisht biblike të bëra përgjatë shekujve.
Sapo të kalosh Qafën e Dragalicës, të shfaqet fshati i Llangës, një fshat i gjelbëruar, por me pak shtëpi të mbetura, për shkak të migrimit brenda dhe jashtë vendit. Në verë disa oxhaqe shtëpish nxjerrin tym, disa banorë kthehen gjatë stinës së verës.
Sapo kalon Llangën të shfaqet Fusha e Studnes, ose fusha e Ftohtë, të cilën banorët e quajnë edhe fusha e Zabzunit. Fshati i FushëStudnes është zhvendosur buzë malit, për të mos zënë sipërfaqen e tokës, në fushë, një tokë me dhe të lehtë që prodhon pataten më të mirë në Shqipëri. Patatja e Steblevës dhe ajo e Shishtavecit njihen që prej vitesh për cilësinë e tyre.
Këtu është vend historik. Sipas studiuesve vendas në këtë fushë është zhvilluar faza e parë e betejës së Oranikut në vitin 1448. Beteja të Skënderbeut në këtë zonë janë zhvilluar edhe në Mecad të Borovës dhe në Modric ku janë edhe kalatë dhe gjurmët skënderbegiane.
Në këtë fushë të rrethuar nga Liqeni i Studnes dhe malet piktoreske për rreth disa banorë e bisnesmenë vendas kanë ndërtuar bujtinat e para të pritjes së turistëve vendas dhe të huaj. Turistët gjermanë dheata italianë e kanë këtë pjesë të parkut si shtëpinë e tyre, pasi vinë me automobila malorë dhe me bicikleta.
Në fshatin Steblevë, ku vendet piktoreske dhe liqenet janë edhe më të shumta, banorët A. Bushati, A. Kormaku, M. Hoxhaetj., kanë ndërtuar bujtina pritjeje për turistët ku shërbehet mish, bulmet, perime e fruta të vendit. Por me statusin e fshatit turistik, në Steblevë nuk është bërë asgjë. Çdo gjë ka mbetur në letër dhe asnjë investim.
Vende me bukuri të veçantë në Steblevë
- Fusha e Steblevës me 84 burime ujore
- Mali i Raducit, me lartësi 2082 metër
- Mali i Draganit, Shkëmbi i Draganit
- Liqeni i Draganit, Kanionet e Liqenit
- Gështenjat e egra,
- Lulet te fusha e ish piramidës 30,
- Çajret e thata,
- Livadhet e Visharicës,
- Mali i Kallkanit, me majën e tij 2134 metra
- Mali i Stratorit dhe burimet që rrjedhin prej tij,
- Pyjet e Mllacës,
- Pyjet e MalittëKusarit,
- Përroi i Govatave,
- Çezma e Ataturkut
- Vakëfi i Steblevës, fusha dhe pyjet përrreth tij etj.
Të gjitha këto vende krijojnë një ansambël të pakrahasueshëm bukurish, të cilat mbeten të pashfrytëzuara plotësisht.
[1]Kryeredaktor i gazetes “Stebleva”