Lazaratit i takon të jetë qendra e shtetit bektashi
Nga Avdulla Kënaçi
Dihet, Jugu i Shqipërisë është në pjesën më të madhe i besimit bektashi, por popullsia që i ka qëndruar besnike më shumë se kushdo, është ajo e Lazaratit. Historikisht ata e kanë frekuentuar dhe mbajtur më këmbë Teqenë e Zallit nga ku doli edhe disidenti Dervish Rexhepi që krijoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës teqenë bektashiane afër Detroitit. Amerika jo vetëm e mbështeti, por i dha godina dhe truall në Michigan. Kjo teqe u bë strehë, frymëzim kombëtar dhe rezidencë bujare e emigrantëve shqiptarë.
Lazarati në kohën e diktaturës komuniste është anatemuar, persekutuar dhe ka pësuar goditje të njëpasnjëshme pikërisht sepse ishte besnik i këtij besimi dhe i kësaj teqeje. Gjeografikisht Teqeja e Zallit edhe sot është midis Gjirokastrës dhe Lazaratit, ku ka hapësira boshe, por unë mendoj se i gjithë fshati Lazarat duhet të jetë pjesë e këtij shteti. Ata në çdo periudhë kanë dhënë prova të autoktonisë, pavarësisë dhe besnikërisë ndaj kombit shqiptar.
Ndodhen në kufirin e minoritetit grek, pikërisht me fshatin e madh Dervician ku kohët e fundit Micotaqi ka dërguar monumentin e babait të tij. Lazarati nuk ka krijuar asnjë konflikt me minoritetin grek, asnjë hasmëri, asnjë vrasje, është model i marrëdhënieve vëllazërore midis kombeve. Janë një popullsi me tradita dhe dinjitet, kompakte dhe burrërore, të palëkundur në bindjet e tyre.
Gjirokastra mban sot vendin e parë për turizëm, do të jetë interesante po qe se disa mjedise të Teqesë së Zallit do të kthehen në muze duke ekspozuar historinë e bektashizmit dhe qëndresën ndër vite. Bektashizmi njihet për tolerancën, prakticitetin dhe respektin ndaj njeriut, grua apo burrë qoftë. Bektashizmi nuk lufton asnjë fe tjetër, ose besim. Jeton në harmoni me orthodoksët, katolikët dhe izraelitët, etj.
Bektashizmi e urren luftën dhe në çdo moment promovon paqen, bashkëjetesën fetare dhe unitetin kombëtar. Kryegjyshata në Tiranë ka godinën, 11 ha toka dhe administratën, por nuk ka popullsinë, besnikët e vet, ndërsa populli i Teqesë së Zallit është aty, Lazarati. Nuk ka kuptim një administratë pa popullsinë e vet. Teqeja e Zallit ka fshatin Lazarat, të veçantë dhe origjinal në çdo drejtim. Pikërisht aty duhet të jetë Shteti Sovran Bektashi.