Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Binak Kelmendi

Bllaca

Baltë e britma

Vaje fëmijësh

Gjamë nanash

Burrat mbetur krejt në lloç

Duart kot ngrihen lart

Asgjë nuk bie nga qielli

Vetëm shi

Zymtësi

Avionët fluturojnë Sharrin

Përthyejnë rreze Dielli

Valë lajmesh

Bart Lepenci

Me të mbytur në ujë

Si në qerren e mbretit Genti dikur

Të gjithë me huje

Edhe koha

Me trosha e troha

(Prill1999. Kam pas shkruar kundër Kiro Gligorovit që kishte parashikuar eksodin tone nga sulmet e Serbisë… Në Bllacë, eksodist, kam qëndruar nga 2 deri më 6 prill 1999).

Kthimi në apartamentin tim të plaçkitur nga Serbia

U riktheva në apartamentin tim

Nga Alzasi në Prishtinë

Nuk e njihja:

Pas dëbimit tim nga Kosova

Barbarët serbë

Nga apartamenti im

Kishin dëbuar edhe

Librat nga vitrina

Skedarët nga notesi

Dorëshkrimet nga kompjuteri

Numra telefoni me telefon

Nga tavolina

Dhe zjarrin nga kamina

Barbarët kishin dëbuar

Fotot nga albumi

Pikturat nga muri

Këngët nga magnetofoni

Lajmet nga radioja

Lojën nga televizioni

Barbarët kishin dëbuar

Krevatet, vitrinat

Kasetat dhe disketat

Emrat dhe adresat

Barbarët kishin dëbuar

Miellin nga magjia

Poçet nga tavani

Ujin nga rubineti

Vazot nga jargavani

Perdet jorganët…

Rrobat nga kremastari

Qirinjtë nga shandani

Barbarët kishin dëbuar

Gazeta të vjetra

Dokumentacion data 

Dëshmi, çertifikata

Diploma, indeksa

Lapsa, fletore

Dhe libreza shkollore

Barbarët kishin dëbuar

Ditarë, kompjuterin

Lodrat, kukullat

Lugët, pjatat, gotat

Radion, televizorin

Sobën, frigoriferin

E dikur Liria kishte dëbuar barbarët dhe

Terrin.

Shi në Adriatik, bore në Alpe, gjak në Kosovë

As Vang Gog, as Rembrant

Nuk janë aty

Dali përdredh mustakun

Prado hap dritaret me Gojan

Pikaso thyen kornizën e Gernikes në Paris

Luvri del nga piramida

Mona Liza bën grimin

Servantes mbyt natën Don Kishotin

Shekspiri me lugë i jep helm Hamletit

Magbethi s’e nxjerr dot shpatën nga milli

Kadare vret në pikëditë Gjorgun

Meteorologët prapë parashikojnë

Shumë shi në Adriatik

Shumë bore në Alpe

Shumë gjak në Kosovë

Shumë akull në zemër

Kaligula kalon me kaligala detin

Pa përfunduar qëndismat

E këmishës së përgjakur

Të Bunës

Në Qafëgjashtë

Të Shkumbinit

Në Prishtinën

Nën Dri.

(Tiranë, prill 1999)

Korça kosovare

Nuk u këndua asnjë seranadë

Në atë ditë – natë

Korçarë prisnin kosovarë

Tek vinin vardar

Me ëndrrat vrarë

Varrë

Korçë mori Korçë

Ta paça borxh!

Shkollën me ABC në oborr

Me fëmijët ndanë grilash

Tek këndojnë në kor

Me fluturim kojrilash

Shkollën me ABC në oborr

Me fëmijët ndanë grilash

Tek këndojnë në kor

Me fluturim kojrilash

Është ogur i mire ky

I pritur me mote

Jugu bëhet Veri

Dhe Veriu Jug sonte

Kosovë e Shqipëri

Gjithmonë kanë qenë bashkë

Me Jugun Gegë

Toskën Veri

Mish me asht

(Prill, 1999, Korçë).

Please follow and like us: