Bashkim Ahmeti: Arti figurativ i piktorit Sergio Bitici
Kur e njoha Sergio Biticin për herë të parë në Boston e pastaj në New York u befasova nga njohuritë e tij të gjera rreth artit të pikturës, gjë që është jo e zakontë për njerëzit e biznesit. Më pas duke u shoqëruar me të kuptova se sa i madh është pasioni i tij për muzetë e artit ku ai ndjehet si në shtëpinë e vet. Çuditesha që ai shkëputej befas nga restoranti i tij në ‘Lexington Ave’ për t’u hedhr një vrap e për të parë ekspozitat e pa fundme që hapen në Manhatan, prej të cilave ai e bënte përzgjedhjen e tij me kopetencë e simbas disa preferencave të caktuara, të cilat ridhnin jo aq prej famës se sa nga njohjet personale me artistët dhe nga parapëlqimi i pikturave në letër e vizatimeve të mjeshtërve të vjetër.
Sa herë kthehesha tek restoranti i tij, ai pa e mbaruar akoma kafenë e mikpritjes të merrte për krahu dhe të çonte për të parë një ekspozitë arti. Kështu janë të paharrueshme për mua vizita ime e parë në ‘Frick Collection‘ dhe në ‘Morgan Library’ ku pamë së bashku vizatimet dhe akuarelet e mrekullueshme të Tiepolos. Sergio i mbante lidhjet me artistët që i takonte dhe i njihte përmes biznesit të restoranteve dhe fliste për ta me admirim, qofshin ata atë famshëm ose thjeshtë artistë që jetonin përreth. Me kohë në rrethet e New York u shtuan artistët shqiptarë dhe Sergio donte t’i takonte të gjithë. Edhe mua më vinte në NJ së bashku me zonjën Feride sa herë unë ekspozoja punët e mia. E shihja me admirim që ai ishte i pasionuar me dezajnimin dhe paraqitjen grafike te “Macelleria”, restorantit të tij që e kishte në një shesh piktoresk në downtown New York ku edhe hapte ekspozita me artistë të zonës përreth dhe ku më ka ftuar edhe mua të marr pjesë.
Por unë atëhere nuk e dija që ai ishte i pushtuar nga dëshira fëminore për t’u bërë artist. Si rastësisht e me modesti m’i tregonte ca vizatime të vogla me mbresa nga vëzhgimet e ambientit dhe njerëzve përreth, gjithmonë i preokupuar për mjeshtërinë dhe teknikën e të vizatuarit dhe të bojrave të ujit. Mjeshtëria, teknika speciale e pikturave me Akuarel ishte gjithmonë tema qendrore e bisedave që Sergio i bënte kur shikonim në ndonjë muze arti së bashku. Të gjitha këto i vura re me kohë. Më vonë mësova që ai ishte i pasionuar me artin që gjatë viteve të shkollës së mesme në Prishtinë, ndërsa gjatë viteve të qëndrimit të tij në Firence arti u bë pasioni i jetës së tij.
Të arratisur nga Shqipëria në Kosovë dhe mbas kësaj të larguar edhe nga Kosova në emigrimin e pa kthim arti si duket u bë për të si një faltore. Në njohjet e mia të para me Sergio Biticin kjo spërkatje artistike ia hijeshonte personalitetin e tij kompleks prej burri të hjshëm me një familje të bukur e të përkushtuar për edukimin e vajzave të tij të hijshme dhe gjithashtu prej një aktivisti të vjetër e të devotshëm te Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”. Mendoja që ndoshta Sergio do të bëhej një piktor i të dielave, siç quhen ata që e pëlqejnë artin dhe pikturojnë për qejf gjatë fundjavëve. Isha me këto përshtypje deri kur pa pritur ai më tha që ishte regjistruar në të famshmen “Art Students League of New York” ku ndiqte kurset e mbrëmjes për pikturë e vizatim.
E kuptova që ai kishte vendosur që të pikturonte, të bëhej piktor dhe që këtë gjë donte ta bënte me profesionalizëm e për së mbari ashtu siç kishte bërë çdo gjë në jetë. U bë një sudent shembullor, i përkushtuar dhe plot admirim për profesorët e tij që ishin mjeshtra të shquar të pikturës. Sa herë që e takoja më tregonte veç për shkollën dhe për peripecitë me detyrat e akuarelit dhe vështirësitë e të papriturat e procesit të pikturimit. Nuk hoqi dorë nga vizatimet dhe pikturat në dimensione të vogla a thua se kishte qenë student i Abdurrahim Buzës të cilin e admironte pa masë. Ai e dinte se ku donte të arrinte. Donte të përvetësonte mjeshtërinë e pikturimit me akuarel në letër. Akuarelet e tij shumë shpejt filluan të duken ndryshe. Të vogla nga përmasat, të freskëta e elegante dhe me një vëmendje të posaçme ndaj detajeve të cilat mundohet t’i realizojë me pak goditje të penelit. Mësimet që mori në klasë e dhanë rezultatin e tyre dhe çdokush që e fillonte edukimin artistik në moshë jo të re do të kënaqej me kaq mirëpo Sergio i entuziazmuar nga rezultatet u përqendrua edhe më shumë në përvetësimin e teknikës duke e ditur që piktorët e shkëlqyer janë së pari virtuozë.
Akuarelet më shumë se çdo tjetër teknikë pikturimi ndriçohen nga virtuoziteti. Jo më kot miniaturat që shoqërojnë tekstet e vjetra quhen “Iluminime”, tekste të ndriçuara nga zbukurimet. Ja shikoja me kërshëri pikturat e tij me bojra uji të cilat ashtu të vogla dhe me një vëmendje e preokupacion për detajet t’i kujtojne këto iluminime ashtu sikurse të kujtojnë edhe akuarelet e piktoreve romanticistë… Bukuria, harmonia, dramaciteti si edhe mallëngjimi që shoqëron pikturimin nga natyra dihet që kushtëzohen nga zotësia teknike dhe nga zotërimi i mjeshtërisë. Në një kohë kur artistët e sotëm rëndom e nënçmojnë mjeshtërinë në favor të koncepteve dhe ideve, Sergio në sajë të stërvitjes së tij të gjatë me studimin e muzeve dhe të artit të madh e kishte kuptuar që idetë dhe konceptet ngjallen e marrin jetë vetëm përmes mjeshtërisë së përkryer si tek mjeshtrit e vjetër japonezë ashtu edhe te Turner apo David Hockney. Pikturat e tij janë paraqitëse, por jo natyraliste sepse ai nuk e tepron me imitimin e çdo detaji që gjen tek natyra.
Detajin ai e realizon me një prekje dhe kjo i bën pikturat e tij të duken impresioniste, veçanërisht për shkakun se natyra dhe drita e diellit janë shpesh herë objekti i pikturave të tij. Sergio pikturon për të mësuar e për ta përsosur teknikën ashtu si Van Gogh, i cili pikturonte veçse për t’u stërvitur e për të përsosur mjeshtërinë pa e kuptuar se ndërkohë ai e ka mbërritur atë për bukuri. Biznesin e restoranteve ai e ka braktisur prej kohësh. Ai e ushtroi atë me shumë sukses në NY aty ku suksesi çmohet më shumë se kudo tjetër. Jeta e tij paralele e piktorit vazhdon me intesitet më shumë se më parë. Pikturon New Yorkun, pikturon natyra të qeta dhe pikturon çdo gjë që i duket pikturike gjatë udhëtimeve të tij. Motive të thjeshta gjithmonë me përmasa të vogla por me ngjyra të gjalla dhe me tone harmonike. Nuk mund të thuash dot a janë më tërheqëse ndërtesat groteske të New York apo rrugicat e qytezave dhe fshatrave shqiptare.
Nga një herë më tëheqin vëmendjen më shumë pikturat e tij urbane, vëzhgimi i syrit të tij dhe vëmendja e papritur drejt hyrjeve të errta të ndërtesave që të kujtojnë Edward Hopper. Nga një herë më duket me më shumë interes romanticizmi që përcjellin mbresat e tij nga Shqipëria që është vendlindja e tij prej nga i ka mbresat të pashlyeshme. Gjithsei ajo që e udhëheq drejt pikturimit është dëshira për ta rrokur përmasën e mjeshtërisë që e bën veprën e artit prekëse, tërheqëse, mbresëlënëse. Veçanërisht akuarelet ku mbi gjithçka është bukuria e ekzekutimit ajo që ia bën tërheqës e të papritur artin e tij e duke ia shpërblyer stërvitjen, edukimin dhe rrugën e tij të gjatë drejt mjeshtërimit.
Nuk më harrohet një vizitë në shtëpinë e tij të verës në North New York në verën e vitit 1998. Aty Sergio na tregoi me krenari një tavolinë të thjeshtë të lyer me ngjyrë të errët, me pak takëme shkrimi të vendosura në të me kujdes si edhe një karrige solide ku Ismail Kadare të nesërmen e qëndrimit në shtëpinë e Biticeve me të cilët kishte miqësi ishte ulur si për çdo ditë të zakonshne pune për të bëre ritualin e disa orëve shkrim ashtu si në mëngjeset e tij të çdo dite. Gjate ecjes së mbasdites rreth shtëpisë së tij Sergio më tregoi me mallëngjim të gjitha lulet dhe bimët e egra që kishin mbirë në korie dhe që ishin po ato të njëjtat që rriteshin edhe në vendlindjen e tij të paharrueshme në Shqipëri. Ky pasioni i tij për natyrën si dhe për pikturën më sjell ndër mend të famshmin Hokusai që thoshte:
“Çfarë vizatova deri në moshën 70 vjeç nuk e vlen të përmendet. Në moshën 73 vjeç unë munda në një farë mënyre të kuptoj dhe të paraqes rritjen e bimëve dhe pemëve si edhe strukturën e zogjve e kafshëve, insekteve dhe peshqve. Kështu pra kur të mbërrij 80 vjeç, shpresoj të kem arritur një ngritje e përparim dhe në të 90-at të shikoj përpara drejt kuptimit të principeve të gjërave. Kështu pra në 100 vjeç unë do të arrij një gjendje hyjnore në artin tim dhe në 110 çdo pikë e çdo penelate do të jetë si të thuash e gjallë. Ata që do të jetojnë gjatë do ta dëshmojnë që këto që them janë të vërteta”.
I mençuri Hokusai i ka thënë të gjitha për ata që duan ta kuptojnë shkakun e pa arsyeshëm pse artistët pikturojnë, pse Sergio si çdo artist nuk ndal së ëndërruari përsosjen e mjeshtërisë për të cilën është i përkushtuar.
Bashkim Ahmeti Izano
Piktor
13 Shtator 2024.