Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Rrepet

Ishin plakur rrepet.

Po vdisnin një e nga një.

Çka kishin mbetur, të moçëm e ata, m’u qasën e u ulën këmbëkryq si gjyshër ndër mote…

I njihja të gjithë.

Çdokush kish të vetën buzëqeshje.

Të njëjtat buzëqeshje që më çonin e më hidhnin përtej fëmijërisë sime të harruar..

Oh, ç’ngazëllim derdhej degëve hijerënda! Shtruan jatak fletëve tharë mbi gurë, e më gostitën me një kupë shushurimë nga grykë e përroit.

Ishin plakur rrepet..

Dikush rrënjëdalë më fliste plagët.

Të tjerë, tregonin të pathënat si t’ish e fundit herë nga e tyrja jetë.

I pazemër i lashë atje. Më përcollën me sy deri tutje.

U thinja në ikje… dhe ca më shumë dhimbjes. Asaj dhimbje a do t’i gjeja e t’i shihja përsëri.

Please follow and like us: