Irena Kuka Dragoti: Pragfestash
Pragfestash marr shkëndija yjesh nga qielli
për të ndezur buzët me qeshje
Hëna nuk e ka problem të vishet me dritë borxh nga dielli
t’i bëjë rojë gjumit tonë të shprishur
që kemi bindur se festat si pemët e mira
lidhin frute të ëmbla..
Pragu i festave është një mutacion ditësh gri
kur i zbukurojmë me harresë
sepse na mungon gjithnjë ajo që kemi
e ajo që na duhet, nuk vjen…
Nuk mbahet mend që kur kemi festuar me zemër
që kur mjegullat hidhnim si pambuk
mbi qerpikë halorësh
që kur shiu imitonte kristalet platin mpi pishë
Prej motesh nuk ndodh më asgjë fëmijësh
Hëna kafshohet majëpemësh
dhe derdhet te gëzimi ynë i shtirë…
E shkuara na jep hirin që mbulon
thëngjijtë e mbetur..
nga përzhitja e festës së fundit
Ne veç e trazojmë, si një detyrim.
Sa kohë që festojmë veç me sy