SKËNDER MUÇO E HYSNI LEPENICA, NË SHTATOR 1942, FORMOJNË ÇETËN E PARË ANTIFASHISTE NË QARKUN E VLORËS
Nga Enver Memishaj
Skënder Muço, ishte një avokat i ri dhe i suksesshëm nga Vlora. Së bashku me Hysni Lepenicën, formuan çetën e parë antifashiste në qarkun e Vlorës, çeta më e organizuar. Skënder Muço u vra nga gjermanët në gusht të vitit 1944. Ai ishte një nga liderët kryesorë të Ballit Kombëtar, që gjithnjë luftoi gjermanët dhe kërkoi një linjë të fortë kundër tyre.
Erald Kapiri “Sekretet e luftës”, Tiranë 2017, f. 228.
Çeta është formacion karakteristik luftarak shqiptar, që nga koha e Rilindjes Kombëtare, kur shqiptarët u zgjuan dhe kërkuan liri në vatrat e tyre. Këtë formacion e diktonin kushtet historike të pushtimit, reliefi gjeografik malor, manovrimi i shpejtë dhe varfëria e vendit për t’i mbajtur dhe ushqyer këta luftëtarë. Në këtë traditë ecën edhe Skënder Muço e Hysni Lepenica kur menduan dhe formuan çetën antifashiste “Shqiponja”. Çeta u ngrit mbi baza vullnetare dhe kishte komandat Hysni Lepenicën dhe komisar Skënder Muçon, të përhershëm. Kur çeta shkonte në aksion rritej numuri saj me fshatarë vullnetarë që dilnin në luftë sipas thirrjes që bënte komandanti dhe komisari. Ushqimi sigurohej nga fshatarët sipas mundësisë së çdo familje, ndërsa veshja ishte nga vetë luftëtarëve, armatimi ishte personal dhe çka mund të sigurohej nga sulmi mbi armiqtë.
Çeta mbante nën kontroll krahinën e Vlorës duke marrë informacione mbi veprimtarinë e armikut, duke bërë propagandë, sulme e beteja sipas rastit, por shkonte edhe në ndihmë të çetave të Mallakstrës me të cilët kishte bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë dhe ata e kishin njohur Hysni Lepenicën si komandant të Vlorës dhe Mallakastrës.
Çeta vepronte sipas rrethanave dhe sipas urdhërve luftarak që merrte nga komanda eprore në Tiranë. Çetat e Ballit Kombëtar përbëheshin fillimisht prej 30-35 luftëtarë. Në komandë të çetave ishin: komandanti, nënkomandnati dhe komisari politik. Në Vlorë dhe në Korçë shumë prej komandantëve dhe luftëtarëve vinin prej Grupit Komunist “Zjarri”. Në këtë grup kishin qenë Hysni Lepenica e Uan Filipi në Vlorë dhe Feth Butka në Kolonjë.
Patrioti nacionalist Fetah Butka në kujtimet e tij shkruan për Kolonjën: “Kam formuar këto çeta: çetat e Bektash Kolanecit dhe Shevqet Goçaj nën komandën e Pasho Kolanecit, çetat e Haxhi Këmbëthekrit dhe Seit Memlit nën komandën e Fehim Sboqit… Janë pothuaj njëzet çeta të ngritura në këmbë me nismën e Fetah Butkës dhe që të gjitha nën ndikimin e Ballit Kombëtar”.
(AQSH, Fondi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Korçës, cituar nga Ylli Polovina “Historia e shqipërisë kalon edhe nga Butka”, Botart, Tiranë 2018, f. 233).
Më vonë çeta kishte një efektiv 40-50 luftëtarë vullnetarë sipas madhësisë së fshatit. Efektivi banonte pranë familjeve dhe mblidhej me urdhër të komandantit të saj, sipas lajmit me korier dhe në rast lufte me tre të shtëna pushke dhe një bombë. Ushqimi merrej nga shtëpia. Çetat ishin të armatosura me pushkë e mitroloza. Ata që s’kishin armë ndiqnin rrugë të ndryshme për të siguruar armë edhe me blerje.
Hysni Lepenica në korrikt të vitit 1942, thirri patriotët nacionalistë të krahinës së Dukatit me afro 150 luftëtarë në Lumin e Vlorës dhe në krye të këtyre burrave trima ai bëri një marshim propagandistik në Brataj, Tërbaç, Vranisht, Kallarat, Kuç e deri në Borsh me qëllim që t’i jepnin popullit shpresë dhe ta ngrinin në luftë për liri.
(Për veprimtarinë e Skënder Muços e Hysni Lepenicës në Dukat shih: Musa Koshena Kujtime, albPaper, Tiranë 2005, f. 16-21; Elmas Radaku “Liria”, 27.9.1995).
Në këto rrethana historike Hysni Lepenicës s’i mbetej rrugë tjetër veç braktisjes së detyrës së nënprefektit dhe përkushtimit ndaj Luftës Antifashiste. Historiania Mimoza Hysa na vjen në ndihmë për të kuptuar më mirë arratisjen e Hysni Lepenicës nga detyra e n/prefektit të Himarës dhe krijimin e çetës antifashiste “Shqiponja” kur shkruan: “Në korrik të vitit 1942, Isuf Luzaj me ndërmjetësinë e Ernest Koliqit, ish profesori tij në Shkodër, lirohet nga internimi në Ventotene dhe kthehet në Vlorë… Është ndër të parët që hidhet në ilegalitet dhe ndër nismëtarët e parë të Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar për Vlorën, së bashku me Hysni Lepenicën e Skënder Muçon”.
(Mimoza Hysa “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”, Ombra GVG, Tiranë 2012, f. 21).
Në shtator të vitit 1942, mbi bazën e njësitit të armatosur të formuar në Lepenicë, në janar të këtij viti dhe patriotëve te krahinës së Lumit të Vlorës dhe Dukatit, Skënder Muçua dhe Hysni Lepenica formuan çetën e parë antifashiste në qarkun e Vlorës dhe e emërtuan “Shqiponja”.
(Gazeta “Zëri i Vlorës”, Vlorë, dt. 5.5.1945, f.3; Gazeta “Liria”, Tiranë, dt. 27.11.1992, f. 1).
Halil Haxhi Lamçaj nga Çorrushi i Mallakastrës ka deklaruar përpara hetuesve komunistë: “Unë kam patur lidhje me ballistin Qëndro Mane nga Sevasteri i Vlorës , i cili mbante lidhje me Hysni Lepenicën. Unë merrja prej Qëndros udhëzimet që ia jepte Hysni Lepenica. Qëndro Mane më 1942 më ka dhënë 450 napolona flori për t’i blerë armë lufte, pushkë, mitroloza, fishekë e bomba, sepse do të formonin çetën e tyre balliste. Unë kështu bëra u bleva 30 pushkë, me 100 municione për çdo pushkë, 4 mitroloza, tre italianë dhe një francez me 200 copë municione e 60 për francezin. Të gjitha këto i bleva dhe ia dorëzova Qëndro Manes në Sevaster Vlorë…”[1]
(Arkibi M.P.B. Dosja 1643. Halil Lamçaj ishte ushtar i Ballit Kombëtar dhe në vitin 1945 u dënua me 20 vjet burg).
Zenel Çelo Zenelaj, lindur në Velçë të Vlorës në vitin 1912, gjatë luftës ka qenë trimi i Hysni Lepenicës dhe është plagosur në përpjekje, në kujtimet e tij shkruan: “Në shtator të vitit 1942 isha në malin e Tragjasit, në mera me bagëti. Në një ditë shtatori u mblodh paria e fshatrave për të dalë ilegal në luftë kundër fashizmit. Organizatorë të këtij takimi qenë Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua. Ata kishin ftuar nga një dhe nga dy vetë nga paria e çdo fshati. Unë mbaj menda që morën pjesë: Nga Tragjasi: Skënder Muço, Tahir Hoxha, Mehmet Alemi, Azem Muço, Muhamet Gjonzeneli, Bego Gjonzeneli, etj. Nga Dukati: Azem Shehu, Maliq Koshena, Xhelil Imeri, etj. Nga Kanina: Isuf Luzaj, Tasim Halili. Nga Koculi: Xhelal Shaska, Tajar Shaska, etj. Nga Mavrova: Kamber Durmishi, Zybi Mero, Nuredin Ago, Arif Elmazi, etj. Nga Velça: Hasan Hyso, etj. Nga Smokthina: Bajram Qamili, Reis Shero, etj. Nga Lepenica: Hysni Lepenica, Xhelal Hoxha, Sami Avduli, Tefik Likaj, Sadik Sinani, Ymer Sheme, Sinan Brahimi, Veledin Hadëri, Nebi Sinani, Hysen Sinani, Qemal Hoxha, Imer Memishaj etj. Nga qyteti kishin ardhur Kudret Kokoshi, Fatosh Kokoshi, Azis Sharra, Met Xherahu etj. Kishte dhe shumë të tjerë, por disa nuk i njihja dhe disa nuk i mbaj mend. Hysni Lepenica më dërgoi fjalë edhe mua që të merrja pjesë, sepse veç të tjerave me të kishja dhe lidhje fisnore.Mbaj mend që në mbledhje u caktuan detyra për formimin e celulave që do të drejtonin luftën për çdo fshat.U formua që atë ditë edhe çeta “Shqiponja”, pjestar i së cilës u rregjistrova dhe unë dhe mbeta ushtar i BK deri në çlirimin e Shqipërisë…”.
(Shih për më shumë: Gazetat: “ 55 “, Tiranë dt. 28.7.1999; “Balli i Kombit”, Tiranë dt.1.8.1999).
Për çetën “Shqiponja” shkruan edhe Meçan Hoxha nga Velça e Vlorës, diplomuar në Itali për agronomi, bashkëluftëtar i Skënder Muços e Hysni Lepenicës: “Hysni Lepenica ishte njëri prej nismëtarëve të themelimit të Ballit Kombëtar. Ai së bashku me avokatin me famë Skënder Muço krijuan të parën çetë antifashiste në qarkun e Vlorës. Fillimisht kjo çetë kishte 25 vullnetarë dhe manovronte fshat më fshat, edhe në zonën e Mallakastrës e Tepelenës dhe Kurveleshit duke predikuar bashkimin e rrymave të ndryshme politike në një front unik nën simbolin kombëtar: Flamurin Kuq e Zi të Skënderbeut, deri në çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët, mandej vetë populli me votim të lirë të vendoste formën e qeverisjes në Shqipëri”.
(Kujtimet e Meçan Hoxhës janë botuar të plota në librin Enver Memishaj – Lepenica “Hysni Lepenica …”, Vëll. II).
Në vitin 1943, çeta “Shqiponja” merrte formën e një njësie ushtarake moderne kur erdhi si instruktor ushtarak toger Tasim Spahiu dhe mjeku Sinan Imami, të dy të diplomuar në Itali.
Luftëtari i orës së parë kundër pushtuesit të huaj Sadik Sinani nga Lepenica kujton: “Hysni Lepenica mblodhi njëherë luftëtarët e çetës “Shqiponja” në këmbët e shtëpive të katundit të vetë dhe u tha: “Luftëtarët e mirë njihen nga era e barutit. Zotësia e tyre njihet qysh në krismën e parë të pushkës… Luftëtarët e vjetër duhet të kenë në kujdestari luftëtarët e rinj. Tradita luftarake duhet mësuar mirë. Në çetë luftëtarët duhet t’i përshtaten terrenit dhe kombinimit të armëve e municionit”.
(Kujtimet e Sadik Sinanit janë botuar në “Hysni Lepenica – Vendi që zë në historinë e popullit shqiptar”, Vëll. II).
Thjesht ky episod tregon se Hysni Lepenica ishte një luftëtar dhe organizator ushtarak me intuit e mprehtësi të madhe. Koha nuk priste prandaj Skënder Muçua e Hysni Lepenica pas krijimit të çetës “Shqiponja” në fshatrat kryesore më të mëdhej të Vlorës Hysni Lepenica kishte krijuar bazat e tij dhe këtyre burrave ai u dha detyrë të krijonin çetën e fshatit.
Në vendlindjen e tij, Lepenicë, të gjithë ishin me të, por Hysajt, Memishahajt dhe Brahimajt nën udheheqjen dhe aktivitetin e Xhelal Hoxhës ishin bazat kryesore të luftës.
Në Kuç një pinjoll i Zenel Gjolekës së famshëm, Daver Gjoleka (1918- 2005) duke ecur në udhën e të parëve të tij dhe duke parë krimet që bënte komunisti Memo Mete, ngriti në fshatin e tij një çetë të Ballit Kombëtar prej 60 luftëtarësh. Bërthama e kësaj çete përbëhej nga: Mete Nguci – Kuçi, Raze Nguci, Zano Manoli, Pelo Sade, Maksut Laba, Xhelo Sofia, Fejzo Zeka, Arshi Zeka, Hamit Agua, Fejzo Bajua, Belul Mato, Hodo Brahimi, Zenel Nguci, Sheme Shahini, Metlli Shahini, Matjan Manoli, etj.
Komunisti Memo Mete përgatiti vrasjen në pritë të Daver Gjolekës, por u tërhoq pasi ai ishte i mbrojtur nga çeta e tij.
“Në këto rrethana, kujton Daver Gjoleka, mora 7 vetë me vete nga Kuçi: Raze Ngucin, Maksut Labën, Xhelo Sofin, Polo Saden, Sheme Shahinin, Hodo Brahimin dhe vendosa të shkoja të lidhesha me Hysni Lepenicën e Isuf Luzin në Vlorë. Në fillim vajta te Dule e Isak Metja në Smokthinë, pasi Dulja ishte baxhanak me babanë tim dhe u tregova ngjarjen dhe ata e miratuan krijimin e çetës dhe na mbajtën të gjithve 3-4 ditë në shtëpinë e tyre. Hysni Lepenica më pranoi si bashkëluftëtar dhe me çetën time me thirrjen e në krah të Hysni Lepenicës mora pjesë në luftën e Gjormit 29 dhjetor 1942 – 2 janar 1943”.
(Dr. Hasan Luçi “Gjolekajt e Kuçe në breza”, Mokra, Tiranë 2000, f. 202-203).
Në shtypin e BK është shkruar shumë herë se në shtator të vitit 1942, Organizata e Ballit Kombëtar kishte vendosur të nxirrte çetat e sajë në gjithë Shqipërinë.
(Shih: Gazetën “Liria”, Tiranë dt. 25.5.1994).
Komandanti i BK Abas Ermenji kujton: “Unë dhe Safet Butka që ktheheshim nga ishulli Ventotenes, shtator 1942, mbasi biseduam edhe me patriot të tjerë, sidomos me Skënder Muçon dhe Hysni Lepenicën, të cilët nuk kishin qënë të internuar në Itali, vendosëm të dilnim maleve për të krijuar çetat e para me armë kundër pushtimit fashist. Ky ishte vazhdim i përpjekjeve shqiptare që filluan në prill të vitit 1939. Për t’i dhënë një formë të organizuar kësaj përpjekje ishte krijuar që më parë Balli Kombëtar nën kryesinë e Mid’hat Frashërit, i biri Abdul Frashërit. Kjo ishte një mënyrë për ta ndërlidhur përpjekjen tonë me atë të Rilindjes Kombëtare , që zinte fill me Lidhjen e prizërenit…
Në Vlorë, kur fuqitë italiane dhe mercenare u nisën për operacion në drejtim të Mesaplikut, tek ura e Gjormit i priste Hysni Lepenica me fuqitë e BK, i cili i goditi më 1 janat të vitit 1943 dhe i dërrmoi plotësisht…
Balli Kombëtar sigurisht pjesa më e shëndoshë e tij frymëzohej prej idealeve të atdhedashurisë së Rilindjes Kombëtar dhe luftonte për një Shqipëri të bashkuar etnike të lirë e të reformuar. Një nga komandatët më të shquar të Ballit Kombëtar Hysni Lepenica u vra në luftë kundër ushtrisë italiane. Një nga udhëheqësit me kryesorë Skënder Muçua u kap dhe u pushkatua nga gjermanët bashkë me Zako Mezinin e Yzeir Alimerkon. Një komandant tjetër Azis Çami u vra me atentat prej komunistëve. Sa për veten time, Abas Ermenji, të gjithë ata autorë të huaj që kanë shkruar mbi qëndresën kombëtare në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore më përmendin si një nga shtyllat e qëndresës shqiptare deri nëvitin 1944”.
(Revista “Republika”, Kosovë, nr. 6-7, dt.30.10.1991; Ribotuar, gazeta “Balli i Kombit” Tiranë dt. 25.2.1992
Uran Butka “Gjeniu i kombit”, Tiranë 2006, f. 346).
Major Besim Belishova, komandant i forcave të BK i Mallakastrës, ka deklaruar në hetuesinë komuniste se “Në vitin 1942 mbledhjen e parë e kemi bërë në shtëpinë e Qazim Selfos për të kordinuar veprimet e çetave të Vlorës me ato të Fierit e Mallakastrës… Më vonë u bë një mbledhje e dytë në Vlorë, në pranverë të vitit 1942 për kordinimin e veprimeve luftarake të çetave nacionaliste ndërmjet Vlorës, Himarës, Fierit e Mallakastrës, Hysni Lepenica është caktuar komandant i Qarkut të Vlorës. Nga ana jonë [e Mallakastrës] vajtën Kadri Cakrani, Eqerem Peshkëpia dhe Tefik Sfiri. Si komandant i këtyre forcave u zgjodh Hysni Lepenica e anëtar Skënder Muço, Rauf Fratari, Mitat Aranitasi, Kadri Cakrani dhe u morën vesh me Ali Këlcyrën dhe Qemal Vrionin…”.
(Arkivi MPM, D.2070, f. 168, 237).
Kjo pra është arsyeja që Hysni Lepenica me çetën e tij “Shqiponja”, ka marrë pjesë ose ka komanduar shumë beteja që janë zhvilluar në Mallakstër kundër fashizmit italian. Në fillim të luftës forcat ushtarake më të mëdha ishin ato të Ballit Kombëtar që ishin përqendruar në Berat nën drejtimin e Abas Ermenjit dhe në Vlorë nën drejtimin e Hysni Lepenicës një ndër komandantët më të shquar të Ballit.
(Shih: “Balli i Kombit”, Tiranë nr. 409, dt. 9. 4. 2000, f. 5).
Ngritjen e çetave të Ballit Kombëtar e konfirmon edhe Sigurimi i Shtetit në historinë e Ballit Kombëtar të hartuar në vitin 1954 kur shkruan: “Përsa i përket organizimit ushtarak në rrethin e Vlorës fill mbas formimit të Komitetit Qarkor në pranverë të vitit 1942 u formua çeta komandnat i së cilës ishte Hysni Lepenica. Ky së bashku me çetën e tij filloi të zgjerojë dhe propagandojë në çdo krahinë nga një çetë nga të cilat më kryesoret qenë:
1. Në Mesaplik u formua çeta me komandant Hasan Hysua.
2. Në Dukat u formua çeta me komandant Maliq Koshenën.
3. Në Drashovic u krijua çeta me komandnat Tasim Bonjakun.
4. Në Topallti u krijua çeta me komandant Neki Salinë.
5. Në Kudhës u krijua çeta me komandant Beqir Skëndon.
6. Në Gorisht u krijua çeta me komandant Shahin Nuredinin.
Mbas krijimit të këtyre çetave u formua grupi me komandant Hysni Lepenicën”.
(Arkivi MPB, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, Drejtoria e II, V. 1954, D. 28, f. 15).
Sigurimi i Shtetit që ka hartuar historinë e Ballit Kombëtar, është bazuar në dëshmitë e luftëtarëve të asaj kohe nga Vlora. Qëllimi i hartimit të kësaj historie ishte që të evidentoheshin dhe të ndiqeshin ish ushtarët dhe komandantët e Ballit Kombëtar me qëllim që t’i kalonin në gjyqet e tyre qesharake. Sidoqoftë historia e tyre pa dashje ka pasqyryar aktivitetin antifashist të BK të Vlorës që në fillim të vitit 1942, nën komandnën e Hysni Lepenicës dhe kjo është arsyeja që ne i referohemi.
Prof. Paskal Milo e pranon se “Në shtator të vitit 1942 në Vlorë në malin e Tragjasit u krijua nga Hysni Lepenica çeta e parë nacionaliste. Me gradën ushtarake kapiten, ish anëtar i Grupit Komunist “Zjarri”, deri në fund të vitit 1941, nënprefekt në Himarë, Hysni Lepenica kishte më tepër bindje liberale që anonin nga socialdemokracia. Ka qenë i prirur për të bashkëpunuar me komunistët e për të gjetur kompromise. Çetat e vitit 1942 nuk ishin orjentuar ende në pozicione politike kundërshtuese të hapura”.
(Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëll. I, Tona, Tiranë 214, f. 218).
Ndërsa Isuf Luzaj shkruan në kujtimet e tij: “Kur dola nga burgu Ali Këlcyra më caktoi të shkoja anëekënd Shqipërisë për të organizuar rininë kundër Italisë. Ishte maj i vitit 1942. Partia Komuniste kishte formuar çetat, por nuk ishte futur në aksion.Priste urdhërat nga Beogradi. Më vonë u formuan çetat e Ballit Kombëtar. Komandant u emërua Hysni Lepenica dhe këshilltar i tij Skënder Muço…
Me urdhër të Mid’hat Frashërit dola ilegal më 13 tetor 1942. Me urdhër të Ali Këlcyrës vajta në Himarë të nxirrja ilegal Hysni Lepenicën, nënprefekt në Himarë. Mbas dy ditë bisedimesh e binda Hysni Lepenicën të linte përfundimisht prefekturën për një mbledhje në Peshkëpi në shtëpinë e Abdul Kuçit. Ishin në mbledhje: Aristidh Ruci, Doktor Vasili Dhimitri, Sabri Mezini, të tre qytetar të Vlorës. Erdhën në mbledhje: Skënder Muço, Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha nga Tragjasi, Rrapo Metua nga Vranishti, Hasan Hysua nga Velça, Xhevit Hyseni e Sulo Shehu nga Sevasteri, Mane Aliu nga Shkoza, Shahin Nuredini nga Gorishti, Neki Saliu nga Oshtima, Hamdi Çeprati nga Çeprati, Neki Tahiri dhe Hysen Çobua nga Trevëllazëri.
U lexua dhe u betuam me formulën e Dekalogut të shkruar në Contona d’Arezzo nga Ali Këlcyra, Isuf Luzaj dhe Ali Agolli nga Dibra. Ky Dekalog u transformua më vonë nga Thoma Orollogai me kërkesë të Mid’hat Frashërit dhe Faik Qukut. U formua:
Komiteti Krahinor në qytet me: Aristidh Rucin, Abdul Kuçin, Sabri Mezinin dhe Tahir Hoxha e Bego Gjonzeneli.
Komandant i çetave: Hysni Lepenica.
Këshilltar politik: Isuf Luzaj dhe Skënder Muçua.
Për përgatitjen e popullit në luftë kundër italianëve u ndanë zonat kështu: Tragjas, Dukat, Radhimë, Tërbaç, Vranisht, Kallarat: Skënder Muçua. Bolenë, Smokthinë, Vajzë, Kudhës, Gorisht, Topallti: Isuf Luzaj”.
(Isuf Luzaj “Ditari i përpjekjes”, dorëshkrim ruhet nga fëmijët e Isuf Luzaj në Çikago – SHBA; Gazeta “Illyria”, Chicago – Illinois. 27-29 maj 1993).
Edhe komunistët në mënyrë indirekte e pranojnë formimin e çetës nga Hysni Lepenica e në vjeshtën e vitit 1942, kështu ish koloneli komunist Tahir Voshtina (1922 – 2003) nga Ballshi Mallakstrës, pra njohës i mirë i qarkut të Vlorës, partizan që nga viti 1941, pra njohës i mirë i zhvillimeve
të luftës në qarkun e Vlorës shkruan: “Në vjeshtën e vitit 1942, Hysni Lepenica krijoi çetën e parë nacionisliste në qarkun e Vlorës dhe kryen një sër luftimesh gjatë gjithë periudhës 1942-1943, disa prej betejave në bashkëpunim me forcat partizane”.
(Gazeta “Veterani”, Tiranë, dt. 16 – 31 marë 2003, f, 2).
Më tutje komunisti Sami Kapaj nga Gorishti në krahasim me shpifjet e falsifikimet e partisë së tij ka bërë një hap përpara duke dëshmuar për krijimin e çetës së Hysni Lepenicës: “Në rang qarku të Vlorës nacionalistët kishin formuar një çetë të armatosur …cila vazhdoi të ishte e tillë,si çetë e Ballit”
(Sami Kapaj “Përmes patriotizmit dhe atdhedashurisë gorishiote”, Toena, Tiranë 2003, f. 97).
Pra komunisti Sami Kapaj e pranon se çeta “Shqiponja” e Hysni Lepenicës është formuar sipas tij para nëntorit të vitit 1942, sepse komunistët pranojnë si datë themelimi të organizatës së BK nëntorin e vitit 1942.
Çeta “Shqiponja” nën komandën e Hysni Lepenicës dhe Skënder Muços do të bënte disa beteja kundër pushtuesit të vendit, në qarkun e Vlorës.