Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Flutura e purpurt

 Lilit

“E zeza është ngjyrë”, thoshte Matisse,

Abedin Dino pikturonte dikur

tulipanë të zinj në fllad vjeshte.

Këtë pasdite tetori,

çuditërisht okra e perëndimit ka një tjetër ngjyrë veluri.

Gjithçka merr ngjyrën e të zezës,

me kumbimin e një honi të pafund.

Ditë tetori të zeza pa peshë, pa frymë,

në oborret e botës trëndafilat janë të zinj,

me qiej të errët pis mbi krye

dhe një shpirt që endet në humbëtirë,

ku trupi fundoset ngadalë

si një Titanik në zhytjen e fundit…

Papritur një flutur e purpurt më shfaqet,

tek ngrihet e rreh flatrat pa zhurmë,

në këtë botë memece, pa gravitet.

Është flutura e dikurshme,

që kërkon të hapë qepallat e tua

të të marrë për s’dihet ku…

Motra…

Reja mbi kokë

mali mbi shpinë

dielli në gjoks

lulet e dashurisë

dhe hëna që të humbet papritur

e ti rend për ta kërkuar atë

në të zezën e natës

si në përrallën e gjyshes së vdekur

gjer në fund të botës.

Veç dy sy të mbeten në hapësirë

dhe puthja e ballit që të përvëlon…

motra, një gjysmë hëne

një gjysmë diell.

Një “adagio” për motrën time

Thuamë motra ime, folmë,

tej kësaj heshtjeje të gjatë,

jepmë një shenjë që sërish të vish tek unë

si dikur në prag dasme,

para se të shkoje në lëndinat e gjelbra,

para se të vrapoje nën dritën e bardhë,

jam gati të jap gjithçka nga jeta ime,

nga gjaku, zemra, sytë, shpirti

në këto ditë të hidhura vjeshte

ku gjithë pyjet e zverdhta më përplasen mbi sy

më rrëzohen plot zhurmë me ofshamë dhe vajin pa zë

kur kraharori yt ngrihet e ulet me ngulm

në kërkim të jetës

në kërkim të frymës,

pjellës sate dhe dashurisë

kur sytë e tu të përhumbur heshtin

nën borën e ftohtë të neoneve

kushedi në ç’hone e zhgjandër

kushedi në ç’bregore e lëndina udhëton

symbyllur në këto ditë e netë kaq të gjata

ku bota të rëndon plumb

ku akrepat e këputur të kohës nderen pezull

mbi frymën tënde, timen, të bijve të tu

në pritjen e pafund.

Folmë motërza ime, një pëshpërimë…

ç’mund të të jap tani veç frymës

bashkë me kujtesën e përkorë të jetës sonë

që të mund të shohësh agun përsëri

dhe vezullimet e kësaj bote që ende nuk të është shuar?

Do doja që të gjithë të luten sot për zgjimin tënd

miq, të dashuruar apo të dhimbur nga dashuria

kalimtarë, endacakë, lypës

nën degë ullinjsh që drithërojnë të gjelbrën

dhe qiellin që pikëlon në rruazat të shndritshme

në lot që s’duan të bien

mbetur pezull nën kubenë qiellore

si gjurmë shenjti,

e mua një mirazh më shfaqet

me qerpikët e tu që lëvizin ngadalë

për të hapur portat e rënda të dritës për shpirtin martir

që të ndjesh sërish aromën e jasminëve dhe të dashurisë

pulsimin e gjakut që të vërshojë në hovet e fundit

me të kuqen e nurit tënd të purpurt.

Me çfarë të të zgjoj motra ime

një himn nga Mozart,

një suite nga Hendel,

një sonatë nga Brahms

në varre do shkoj t’u lutem e t’i zgjoj

vetëm për këtë çast që ka peshën e një jete,

t’u lutem që të ngrihen së bashku me odet më të bukura

Vivaldi jashtë më ngjan se luan “La foglia” për ty

Albinoni në violonçel na fton me një “adagio”,

thuam ç’të pëlqen motërza ime

që kërkon dhe pëshpërit emrin tim në delir,

të thërras vallë zogj, lejlekë, flamandë të kuq

që të ndjesh sërish flladet e rinisë?

Një shenjë motër, vetëm një,

si shenjat e hyjnive

për të hapur qiejt që të mund të të sjellin dritën…

Ti shkoje…

Nën dritën e bardhë të neonit

shtrirë në agoni

ti ngrije duart lart për të ikur si engjëlli

“Dhashë shpirt!” më the ti

ndërsa unë të shihja i plagosur

pa mundur ta ndal ikjen tënde,

Si vallë kështu?

Duar të nderur që dridheshin

që dikur mbi pëllëmbë kishin mbajtur

veç jetë e dashuri,

pjellën dhe dhimbjen e kohës së mbrapshtë

vdekjen e mëmës dhe atit,

shkoje ashtu me duart ngritur

duke shkelur mbi një liqen lotësh…

ti motër,

Hirësia ime,

dashuria ime e gjakut,

gjithnjë e purpurt

në zemrën time mavi

bërë nga plaga e hapur që ende klith

nën zë,

nën qiej të murmë vetmitarë

pa re dhe zogj,

mërmërimë murgu,

pëshpërimë…

Ti shkoje,

më rishfaqeshe dhe ikje sërish

shkisje në botën tjetër pa fjalë

e unë s’dija ç’të bëja

me këtë flutur të bukur dhe flatra që shndrisnin ende

me këtë flutur që më trazonte çdo çast

në natën time të gjatë

në qiejt e botës

dhe këtë humbëtirë të pafund…

20 shtator 2016.

Please follow and like us: