Ramë Lahaj & Genc Tukiçi në Koncertin e AFC-së në Jordan Hall, Boston
Rafaela Prifti
Foto nga Artan Malaj
Sonte në sallën Jordan Hall të New England Conservatory në Boston u dha koncerti i organizuar nga shoqata bamirëse Albanians Fighting Cancer AFC USA me tenorin e nivelit botëror Rame Lahaj dhe pianistin e kompozitorin e mirënjohur Genc Tukiçi. “Të gjitha fitimet nga biletat e koncertit të sotëm shkojnë për të ndihmuar sa më shumë pacientë që i drejtohen shoqatës sonë për ndihmë”, tha Roberta Nashi Panariti, Kryetarja e AFC-së.
E veçanta e AFC-së është se u jep mundësi individëve të gjejnë trajtimin e duhur në klinikat amerikane, krahas lidhjeve me ekspertë të sigurimit shëndetësor për ta lehtësuar ngarkesën financiare. Dhe rrjedhimisht, duke pasur kujdesin e mjekëve të kualifikuar si edhe lehtësimin nga ana financiare, pesha psikologjike dhe emocionale që shoqëron diagnostikimin me sëmundjen e kancerit nuk është më aq e rëndë.
Koncerti shënon mbylljen me sukses të vitit të pestë të aktivitetit të AFC. Edhe pse e re në moshë, Shoqata është tashmë e njohur në komunitet duke kontribuar për trajtimin e më shumë se 220 individëve në një kohë të shkurtër. “Shoqata të tjera kundra kancerit kërkojnë të bashkëpunojnë me AFC dhe kërkesat vijnë duke u shtuar”, thonë organizatorët.
Në sallën e Jordan Hall anëtarët e Bordit të AFC përshëndetën miqtë dhe bashkëpunëtorët, përfaqësues të shoqatave dhe të ftuar të ardhur nga qytete afër dhe larg Bostonit, nga Nju Jorku, Portland, Maine, Nju Xhersi, Florida.
Organizatorët thanë se udhëtimi pesëvjeçar i AFC kulmon në këtë koncert bamirësie me zërin magjepës të Ramë Lahaj dhe arranxhimet origjinale të kompozuara dhe interpretuara nga Genc Tukiçi, në një mjedis elegant dhe klasik. Pas natës së sotme, shoqata e kalon gjithë kontributin e dhënë në Jordan Hall tek pacienti që është në dhomën e mjekut apo në sallën e operacionit, tek një nënë që pret diagnozën e fëmijës, tek mësuesja që përshëndet për herë të fundit klasën e vet, tek një shoqe e fëmijërisë që nuk i përgjigjet më telefonit.
“Kanceri shkurton kohën që kemi me familjarët, me miqtë, me kolegët. AFC e di mirë këtë dhe qëndron krah atyre që luftojnë për jetën,” tha Roberta.
Sponsore gjenerale dhe administratore ekzekutive, Fotini Kokeri, e cila erdhi nga Florida, falenderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi punën e AFC. Mentor Maksutaj, Kryetar i Degës së Vatrës Boston, u kujtoj të ftuarve se Fan Noli ka diplomuar në New England Conservatory në 1938, dhe e quajti të rëndësishëm bashkëpunimin midis shoqatave të komunitetit.
Koncerti i sotëm është i dyti brenda dy viteve i shoqatës AFC USA. Organizatorët shprehën mirënjohje për mbështetjen e komunitetit, shpirtin vullnetar, përkushtimin njerëzor dhe donacionet e mëdha e të vogla.