AGRON ABRASHI, SINONIM I MJEKUT TË PËRKUSHTUAR, I FILANTROPISË DHE PUNËS HUMANITARE
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” organizoi tryezë tematike “Gjakovarët e suksesshëm në botë”
Nga: Blerim Valla
Mes miqve, kolegëve, intelektualëve dhe qytetarëve të shumtë, nga Gjakova e më larg, Shoqata e Intelektualeve “Jakova” ka organizuar tryezë tematike “Gjakovarët e suksesshëm në botë” ku mysafir nderi ishte Dr. Agron Abrashi, mjek i njohur gjakovar që jeton e punon në Zvicër, një qytetar bote që ka si dedikim jetësor, pos mjekësisë edhe filantropinë e humanizmin. Ai njihet si shqiptari i parë nga Kosova që ka hapur ordinancë private mjekësore në Zvicër, ku gëzon një njohje dhe respekt të gjerë nga komuniteti shqiptar atje. Angazhimi i tij për ngritjen e vetëdijes atdhetare e shëndetësore, por edhe ndihmës për Kosovën gjatë dhe pas luftës, ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, duke inicuar dhe udhëhequr projekte të shumta në shëndetësi, kulturë, art, muzikë dhe sport.
Fillimisht kryesia e SHI “ Jakova”, dr. Abrashit, i ndau një mirënjohje të veçantë në shenjë falenderimi për punën dhe angazhimin e tij gjatë gjithë këtyre viteve. Pasi ai mbetet aktivisht i përfshirë në shërbimin e përhershëm ndaj komunitetit, duke frymëzuar shumë njerëz përmes përkushtimit të tij për të përmirësuar jetën si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.
Për punën, angazhimet dhe kontributin e tij të madh, Dr. Abrashi është nderuar me shumë çmime dhe mirënjohje në Kosovë, Shqipëri e anëmbanë botës si psh: Nga Lidhja e Shqiptarëve në Botë, Prizren, 2001; Ambasador i Kombit në Samitin e Diasporës në Tiranë, 2019; Çmimi ‘Miku i fëmijëve’ nga KOMF (Koalicioni i OJQ – ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë) në Prishtinë, 2023; Çmimin ‘Champion for Mothers and Children’, i ndarë në mënyrë solemne në Zurich, 2024, nga shoqata AMC Health, Prishtinë; Medalja: Paul Harris Felow, Rotary International, 2023 etj.
Lidhur me atë se kush është Dr. Med. Agron Abrashi, foli intelektuali i njohur Malush Tullumi në emër të kryesisë së SHI “Jakova”, i cili mes tjerash theksoi: “Agron Abrashi u lind më 1956 në Gjakovë. Ai vitin e fundit të gjimnazit në Gjakovë, e kryen në SHBA në Hayward të Kalifornisë. Ka kryer Fakultetin e Mjeksisë në Universitetit e Prishtinës në vitin 1980. Po të njëjtin vit fillon punën në Gjakovë si mjek në ambulancën e qytetit, pastaj punon si mjek në Qendrën Medicinale në Pulë të Kroacisë. Në vitin 1983 Dr. Agroni merr rrugën e kurbetit për në Zvicër, ku nuk i njihej titulli mjekësor nga Universiteti i Prishtinës dhe iu desh të bëj së pari nostrifikimit të njohurive të tija në Mjekësi. Duke arritur pastaj që të punojë si teknik mjekësor në institucionet për të moshuar në Zvicër, pastaj punon në disa fusha si menaxher i hulumtimeve për kirurgjinë kardiovaskulare ndërkombëtare për Baxter Edwards, Irvine, Kaliforni me seli në Zvicër, pastaj si audit lokal dhe ndërkombëtar për kontroll të cilësisë dhe regjistrimit të prodhimeve të reja kardiovaskulare në Zvicër. Më 1991 çertifikohet si audit i cilësisë së prodhimeve të reja dhe gjatë vitit 1992 deri më 1995, dr. Agroni arrin që të jetë përfaqësues i Zvicrës si ekspert në lëmin e implanteve në Komisionet Teknike dhe Grupeve Punuese në organizatat ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizim) dhe CEN (Organizata Europiane për Standardizim).
Në vitet 1995-1996,e 1997 Dr. Agroni punon si mjek dhe udhëheqës reparti në Qendrën Paraplegjike në Notwil, Zvicër (SPZ) dhe si asistent në praksën e Dr. Edwin Edelmann në Uzwil. Në Institutin Paul Scherrer kryen specializimin për radiologji. Kurse në vitin 1998, Dr. Agroni arrin të hap praksën mjekësore private në Schwanden, si mjek i internos së përgjithshme, si shqiptari i parë në Zvicër që ka hapur ordinancë private! Më 2002 kryen specializimin për Mjekësi të internos së përgjithshme.
Dr. Agroni përkundër sfidave personale dhe pastaj angazhimeve profesionale në Zvicër, nuk ndalon së kontribuari për çështje kombëtare e humanitare. Në këtë drejtim janë të njohura shumë angazhime të tij, si psh vetëm disa nga ato: Inicimin e formimit dhe udhëheqjen e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër; Kryetar i Klubit Rotary në Gjakovë; Anëtar i Bordit të Shoqatës Akcioni për Nëna dhe Fëmijë në Prishtinë (AMC) e shumë të tjera . Dr. Agroni në klinikën e tij private në Zvicër, që nga fillimi i luftës në Ukrainë angazhohet për të dhënë shërbime mjekësore mbi 350 refugjatëve, kryesisht gra dhe fëmijë ukrainas të stacionuar në Kantonin e Glarusit ku Dr. Agroni jeton dhe vepron.
Si i jashtëzakonshëm është angazhimi i Dr. Agronit për çështje të kujdesit të shëndetit për nëna dhe fëmijë, por duke respektuar edhe fazën e tretë të jetës ai u angazhua personalisht, por edhe në cilësinë e Kryetarit të Rotary Klub -it në Gjakovë me disa bashkëpunëtorë, që më 2023 në Gjakovë të hap Qendrën për Kujdesin e të Moshuarve. Në këtë qendër së bashku me disa mjekë japin këshilla mjekësore falas. Dr. Agroni vjen enkas për këtë rregullisht nga Zvicra çdo muaj dhe qëndron për një javë. Gjithashtu po në këtë qendër iu mundësohet edhe mbajtja e tubimeve e takimeve shoqatave të ndryshme si “Ia vlen të jetosh” edhe “Soros Optimist”.
Dr. Agroni është i pasionuar pas udhëtimit dhe gjer më tani ka vizituar mbi 160 shtete anëmbanë botës, një vlerë kjo e shtuar të cilën e ëndërrojmë shumica prej nesh. Dr. Agroni vazhdon të jetoj dhe veproj sa në Zvicër, sa në Kosovë, sa në Shqipëri e në mbarë botën. Lista e OJQ, institucioneve, personave etj, të të gjitha fushave dhe profilesh që kanë përfituar nga donacionet e Dr. Agron Abrashit nga vitet 1990 -2024 është jashtëzakonisht e madhe dhe shtrihet anembanë botës, jo vetëm ata – ato shqiptar – e por edhe të huaja. Ndihmat e tija humanitare janë të një karakteri të veçantë sepse janë të dhuruara nga buxheti i tij personal/familjar. Është e gjatë lista, që nga viti 1990 e deri me sot, e që përfshijnë mbi 60 shoqata, institucione e individë të ndryshëm të cilëve dr. Agroni iu ka ndihmuar në forma të ndryshme, e të cilat kapin vlerën individuale të donacionit prej 200 euro deri në 20.000 euro”, tha në fjalën e tij z. M. Tullumi.
Duhet cekur se në këtë takim, publiku pati rastin të përcjell edhe një ligjëratë interaktive tejet interesante nga dr. Agroni, ku përmes temës, SINDROMI METABOLIK, dr. Agron Abrashi, me një gjuhë shkencore, por shumë të afërt me publikun, trajtoi disa nga problemet që e rëndojnë shëndetin e popullit tonë si mbipesha, yndyra, tensioni i lartë, diabeti etj. Ai në formë bashkëbisedimi, përcolli këshilla profesionale dhe mesazhe konkrete për faktorët e rrezikut, mundësitë e kontrollit, parandalimin dhe tretmanin e Sindromit metabolik.
Këtë takim, si edhe punën e angazhimin e madh të Dr. Abrashit si njeri, si mjek dhe si humanist i madh kudo ku ka punuar dhe jetuar ai, e përshëndetën edhe shumë të pranishëm profilesh të ndryshme. Duhet veçuar me këtë rast znj. Valbona Kastrati, kryetare e Shoqatës “Ia vlen të jetosh”, shoqatë kjo e grave të Gjakovës të prekura nga kanceri i gjirit. Znj. V. Kastrati mes emocionesh, pasi përshëndeti ndihmën e madhe të Dr. Abrashit dhënë grave gjakovare të sëmura nga kjo sëmundje e keqe, mes tjerash falënderoi për mbështetjen e përhershme profesionale dhe financiare që i bëhet kësaj shoqate, nga Dr. Abrashi!
ObserverKult