Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri nuk është budallë! Thjeshtë duhet t’i rregullojnë dorën dhe dozën e Hashures!

Pamflet nga Edmond Kaceli

Qef o qef, që bën dervishi

bukë, raki e thela mishi

(Kushtetuta e HashurRepublik neni nr.1)

-Krijimi i shtetit Bektashi, brenda Shqipërisë zyrtare, vërteton faktin se Toka është e sheshtë!

(Kushtetuta e HashurRepublik neni nr.2)

Italia, të vetmen luftë të vërtetë, pas humbjes së Luftës së II Botërore, e ka bërë kundër shtetit Ishulli i Trëndafilave, krijuar mbi një platformë detare, nga inxhinieri gjenial Giorgio Rosa, e shpallur shtet i pavarur nga Italia në maj të v.1968. Shteti italian ndërhyri me forca speciale dhe i vuri tritolin duke i dhënë fund kështu Republikës Esperantiste prej 400 m2!

Për dijeni të Spiropalit është edhe film “Isola delle Rose”!

Pra siç shihet krijimi i mikroshteteve, brenda shteteve, nuk është një gjë e re! Çdo budallë, ose budallë -gjeni, në secilin shtet të botës, mundet me u çua prej gjumit në mëngjez, e mundet me shpallë krijimin e një shteti në oborrin e shtëpisë së vet!

Në vijim mund të them se ideja për krijimin e një shteti Bektashi në kryqytetin shqiptar është shenjë hyjnore që Baba Tomorri ia shpalli në fillim Edi Ramës e më pas edhe Edmond Brahimaj, (ndryshe Baba Mondit) ndërsa konsumonin një tas me Hashure në Selinë e Kryegjyshatës!

Është hyjnore se iu shpall direkt Gjeniut të Politikës Shqiptare, Karburantit të Satelitëve, Mishëruesit të Skënderbeut, Ndezësit të Inceneratorëve, Krijuesit të Aeroporteve, Ndërtuesit të Urave të Çelikta, Liderit Botëror të Turzimit, Krijuesit të Ballkanit të Hapur… (Me krijimin e Bektashianit të Pavarur thjeshtë: Tash e tutje ndër heroizmat dhe tituj e shumtë onorifikues, i shtohet edhe: Krijues Shtetesh te Pavarura!)

Për të gjithë skeptikët dhe septikët, që kanë vjellë, e vijonë të vjellin, vrer kundër Gjeniut Global gjërat janë më të thjeshta se duken!

Kushtetuta: Kushtetuta nuk shkelet! I japim Baba Mondit, për territor, një nga kullat, psh atë buzë Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë! Ndërsa tokën e mbajmë për vete! Kushtetuta, mbi tërësinë territoriale, nuk shkelet! Republika është e sigurtë!

Çështja Kombëtare: Nuk ndikon negativisht, në Çështjen Kombëtare, fakti se shtojmë numrin e shtetve shqiptare në Ballkan! Ne, spjegon, Gjeniu Final, “rrisim prezencën tonë në OKB! Duke pasë kështu dy shtete brenda Shqipërisë! Në njërin shtet lëmë President kapterr Bajramin, në tjetrin automatikisht bëjmë President Kapterr Mondin!

Kryeministër të Përbashkët e të Përjetshëm lëmë Edi Ramën! Kryeparlamentare kemi Elizën, ministër financash ekstradojmë Ahmetajn, shëndetësinë ia lëmë Beqes…

A do të funksjonojë? Kështu iu mbyllet goja dhe të gjithë atyre që mendojnë se Republika e Hashures, ideuar nga Kryeministri Ynë i Lavdishëm, i Gjithëndritëshm, i Fortlumturueshëm, nuk do të funksionojë!

Po, do të funksionojë njëlloj si të gjitha mrekullitë gjeniale të firmosura prej Tij! Ura e Kukësit, Aeroporti i Kukësit, Aeroporti i Vlorës, Aeroporti i Divjakës, Aeroporti i Vermoshit, Akademia e Çobanëve, Satelitët, Inceneratorët, Anijet e Energjisë Detare, Ballkani i Hapur… e shumë e shumë mrekulli të tjera të realizuara në Epokën e Rilindjes!

Emri i Shetit: Ka pasë ide si Bektashistan, Bektashian, Mondian, Edramian etj. -E quajmë thjeshtë Republika e Hashures e mbyllet ky hesap!

Meqënëse jemi tek Hashurja, kam një lutje për Baba Mondin! Kur konsumoni Tasin me Hashure, bashkë me Gjeniun tonë të Gjithëndritshëm e të Përjetshëm, Mistikun e Math, thjeshtë rregullojani pak dorën dhe dozën hashures se latë nam!

Shënim: Kjo puna e mikroshtetve është, larg qoftë, sëmundje ndërkombëtare! Ja disa, më të spikaturat:

Sealand: Një mikronacion i ndërtuar në një platformë detare kundrejt brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar. Është shpallur i pavarur në 1967. Ka pashaportën dhe monedhën e vet!

Principata e Hutt River -it: Në Australi. Është deklaruar e pavarur nga Leonard Casley në v.1970 pas një sherri me qeverinë australiane!

Republika e Molossia-s: Një mikroshtet i shtrirë në Nevada, USA, themeluar nga Kevin Baugh. Ka ligjet e veta, flamurin dhe valutën e vet!

Principata e Seborga-s: Në Liguria, Itali. Kjo është shpallur e tillë duke u bazuar në dokumenta historikë të periudhës Mesjetare!

Liberland: Deklaruar në v.2015 nga Vít Jedlička, ndodhet në mes Kroacisë e Serbisë, në një pjesë toket pa zot! (E ne ankohemi për Nua Rrokun!)

Meqë doli fjala tek Zoti Toks Nua Rroku, në këtë drejtim edhe shqiptarët janë shquar për krijime të tilla fantastike:

Gjatë periudhës 1912 -1944 janë ndërtuar, gati, një qeveri shqiptare për numër banorësh! Dhe secila e quante veten shtet! Shteti i Vlorës, Shteti i Durrësit, Shteti i Tiranës, Shteti i Shijakut, me në krye Haxhi Qamilin, Republika e Mirditës…

Apo së fundmi edhe Principata e Libofshës, Fier, ideuar dhe mishëruar në figurën e Jarl Alexandre de Basseville që veç Alfred Cako mund të na ndriçojë lidhjen e tij me Shqipërinë!

Baba Tomorr, Kisha e Laçit, Sar Salltik: na mblidhë mendtë të gjithëve pa dallim feje, krahine apo ideje!

Please follow and like us: