Albspirit

Media/News/Publishing

Izraeli fillon një operacion “të kufizuar” tokësor kundër Hezbollahut në Libanin jugor

Ushtria izraelite raportoi për luftime të ashpra të martën në Libanin jugor, pasi trupat e saj tokësore nisën një sulm kundër militantëve të Hezbollahut, në një veprim që paraqet zgjerim të konfliktit në rajon.

Ushtria izraelite i përshkroi veprimet e saj ndërkufitare si “operacione të kufizuara” dhe tha se do të vazhdojë të luftojë drejt përmbushjes së qëllimeve që përfshijnë “rivendosjen e sigurisë në Izraelin verior”.

Gati një vit sulmesh ndërkufitare detyruan mijëra njerëz nga të dyja palët të largohen nga shtëpitë e tyre. Hezbollahu tha të martën se përdori raketa dhe artileri për të shënjestruar ushtarët në disa zona kufitare izraelite.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se Hezbollahu po planifikonte të sulmonte Izraelin.

“Nëse shteti i Libanit dhe bota nuk mund ta largojnë Hezbollahun nga kufiri ynë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta bëjmë vetë këtë”, tha zëdhënësi Hagari në një video deklaratë.

Shtimi i sulmeve ajrore izraelite dhe urdhrat ushtarake izraelite që banorët në Liban të evakuojnë zona të caktuara, kanë zhvendosur të paktën 350,000 njerëz brenda Libanit, sipas Kombeve të Bashkuara dhe numrat pritet të rriten.

Kryeministri i Libanit Najib Mikati, tha të martën se vendi po përballet me “një nga periudhat më të rrezikshme të historisë së tij”.

Agjencia humanitare e OKB-së bëri thirrje të martën për një mbështetje prej 425 milionë dollarësh për të ndihmuar të prekurit nga ajo që e quajti, “përshkallëzimi më i madh i konfliktit që nga Lufta e Libanit e vitit 2006”.

“Dhuna e vazhdueshme dhe përkeqësimi i shpejtë i situatës së sigurisë po rrezikojnë jetën e qindra mijëra njerëzve në të dyja anët e vijës blu (midis Izraelit dhe Libanit)”, tha agjencia në një deklaratë.

Emiratet e Bashkuara Arabe shprehën shqetësimin të martën për “pasojat e kësaj situate të rrezikshme dhe ndikimin në sigurinë rajonale”, ndërsa njoftuan ndarjen e një ndihme prej 100 milionë dollarësh.

Në një bisedë telefonike të hënën vonë me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga Irani, Hezbollahu, Hamasi me seli në Gaza, Houthit me seli në Jemen dhe grupet e tjera të mbështetura nga Irani.

Pentagoni tha se sekretari Austin dhe ministri Gallant “ranë dakord mbi domosdoshmërinë e çmontimit të infrastrukturës së sulmeve përgjatë kufirit”.

“Sekretari ripohoi se duhet një zgjidhje diplomatike për të siguruar që civilët të mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit. Ai dhe ministri Gallant diskutuan rëndësinë e kalimit përfundimisht nga operacionet ushtarake në një rrugë diplomatike për të ofruar siguri dhe qënderueshmëri sa më parë që është mundur”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.

Më herët të hënën ndërsa u pyet nëse ishte i kënaqur me raportet në lidhje me përgatitjet e Izraelit për ndërhyrje në Liban, Presidenti Joe Biden u përgjigj: “Do të jem i kënaqur me ndalimin e tyre”.

“Ne duhet të kemi një armëpushim tani”, tha Presidenti Biden.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me partnerët në rajon dhe në mbarë botën për të çuar përpara një zgjidhje diplomatike që ofron siguri të vërtetë për Izraelin, Libanin dhe lejon qytetarët në të dyja anët e kufirit të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Ndërkohë, Naim Kassem, zëvendës shefi i Hezbollahut, tha në një fjalim televiziv të hënën se forcat e grupit militant ishin “gati nëse Izraeli vendos të ndërhyjë nga toka”. Ai shtoi se “forcat e rezistencës janë të gatshme për çdo përballje tokësore”.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se më shumë se 1,000 njerëz janë vrarë dhe 6,000 janë plagosur në dy javët e fundit. Njoftimi nuk bën dallimin ndërmjet militantëve dhe civilëve.

Hezbollahu theu një qetësi relative përgjatë kufirit pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili shkaktoi luftën në Gaza. Grupi militant thotë se po vepron në solidaritet me Hamasin. Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar Hamasin dhe Hezbollahun si grupe terroriste.

*Disa pjesë të këtij materiali janë siguruar nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

Please follow and like us: