Ambasadorja izraelite në Tiranë: Përgjigjja ndaj Iranit mund të jetë e dhimbshme
Ambasadorja e izraelit në Tiranë, Galit Peleg, tha se sulmi raketor i Iranit në Izrael ka kaluar pa fatalitete. Sipas saj nuk ka pasur viktima në njerëz, ndërsa Izraeli ishte i përgatitur për një sulm të tillë nga Irani.
E pyetur se çfarë do të ndodh tani dhe a do i kundërpërgjigjet Izraeli këtij sulmi, ajo tha se për këtë duhet të presim ndërsa shtoi se Izraeli e ka treguar se di të reagojë “edhe në mënyrë të dhimbshme”.
“Ne sapo përjetuam një sulm iranian. Rreth 180 raketa janë lëshuar nga Irani. Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që sulmohemi nga Irani. Unë po flisja me familjen time në telefon.
Falë Zotit nuk ka pasur fatalitete mbrëmjen e sotme dhe ka sisteme sigurie të cilat kanë arritur të kapin në kohë raketat dhe tanimë gjërat i janë kthyer normalitetit. Zëdhënësi i shtypit, tha se tashmë mund të largohen nga strehat, por duhet të qëndrojnë pranë tyre”,- u shpreh ambasadorja.
E pyetur nëse ishte Izraeli i përgatitur për këtë sulm ajo tha:
“Ne e dinim që sulmet ndaj Izraelit në dy vitet e fundit, nga Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban, ne e dimë që Irani është nga pas. Nuk e di nëse e dinim me saktësi se çfarë do bënin, por iranianët asnjëherë nuk e fshehin synimin e tyre për të sulmuar Izraelin.
Mendoj se ne ishim gati dhe jemi gati. Ata thanë se do e sulmonin Izraelin, u paralajmëruan nga Franca e nga vende të tjera Europiane, por ata zgjodhën të sulmonin, ndaj besoj do jenë të gatshëm të paguajnë çmimin cilido të jetë ai’.
E pyetur se çfarë do bëjë tani Izraeli ambasadorja tha se duhet të presim e të shohim:
“Ne u kemi treguar armiqve dhe botës, se Izraeli di shumë mirë të marrë kohën e vetë e të përgjigjet në mënyrë të përgjegjshme e po ashtu në mënyrë të dhimbshme nëse është e nevojshme. Ne duhet të presim e të shohim”.