Iris Halili: Fjalёkalimi
Më duhej të hapja një llogari, mbrёmё. Jo bankare, jo, por mё duhej tё hapja njё llogari nё rrjetin virtual, njё website, të cilin kisha muaj pa e përdorur e qё ishte bllokuar mё keq se kasafortat bankare. Kujtoja se bllokun e vogël ku mbaj në kujtesë fjalёkalimet, e kisha vënë në vendin e vet, por, nё tё vёrtetё, nuk e gjeta. Filloi sekёlldia dhe ankthi. E mbledh veten shpejt. Bëj të kujtoj fjalёkalimin, për dreq, hiç, sёrish. Dhe kokёçarja filloi nga e para: krijo fjalёkalim të ri, emёr tё ri pёrdoruesi e kështu me radhë, derisa i thirra mendjes e kuptova se, padashur, isha bёrё edhe unё pre e ritualit tё kohës që jetojmë.
S’bёn dot njё hap pa fjalёkalimet në ditët e sotme. Shumë punëve mund t’u shmangesh, por atyre jo. Paradoksi më i madh është se, sa më shumë rritet transparenca e personit tonë në publik falë googlizmit, mediave sociale, GPS-sё, algoritmeve etj., aq më shumë shtohet numri i fjalёkalimeve qё duhet tё mbahen mend. Aq e vërtetë është kjo, sa në SHBA, si për çdo gjë tjetёr, i kanë dedikuar ditën botërore edhe fjalёkalimit, që i bie të jetë e enjtja e tretë e Majit. Duhet t’u gëzohemi kёtyre fjalёve që na ruajnë nga piratёt e rrjetit, apo duhet më shumë t’i pёrçmojmё, pasi na bëjnё tё futemi nëpёr ca kasaforta me shumë kode, por me dyer tё shqyera?
Një ndër pёrvojat që brezi ynë s’e kishte provuar deri kur i kapërceu të 30-at, ishte përdorimi i kodeve tё fshehta. Ne u lindëm e u rritëm pa kode, pa fjalёkalime, se bota jonë nuk ishte e futur nё një valixhe, s’ishte figurё e vogёl, e fiksuar, apo e levizshme nё njё ekran kompjuterik, siç ёshtё tani. Të vegjël, ne kishim vetëm një sekret dhe ky ishte çelësi i shtëpisё që na varej në qafë me spango, por edhe ky ishte njё sekret qё e dinte gjithë familja. Sot, fëmijët kanë fjalё-kode, gjoja të kontrolluara nga prindërit, por shpesh rolet pёrleshen me njёra-tjetrёn dhe kontrolli humbet.
Nuk numёrohen fjalёt qё na duhet tё shpikim e pastaj t’i mbajmё mend, pёr tё kaluar fjalёkalim. Japim e marrim me kёtё gjetje tё re teknologjike e më në fund mendojmё se e kemi gjetur zgjidhjen. A nuk është më mirë tё kemi një fjalёkalim për të gjitha llogaritë?! Të paktën, kёshtu, e mbajmë mend përmendësh. Por, befas, një llogari bllokohet dhe na duhet që të kërkojmё tjetёr fjalёkalim. Këtu fillojnë ngatërresat, harresat dhe çastet që gjithmonë na bëjnë të humbim kontrollin. Shpesh, madje shumë shpesh, ato krijojnë efekte emocionale, sa herë që zёri jo njerёzor i kompjuterit na thotё: “fjalёkalimi juaj s’ёshtё i saktё”, apo “s’ёshtё i sigurt”, “ёshtё shumё i shkurtёr”, “mos je gjё robot?”, etj., etj.
Ndonjëherë mendoj se fjalёkalimi është kthyer në simbolin dhe ironinё më të arrirë të kohëve tona dhe ai padyshim ka një efekt në tru, domethёnё, kur e krijojmë apo e ndërthurim, nuk ka rastësira. Kjo, pasi, bashkë me tё, na duket sikur risjellim nё kujtesё: pёrvoja, dëshira, mall, lutje, humor, data. Përmes shumë fjalёkalimeve që harrohen, apo ndërrohen pa u ngulitur ende në kujtesë, apo ato tё tjerat që sapokrijohen edhe harrohen nё atё çast, janë edhe disa kode tё fshehta që i mbetën kohës. Ashtu, gjoja rastësisht, kёto kode, as nuk i harrojmë e as nuk i ndryshojmë. Për te mos folur më pas për fjalëkalimet që i përdor gjithë familja dhe që ia kujtojmë njëri-tjetrit sa herë ndonjëri nga ne ndihet në siklet!
Në kohën që jetojmë duket sikur edhe marrëdhëniet shoqёrore janë fjalёkalime më vete; tani i krijojmë e mё pas i ndryshojmë. Njerёzit janë bërë të gjithë si fjalёkalimet qё hyjnë e dalin në jetën tonё dhe, befas, harrohen si të mos i kesh njohur mё parё. Ёshtë koha e fjalёkalimeve që na ka bёrë të tillë, apo ne, padashur, kemi krijuar botёn tonё tё ndёrlikuar qё ka nevojё pёr dryna?!
Sёrish, kompjuteri mё thotё se duhet tё vёrtetoj qё s’jam robot pёr tё marr kёtё përgjigje.