Albspirit

Media/News/Publishing

Bajo Topulli për gjuhën shqipe dhe emancipimin e shqiptarëve

Dr. Nikollë Loka

Bajo Topulli, pinjoll i një familje nga paria gjirokastrite, u lind në Gjirokastër, i biri i Ago Fehmi Topullit dhe i Hasijes së Laze Mullait nga Kardhiqi. Më 23 gusht të vitit 1884, në moshën 11 vjeç, i shoqëruar nga vëllai i tij dhe të rinj të tjerë gjirokastritë, u nis drejt Stambollit, ku nisi studimet e tij në një ryzhdije ushtarake të kryeqytetit. Gjatë viteve të shkollimit ra në kontakt me Jani Vreton. Më tej vijoi studimet në idadije dhe përfundoi degën e shkencave të shkollës normale. Më 1893 u emërua mësues i kimisë, kozmografisë dhe “i mbajtjes së regjistrave” në idadijen e Trabzonit. Dy vite më pas u transferua në idadijen e Erzurumit, si nëndrejtor dhe profesor i gjeografisë e shkencave natyrore. Gjatë kësaj periudhe ra në kontakt me një përfaqësues lokal të Shoqërisë Biblike, që u bë shkak të nxiste zellin e veprimit për shqiptarizmin. Ai i dha disa libra të Naim Frashërit, të cilin më pas e Bajua e njohu, kur kaloi nga kryeqytet Stamboll. Naimi e përfshiu në rrjetin e veprimtarëve shqiptarë, duke e rekomanduar te Rauf bej Leskoviku në Selanik. Kur u emërua profesor i idadijes së Selanikut, mbante në dhomën e tij gazeta dhe libra në shqip, asokohe të ndaluara në Perandori. Vëllai i tij, nxënës i shkollës, i lexonte përnatë.

Rritja e vetëdijes kombëtare te shqiptarët bëri që intelektualët dhe borgjezia e re kombëtare të kërkonte të drejta si popull me identitet të veçantë. Nacionalistët shqiptarë i karakterizoi dymendësia rreth fatit të shqiptarëve. Kjo shtresë e kishte diturinë intelektuale, por i mungonte emancipimi. Shkurt, nacionalizmi shqiptar ishte pa shtresë të mesme, kishte tru dhe zemër që ushqehej nga vegjëlia, por pengohej dhe luftohej nga turkoshakët, që në disa raste ishin më të rrezikshëm se aparati shtetëror i një perandorie megallomane që po kalbej nga brenda. Me mundësitë që fitoi lëvizja kulturore kombëtare, me detyrat që shtroheshin për zhvillimin e një veprimtarie të gjerë e të organizuar për zgjimin kombëtar, duke hapur shkolla në gjuhën amtare, duke përhapur në masat e gjera shkrimin e leximin e shqipes, duke shtuar organet e shtypit e botimet e ndryshme, çështjet e lidhura me fjalën e shkruar shqipe merrnin një rëndësi të veçantë. Turqit e Rinj, me programin e tyre nacionalist e kishin forcuar idenë e unitarizmit të Perandorisë Osmane edhe në aspektin gjuhësor, prandaj ky qëndrim i tyre do të binte ndesh me konceptin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Separatistët shqiptarë, në ditët e para të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, theksuan zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes shkollave, me qëllim të ngritjes së vullnetit kombëtar dhe bashkimit të popullit. Intelektualët shqiptarë, në çdo rast, bënin kërkesa tek autoritetet osmane për çështjen e gjuhës amtare dhe hapjen e shkollave” (Alpan,1979: 9-10).

Elitat shqiptare e dinin mirë faktin se emancipimi kulturor në shkallë të gjerë mund të arrihej vetëm pas zhvillimit të sferës publike dhe të strukturave të shoqërisë civile, me themelimin e shoqatave patriotike dhe kulturore. Intelektualët shqiptarë fillimisht formuan shoqëri sekrete ose zyrtare, komitete dhe klube për të hulumtuar tema të tilla si gjuha shqipe, kultura, historia, etj., botuan gazeta, organizuan kongrese dhe konferenca dhe u përqëndruan në aktivitete kulturore. Por, me kalimin e kohës, ata dëshironin autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë përmes komiteteve. Në kongreset dhe konferencat e mbajtura jashtë vendit nën udhëheqjen e këtyre shoqërive, ata u përpoqën të promovonin praninë kombëtare shqiptare dhe grumbulluan para për aktivitetet kombëtare. Nga ky këndvështrim, shoqëritë shqiptare, kongreset dhe shtypi i tyre jo vetëm që kryenin aktivitete kulturore, por gjithashtu kryenin edhe vepra të rëndësishme për arritjen e qëllimeve politike (Nafiz-Kiramettin,2007, 32). Këto shoqëri dhe komitet zakonisht vepronin jashtë vendit, kurse ato të formuara në Stamboll nuk mbijetuan shumë, për shkak të presioneve. Qëllimi i themelimit të komiteteve shqiptare në fillim ishte krijimi i një ndjenje dhe një uniteti kombëtar midis vetë shqiptarëve (BOA, Hariciye Nezareti Siyasi (HR.SYS), 125 / 47). në nëntor të vitit1905, kur Bajua ishte nëndrejtor në shkollën e mesme osmane, u formua Komiteti i Fshehtë për Çlirimin e Shqipërisë. Anëtarët e këtij Komiteti ishin: Hali Bej, shef i Shërbimit Farmaceutik të Korparmatës së Tretë; Fehim Bej Zavalani, pronar tokash nga Kolonja; Bajo Topulli, mësues, nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit; Gjergj Qiriazi, mësues, përkthyes në Konsullatën Austro-Hungareze në Manastir; Dr. Sejdedini, veteriner i qytetit (Skëndi,1967:207-210). Komiteti hartoi Kanonizmën e vet. Në nyjën (nenin) e parë të saj thuhet se “qëllimi i këtij Komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë që të mbjellin mendime për mbrothësinë e kombit dhe shpëtimin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.

Komiteti i fshehtë i Manastirit shtronte kërkesa si: njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare për t’u përdorur në punët administrative dhe shkollat; punësimi i nëpunësve shqiptarë në gjeografinë shqiptare, etj.; mbrojtjen e krahinave të Rumelisë nga njësitë ushtarake të përbëra nga shqiptarë. Në rregulloret e tij synohej “rigjallërimi i Shqipërisë”; “luftimi kundër rrezikut që rrethon Shqipërinë”. Meqenëse mjeti i parë për qytetërimin e një kombi është gjuha, detyra e çdo anëtari ishte të ndihmonte të tjerët, për t’u ndriçuar mendjen dhe për të pasur dashuri më të madhe për atdheun”(Emini, 2024; Olgun, 2018: 129).

Është e vërtetë se gazeta Drita e Shahin Kolonjës, që Bajo Topulli ndoshta e ka lexuar në Manastir, kishte nisur një fushatë, pas vrasjes së priftit Papa Kristo Negovani, duke denoncuar përgjegjësinë e Greqisë dhe të kishës greke, të akuzuar për barbari dhe egërsi. Gazeta kishte kontribuar në ngritjen e Papa Kristos në rangun e dëshmorit të gjuhës dhe të kombit. Redaktori i saj i shtynte lexuesit të hakmerreshin për këtë ngjarje(Clayer, 2005). Anëtarët e Komitetit shqiptar donin të shprehnin publikisht “solidaritetin kombëtar” përmes “hakmarrjes”, duke shfrytëzuar të Drejtën Zakonore Shqiptare. Megjithatë, ky solidaritet ishte më i dukshëm, pasi ndodh përtej kufinjve fetarë (Clayer, 2005). Vrasja e Peshkopit të Patrtriarkanës, Fotit, më saktë e përfaqësuesit më të lartë të hierarkisë kishtare ortodokse në qarkun e Korçës, sigurisht që ka një karakter inaugurues. Me të në skenën politike u shfaq mobilizimi klandestin shqiptar që sapo ishte formuar pak muaj më parë. Mesazhi u drejtohet autoriteteve osmane, të cilat akuzohen se nuk garantonin drejtësi. Ai i drejtohet edhe Patrikanës së Stambollit dhe hierarkisë ortodokse, pa harruar autoritetet shtetërore greke, të akuzuara për bashkëpunim të ngushtë me këtë hierarki. Por, kjo është dëshmi e një angazhimi që mund të çonte në dhunë; një mesazh drejtuar popullatës së rajonit në tërësi. Për ata që dëshironin të bashkëpunonin me hierarkinë patriarkiste “progreke”, do të thoshte se, meqenëse ky autoritet është prekur, mund të preken edhe të gjithë ata që ndjekin linjën e saj. Të tjerëve ai u tregoi se prej atëherë solidariteti në mes të myslimanëve dhe të krishterëve, brenda kombit shqiptar, është një gjë konkrete dhe prandaj kufiri fetar nuk mund të pengonte në asnjë mënyrë ekzistencën e këtij kombi. Komiteti organizoi edhe ekzekutimin e “Bimbashit”-komandantit të xhandarmerisë në Gjirokastër, me 9 mars 1908.

Bajua bashkëpunoi me lëvizjen xhonturke dhe pati ndikim në shpalljen e Monarkisë Kushtetuese (Olgun, 2018: 129). Pas ngadhënjimit të revolucionit xhonturk e deri në pranverën e vitit 1909, duke shfrytëzuar liberalizmin e jetës shoqërore dhe politike, patriotët shqiptarë u angazhuan në hapjen e klubeve dhe të shkollave shqipe, nxorën shumë gazeta dhe revista shqipe që i dhanë hov zhvillimit të arsimit dhe kulturës kombëtare, e krahas me të, edhe ngritjes së vetëdijes kombëtare (Rrahimi, 1969:13). Në veri themelimi i klubeve ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Në Kosovë ka pasur persona, të cilët ende besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Vetëm në Shkup u bë e mundur të krijohet një klub, prandaj nga Selaniku u dërguan dy patriotë të zotë: Bajo Topulli dhe Shahin Kolonja. Ndryshe nga qytetet e tjera veriore, Shkupi ishte i ndikuar nga idetë kombëtare, me klubin ku drejtues ishin: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani dhe Nexhip Draga(Skëndi, 1967:348).

Patriotët shqiptarë, duke vënë re se kishte vështirësi në hapjen e shkollave shqipe, bënë përpjekje për të përfshirë mësimin e gjuhës shqipe në sistemin shkollor shtetëror, si në shkollat turke, ashtu edhe në ato greke, që ishte hapi i parë drejt kthimit të shkollave fillore në kombëtare. Në fund të 1908-s dhe në fillim të 1909-s, mësimi i gjuhës shqipe u fut edhe në gjimnazin turk të Manastirit dhe në shkollat shtetërore të Gjirokastrës, ndërsa në Korçë e në Kolonjë, Qeveria e ndaloi futjen e gjuhës shqipe, por atëherë shkollat turke dhe greke të qytetit u bojkotuan nga nxënësit shqiptarë (Kaceli, Dobruna, 1919:105), që ishin shumica dërmuese. Një arritje e rëndësishme e shqiptarëve të Kosovës ishte futja, në fund të vitit 1909, e gjuhës shqipe në gjimnazin turk të Shkupit, ku, sikurse theksohet në dokumentet e kohës, një meritë të veçantë pati edhe “prijësi i njohur i lëvizjes kombëtare, Bajo Topulli, i cili ndodhej në atë kohë në Shkup (AIH -VJ. 18-54567).

Bashkimi kombëtar rreth gjuhës së përbashkët nënkuptonte dhe krijimin e një alfabeti të përbashkët, në mënyrë që të gjitha botimet në shqip të lexoheshin pa pengesa nga të gjithë shqiptarët. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë nga treva të ndryshme ku jetonin shqiptarë, që përfaqësonin 23 klube dhe shoqëri kulturore shqiptare, ndërsa të drejtë vote kishin 32 prej tyre. Delegatë të Kongresit ishin gjuhëtarë, shkrimtarë, publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë nga treva të ndryshme shqiptare si: Elbasani, Tirana, Librazhdi, Berati, Vlora, Gjirokastra, Janina, Korça, Kolonja, Leskoviku, Manastiri, Ohri, Resnja, Kërçova, Shkupi, Mati, Dibra, Shkodra, si dhe nga diaspora arbëreshe në Itali e shoqatat atdhetare në emigracion: Rumani, SHBA, Bullgari, Turqi (Osmani, 1999:461-496). Për të shqyrtuar me kujdes të gjitha propozimet dhe për të arritur në zgjidhje të mira e funksionale, në ditën e tretë të punimeve, Kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarësh, të kryesuar nga Át Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar (Osmani, 1999:461-496), ndër të cilët dhe Bajo Topulli. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit u bë me votim të fshehtë. Komisioni vazhdoi punën në datat 17-19 nëntor 1908, me fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje (Osmani, 1999:461-496). Pas Shpalljes së Pavarësisë, për 15 vjet Bajua jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925, ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar Bashkie, i cili, edhe pse i sëmurë, e drejtoi për tri vjet me radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, që lanë gjurmë dhe u bënë traditë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër(Kaja, 2021). Bajo Topulli mban dekoratën e lartë “Hero i Popullit” për kontributin e jashtëzakonshëm në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi. Emrin e tij mbajnë disa rrugë: në Tiranë, Gjrokastër, Prishtinë, Gjakovë; një shkollë në Gjirokastër mban emrin e tij.

Please follow and like us: