Gjergj Erebara: Sytë mbi Komisionin “Xhafaj”
Diplomacia perëndimore i dha disa mesazhe shumë të prera shumicës socialiste gjatë dy ditëve të fundit në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë, nevojën për të respektuar pa diskutime vendimet e Gjykatës Kushtetuese si dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, shoqëruar këto me disa leksione elementare mbi shtetin e së drejtës dhe parimin e ndarjes dhe kufizimit të pushteteve në sistemet qeverisëse të demokracisë liberale.
Këto zhvillime duket se vënë në pah shqetësimin e partnerëve në lidhje me sjelljen e shumicës parlamentare socialiste si dhe veprimtarinë e komisionit parlamentar për “reformat” nga njëra anë dhe komisionit parlamentar për “disinformimin” nga ana tjetër.
Të dy komisionet, nisma të Partisë Socialiste, janë nën vrojtimin e aktivistëve vendës, por edhe të ambasadave të huaja nën dyshimin se nën qëllimet e tyre të shpallura, lufta kundër dizinformimit dhe reformat anti-korrupsion, qëndrojnë qëllime jo kaq pozitive nga maxhoranca, të tilla si lufta kundër lirisë së shprehjes apo ushtrimi i presioneve ndaj institucioneve të drejtësisë, të cilat, për herë të parë në historinë e vendit, kanë mundësinë që, jo vetëm të funksionojnë të pavarura nga pushteti politik, por edhe të kryejnë funksionin e tyre kontrollues dhe kufizues të dy pushteteve të tjera, ligjvënësit dhe ekzekutivit.
Në një takim që kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pati të enjten me krerët e institucioneve të pavarura, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i tha në mënyrë paksa tepër të prerë në krahasim me gjuhën e zakonshme diplomatike se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ajo” dhe se “për reformën në drejtësi parlamenti mund të luajë një rol kyç për mos kthimin pas të këtyre reformave.”
Gonzato theksoi në fjalën e tij nevojën që marrëdhëniet mes degëve të qeverisjes të kryhen duke marrë parasysh kriteret kushtetuese “të kontrollit dhe balancave”.
Mesazhi i Gonzatos u pasua nga mesazhe të ngjashme nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abott dhe ai i Holandës, Reinout Vos.
Para mesazheve për Spiropalin, Gonzato pati një mosmarrëveshje më të qartë me deputetin Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”. Mosmarrëveshja në mënyrën e konceptimit të rolit të shtyllave të ndryshme të qeverisjes në shtetin e së drejtës u shfaq në komentet që Xhafaj bëri në një takim në të cilin Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, një organizatë, prezantoi një studim mbi punën e SPAK.
Xhafaj u shpreh i pakënaqur me punën aktuale të sistemit të drejtësisë dhe konsideroi si të pamjaftueshme raportimet vjetore që institucionet e drejtësisë bëjnë në parlament.
“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendimmarrje nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën”, deklaroi Xhafaj, ndërsa bëri thirrje për “bashkëpunim dhe harmonizim” të punës së tre shtyllave të qeverisjes, pra legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Në këtë pikë, Gonzato bëri një ndërhyrje shtesë e cila në fakt përbënte edhe një formë leksioni.
“Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur,” tha ai. “Kritere të tilla si llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren në kurriz të pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshme të institucioneve të drejtësisë për të rritur këto dy cilësi.”
Gonzato sqaroi më tutje se thirrja që i bëhet parlamentit nga Raporti Screening për të rritur rolin e tij mbikëqyrës, “nuk do të thotë ndryshim të balancave dhe kufizimeve aktuale apo ndryshim të hierarkisë mes institucioneve të ndryshme.”
Sepse në fakt, të tre shtyllat e qeverisjes, në sistemet e demokracive liberale si këto tonat, nuk janë konceptuar që të jenë “në harmoni” me njëra-tjetrën, siç sugjeron Xhafaj dhe as që të jenë nën ndërvarësi. Sepse në fakt, funksioni i tyre është kufizues dhe balancues dhe i mëvetëm. Me pak fjalë, është parlamenti ai që kontrollon ekzekutivin dhe është gjyqësori ai që kontrollon si ekzekutivin ashtu edhe ligjvënësin në mënyrë të pavarur prej tyre dhe në shërbim të të drejtave ligjore.
Komisioni Xhafaj u krijua nga shumica socialiste si një instrument me mandat trevjeçar për të reformuar vendin. Ndërkombëtarët nuk janë shprehur parimisht kundër, e madje kanë sugjeruar se një komision i tillë mundet me të vërtetë të ndërmarrë nisma të vlefshme për të luftuar korrupsionin “me mjete administrative”, pra, që abuzimi me pushtetin në sektorin e ekzekutivit dhe jo në sektorin e gjyqësorit sepse parlamenti nuk mundet dhe nuk duhet të ketë ndikim mbi këtë të fundit.
Në fakt komisioni deri më tani ka prodhuar disa dokumente e diskutime të cilat mund të shikohen këtu: Link. Për shembull, procesverbali i mbledhjes së datës 26 korrik, mbart diskutime shumë teorike për pjesën dërrmuese të çështjeve nga të gjithë deputetët socialistë, të cilët, siç rezulton nga procesverbali, janë ndarë në grupe dhe po shqyrtojnë raportet e ndryshme të ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Diskutimet janë me të vërtetë në rang shumë teorik deri nga fundi i dokumentit. Për shembull, deputeti Braçe flet për nevojën për të reformuar “institucionet kundër korrupsionit”, të cilat ai i cilëson si “të korruptuara” dhe “të pareformuara që prej 34 vjetësh”, por nuk flet konkretisht nëse e ka fjalën për ndonjë institucion të caktuar. Ndërsa deputeti Toni Gogu flet për nevojën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga teknologjia, sepse, tha ai, bota rrezikon një “diktaturë digjitale”.
Pas këtyre diskutimeve shumë teorike, në fund të mbledhjes, deputetja Bushka bëri të ditur se stafi i kuvendit ka përgatitur tashmë një projektdokument, i cili ka të bëjë me një analizë të reformës në drejtësi. Me pak fjalë, ndërsa emri i madh dhe gjithëpërfshirës “për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian” mbart kryesisht diskutime teorike, akshe akshe, tërësisht të pakuptimta, pjesa e reformës në drejtësi është ajo që bart diskutime më praktike, me dokumente sakaq të përgatitura dhe me objektiva ku e ku më të qarta se sa pjesa tjetër.
Dhe ndryshe nga ku i shkon gjuha socialistëve, ambasadori Gonzato u sugjeroi atyre të merren me çështje më praktike, korrupsionin në sektorë më të ndjeshëm për jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas Gonzatos, puna duhet të fillojë “për të marrë masa konkrete parandaluese në sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit, ku masat kundër korrupsionit kanë pasur deri tani një ndikim të kufizuar, dhe listoj këtu infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat pronësore, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike, partneritetet publik-privat, etj”.