Albspirit

Media/News/Publishing

Bektashizmi nuk ka nevojë për shtet. Deliri i madhështisë, Po

Dimitris Christopoulos – Panteion University

Befas të gjithë po merren me bektashinjtë. Në Shqipëri, në Greqi e më gjerë – edhe faqja e parë e New York Times (23.9.2024). Sigurisht që titulli “Shqipëria planifikon një shtet mysliman” nuk është aspak ai që do të donte Edi Rama. Me siguri që tjetër gjë shpresonte dhe jo të provokonte reflekset anti-islamke të Perëndimit. Dhe me të drejtë. Bektashinjtë përfaqësojnë me diferencë besimin fetar më sekular në botën e Islamit dhe më gjerë. Janë produkt i një rryme fetare kombinuese pasi mbështetet në Islamin Shiit, duke përzier praktikat e shkollave të mendimit që shtrihen përtej Islamit duke prekur si Ortodoksinë ashtu edhe  filozofi të tjera.

U përndoqën nga Islami sunit ashtu dhe nga Ataturku si heretikë. Deri në një farë mase lidhen me traditën fetare alevite të miliona besimtarëve në Turqi. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimi i fundit nuk është produkt i ndërhyrjes turke, ashtu siç prezantohet në mediat greke, pasi bektashizmi përplaset me traditën dominuese sunite. Pas rënies së socializmit, bektashinjtë u rishfaqën në të vetmin vend në të cilin kishin mbijetuar realisht: në Shqipëri. Bektashizmi historikisht ka kontribuar në mënyrë thelbësore në formimin e idesë kombëtare shqiptare, laiciteti i së cilës ishte pothuajse e vetmja rrugë. Kombi shqiptar është i vetmi komb ballkanik që nuk e gjeti tharmin e tij në fe. Dhe si do kishte mundësi të ishte ndryshe ? Nëse do të zgjidhte Islamin që është feja e shumicës së shqiptarëve, atëherë vështirë se do të distancohej nga otomanizmi dhe më vonë nga Turqia. Nëse do të zgjidhte Ortodoksinë, atëherë do të ishte akoma më e vështirë të përcaktonte distancën  nga ortodoksia greke. E shkruaj këtë sepse ekziston, dhe po kultivohet një perceptim se shqiptarët janë  jofetarë nga natyra. Asgjë nuk është “nga natyra“. Historia i shpjegon të gjitha.

Bektashizmi pra është laik në kuptimin që është i sekularizuar, por nuk është aspak laik në kuptimin e prezencës publike dhe socializimit. Bektashizmi është shumë më tepër një botë e induktimit personal sesa e adhurimit kolektiv publik. Ndryshe nga tri drejtimet e mëdha monoteiste (Judaizmi, Krishtërimi dhe Islami) Bektashizmi nuk njeh indoktrinim. Fëmija e besimtarit nuk pagëzohet në lindje, por induktohet nëse e dëshiron. Më kujtohet si tani surpriza e një studenti të dashur shqiptar, me të cilin udhëtuam së bashku në Gjirokastër dhe vizituam një teqe të qytetit (“teqeja”, natyrisht, është vendi i kultit dhe jo ajo që u shkon në mendje shumicës). Vetëm atëherë e kuptoi se babai i tij ishte bektashi, diçka që nuk e kishte kuptuar prej kaq shumë vitesh.

Pikërisht mbi këtë traditë të tolerancës së shekullarizuar dhe traditës së fortë bektashiane në Shqipëri, u mbështet Edi Rama kur shpalli themelimin e shtetit bektashi me qendër në Tiranë, duke shkaktuar habi, konfuzion e deri bezdi si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, por  dhe në Shqipëri. Si rezultat, teoritë e konspiracionit po dominojnë pasi lideri fetar i bektashinjve shqiptarë akuzohet zyrtarisht nga Turqia për marrëdhënie të fshehta me Izraelin, ndërsa si e djathta shqiptare ashtu edhe aktorë të tjerë janë shprehur kundër.

Nga ana tjetër, nuk janë të paktë ata që besojnë te krijimi i këtij mikro-shteti në Tiranë si një lloj diplomacie e butë do të përmirësojë më tej pozitën e Shqipërisë në skakierën ballkanike. Sepse, natyrisht, arsyeja pse Rama shpalli ngritjen e shtetit bektashi në zemër të Tiranës nuk është kujdesi  për bektashinjtë shqiptarë, të cilët nuk e kishin pretenduar kurrë një gjë të tillë – as që e kishin menduar, që të jemi të saktë. Nëpërmjet këtij veprimi shpresohet që të tregohet se Shqipëria, deri dje e prapambetura e Ballkanit, është në gjendje të materializojë nisma të mëdha dhe të konsiderohet nga mbarë bota si një metropol tolerant, jo vetëm i diasporës shqipëtare, por edhe i bektashinjve anë e mbanë botës, si shqiptarë ashtu edhe të kombësive të tjera.

Megjithatë një shprehje thotë që “mbathjet e mëndafshta kanë nevojë për prapanica të mëndafshta”, me kuptimin që arritja e qëllimeve të mëdha nënkupton edhe ekistencën e mundësive për t’i materializuar këto qëllime. Krijimi i një shteti, akoma edhe në rastin e një mikro shteti, nuk është një çështje e thjeshtë për Evropën, edhe në qoftë se e vendos Kryeministri i vendit që do ta “mirëpresë”.

Premtimet për financim, që me siguri ka marrë kryeministri shqiptar, mesa duket nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar që një lajm i tillë të kthehet në një fishekzjarr. Megjithatë, është e vërtetë që vitet e fundit diaspora shqiptare, kryesisht në SHBA, ka financuar bujarisht ndërtimin dhe rinovimin e teqeve bektashiane, duke rezultuar në ndërtimin e ndërtesave të mëdha dhe madhështore që, të paktën në sytë e mi, nuk i përshtaten traditës bektashiane. Shembull është teqeja e stërmadhe e Abaz Aliut, teqeja më e pasur dhe më e madhe në Shqipëri, por jo detyrimisht më e rëndësishmja nga ana shpirtërore.

 Rregulli është që që shtetet fetare i paraprijnë shteteve kombëtare, dhe në rastet e rralla që ato mbijetojnë me një formë  të kufizuar sovraniteti, kjo bëhet në emër të respektit për vazhdimësinë e pandërprerë të një tradite të gjatë që që ekziston përtej modernitetit: kjo ndodh, me mënyra të ndryshme, si në Vatikan ashtu edhe në Malin e Shenjtë (Mali Athos).

Shtetet fetare nuk janë krijuar për t’i shërbyer qëllimeve diplomatike dhe delireve të madhëstisë së kombeve. Kjo është e vërteta e thjeshtë. Në fund të fundit, çdo gusht bektashinjtë e Shqipërisë ngjiten në malin e tyre të shenjtë mbi Berat, Malin e Tomorrit, territorin e tyre autentik, historik. E bëjnë këtë gjë prej vitesh, duke ndërtuar në këtë mënyrë komunitetin e tyre,  pa patur nevojë për asnjë shtet.

P.S. Nëse dikush dëshiron të marrë një ide për traditën bektashiane në Greqi, mund të vizitojë teqenë e Asprogesë jashtë Farsalës, e cila është vendi më i shenjtë në Greqi për ta. Ky është një vend tronditës adhurimi. Nëse dikush dëshiron të udhëtojë deri në Trakë, destinacioni janë fshatrat pomake në zonën malore të Evros dhe Rodopit.

*Shkrimi është botuar në “News 24/7 The Magazine

Përkthimi: ResPublica

Please follow and like us: