Bledar Koçi: Tre ciganët
Dielli qerpikët përçiku
Poshtë kodrës në fushat matanë,
Shkujdesur, anë një përroi,
Pushonin për qejf tre ciganë.
Njëri mbështetur pas trungu,
Frynte me buzë melodi,
Lodronte me degën e shelgut
Nën rrezet e ngrohta flori.
I dyti, biçakun ndër gishta,
Në dhëmbë skërmiste lastarë,
Si mjeshtër mister i vetvetes
Gdhendte… pa ditur se çfarë.
Flinte a s’flinte i treti
Përhumbur një bote pa fund.
Siç duket në djepin e ëndrrës,
Cigankën e ëmbël përkund…
Hej ç’bukur të tre ia kalonin
Herë heshtur, herë shkrirë në gaz.
Në prehër të nënës natyrë,
Mes ngjyrash shijonin parajsë.
…….
Mbi fushë e kodër mbinë yjet
Përçikën në qiellin pa anë,
Ish ditë që kurrë s’do harroja
Përroit, kur pashë tre ciganë.
Please follow and like us: