Danial Serwer: Serbia ka ndikim mbi Trump!
Profesori amerikan, Daniel Serwer ka bërë një analizë të gjatë rreth qëndrimeve të mundshme të SHBA-së ndaj Ballkanit pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, duke theksuar se pikëpamjet e Kamala Harris për rajonin mbeten të panjohura. Ai parashikon që as Harris, as Trump nuk do të flasin për Ballkanin deri pas zgjedhjeve të nëntorit dhe se do të kalojë kohë para se administrata e re të përqendrohet në këtë rajon.
Sipas Serwer, Harris ka kaluar një karrierë duke ndjekur penalisht kriminelë dhe duke mbrojtur të drejtat e barabarta, çka mund të sugjerojë një qëndrim të ashpër ndaj korrupsionit dhe etnonacionalizmit.
Ndërsa Trump, i cilësuar nga Serwer si i korruptuar, tentoi të ndante Kosovën gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe mund të përpiqet ta bëjë sërish këtë nëse rizgjidhet, përmes njerëzve të tij si Richard Grenell. Ai gjithashtu thekson se Serbia ka ndikim mbi Trump përmes marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve të mundshme që Jared Kushner ka kërkuar në Serbi.
“Pikëpamjet e Harris-it për Ballkanin janë të panjohura. Por ajo ka kaluar një karrierë duke ndjekur penalisht kriminelët dhe duke mbrojtur të drejtat e barabarta. Kjo me gjasë tregon diçka për qëndrimin e saj ndaj korrupsionit dhe etnonacionalizmit. Trump është një supremacist i bardhë i korruptuar që tentoi të ndante Kosovën ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ai pa dyshim do të fuqizojë Grenellin ose dikë të ngjashëm për të tentuar sërish me planin në Kosovë dhe Bosnjë. Serbia ka ndikim mbi Trump. Jared Kushner ka kërkuar mundësi investimi atje”, shkroi Serwer.
Serwer propozon disa hapa për të korrigjuar gabimet e administratës Biden, të cilat kanë çuar në dështime diplomatike në Ballkan. Ai sugjeron bashkëpunim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të forcuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Konsultohuni me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për një plan të përbashkët për të përcaktuar përtej çdo dyshimi sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo duhet të përfshijë ndalimin e intimidimit nga Beogradi ndaj serbëve që i bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare,” shprehet ai.
Ndër të tjera, Serwer rekomandon mbështetjen për një Asociacion të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, por me kushte dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.
“Vetë komunat duhet të formojnë këtë Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtet duhet të përfshijnë përmbushjen nga Beogradi të detyrimeve të tij sipas marrëveshjes në të cilën Prishtina ra dakord për Asociacionin”.
Ai thekson nevojën për transparencë dhe përgjegjësi nga Serbia për incidentet e fundit, përfshirë rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe sulmet ndaj KFOR-it. Serwer kritikon gjithashtu përfshirjen e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje që kundërshtoi vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe sugjeron që SHBA të ngrejë akuza kriminale kundër liderëve serbë dhe kroatë që promovojnë ndarjen etnike në Bosnje.
Ai paralajmëron se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është i përkushtuar ndaj idesë së “botës serbe” dhe ka arritur kontrollin mbi Malin e Zi, ndërsa në Bosnje dhe Kosovë ai mund të ketë sukses vetëm përmes një ndarjeje de facto. Serwer e përmbyll me një thirrje që SHBA dhe BE të veprojnë në harmoni për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Serbi, duke theksuar se një qasje e bazuar vetëm në përkëdhelje ka dështuar.