Ish-drejtori i ISHP-së, Besnik Jakaj denoncon dhënien me koncesion të QSUT
Ish-drejtori i ISHP-së, Besnik Jakaj, thotë se degradimi i sistemit shëndetësor është i qëllimshëm dhe po përdoret për t’i shtruar rrugën dhënies me koncesion të gjithë QSUT. Jakaj tha në MCN TV se një koncesion i tillë ka kohë që përflitet në mjediset e mjekëve e ekspertëve të shëndetit publik dhe përfitues i tij do të jetë një prej oligarkëve pranë qeverisë.
Duke u ndalur te koncesionet në sistemin shëndetësor, ai vuri në dukje konfliktin e interesit që kanë elementë të caktuar të opozitës kur është fjala për të denoncuar në komisionet parlamentare.
Po përgatitet një plan ogurzi për të dhënë me koncesion të gjithë QSUT. Termat e referencës po bëhen për t’ia dhënë njërit nga oligarkët. Degradimi i sistemit nuk është i paqëllimshëm. Është për t’u shërbyer disa oligarkëve të tjerë shëndetësorë. Edhe te Komisioni i Shëndetësisë i opozitës dy koncesione përmenden, i treti jo. Çmimet e ndërhyrjeve vendosen sipas qejfit. Ekspertë dhe mjekë më kanë thënë që ka një alarm të madh sepse po e japin me koncesion.