Albspirit

Media/News/Publishing

Karakteri unik dhe universal i veprave të Ismail Kadaresë

Elda Talka, Marsida Dedja & Blerina Kanxha

Një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare, më i përkthyeri, më i njohuri, më i vlerësuari ndër shkrimtarët shqiptarë. Ka shkruar qysh në rininë e hershme duke u konsideruar si sensacion fillimisht ndër letrat shqipe mandej me të kaluar vitet forcoi figurën e tij si shkrimtar serioz duke sjellë vepra monumentale në gjuhën shqipe. Kadare ka kontribut si në poezi duke rafinuar vargun e duke sjellë një qasje më moderne në poezinë shqipe, po ashtu siç ka kontribut masiv edhe në prozë. Modernizmi është rryma letrare që më së shumti ndërmerr në të veprat e tij, por sidoqoftë ka dhe plot aspekte postmoderniste, kryesisht në veprat në të cilat rikthen mitet, legjendat e baladat.

Një nga mënyrat e preferuara me të cilat ndërshtreson veprat e tij, Kadare, zgjedh një formë të vjetër letrare, një ngjarje të hershme, duke e risjellë duke e mbajtuar ashtu siç është, por duke e zhvendosur në kohë dhe jo në hapësirë, por edhe duke e tjetërsuar në kohë e hapësirë si në rastin e romanit “Përbindëshi”. Në opusin e veprës kadareane “Kush e solli Doruntinën” paraqet romanin enigmë. Ky roman ka një strukturë e cila zhvillohet në disa trajta. Kohësisht, mbivendosen kohët kur ngjarja të cilën e njohim ndodh bashkë me ditët kur hetuesi Stres Balsha zhvillon hetimet e tij. Ngjarja është përtej kufijve të fantastikes. Dyshohet se një i vdekur ka sjellë një të gjallë. I hetuari është një i vdekur. Njeriu që mund të dëshmojë, Doruntina, një nga personazhet më mirë të realizuara, është e hutuar, gjysmake. Kjo situatë e detyron hetues Stresin të shkojë në limite të cilat as që e kishte menduar. Kjo detyrë është e vështirë, për vetë mënyrën në të cilën i shkon si rast,mënyra se si ndërtohet dosja, pra ky rasti i hetimit dhe i gjithë vazhdimi. Shtresimi mitik e bën të rrëzohet ideja se ky është roman policesk, skematik. Në fakt është roman që mban misterin, ritmin e romanit policesk, por që qëndron postmodern pasi e shthur baladën, e shthur historinë famëkeqe më të cilën të tërë njihemi.

Personazhet vijnë me krejt qasje tjetër, të tërë shkojnë drejt digresionit. Për të kuptuar Doruntinën e Kostandin, Stresi shkon pas e më pas në kohë. Doruntina, dëshmitarja e vetme e sigurt në momentet e para është e turbullt e pasigurt dhe më pas vdes pas lënë asnjë dëshmi shteruese e konkrete. Sipas saj, Kostandini e kish sjellë në shtëpi dhe Doruntina duhej besuar për faktin se nuk e dinte që vëllezërit kishin vdekur. Ndërkaq ajo që e shtyn më tej hetimin është nëna. Nëna e Doruntinës e bën krejt të pabesueshëm faktin se Kostandini nuk ka se si të jetë gjallë dhe kurrsesi nuk mund ta kish sjellë Doruntinën. Alivanosja e agonia e saj ecnin në të njëjtin ritëm saç rritej misteri i hetuesit. Ka raporte përpjestimore në vepër të cilat duken sikur plotësojnë një masë muzikore supsensi. E përkryejnë atë. Ndërkaq koha interferon duke e qartësuar fokusin herë tek drama e familjes Vranaj çka dihet dhe herë tek shtojca që e risjell baladën në jetë, te hetimi i ngjarjes. Diç përngjan frojdiane kjo rrimarje pasi Frojdi i trajtonte si paciente personazhet letrarë e ndërkaq Kadare merr në hetuesi një baladë. Shtresimi kuptimor së pari ndikohet nga dëshira për të marrë enigmën dhe për ta zgjidhur. Kjo nuk është një enigmë dosido. Është një enigmë paradoksale. Ndiqet një i vdekur. Ndërkaq hetimet nxjerrin krejt të kundërtën. Një i gjallë e ka sjellë Doruntinën e hidhet hija e dyshimit të shëndeti mendor i Doruntinës. Mos vallë kjo pamje haluçinante ka brenda saj një dramë të thellë? Këto janë dyshimet që ngrihen paralel me leximin e veprës. Koha duke konverguar në mënyra të ndryshme, duke u përthyer, krijon imazhe jo të qarta çka shpie të mendosh se Doruntina ndoshta nuk mban asnjë sekret dhe vuan mendërisht. Vepra është e hapur dhe Doruntina është një karakter mbi të cilin mund të dyshohet në gjithëfarëlloj mënyrash. Një nga ‘problemet’ që sjell mënyra sesi luhet me kohën në vepër është edhe shumëzëshmëria, shumërrëfimtarësia. Çështja shihet nga disa këndvështrime, në tone zyrtare, subjektive, profesionale ndaj dhe klasifikimi i veprës si postmoderniste do t’i shkonte për shtat pasi shthur gjithë atë ç’është ndërtuar mbi baladën. Nuk tenton ta tjetërsojë. Thjesht çon mjedisin në baladë. Jo personazhet e baladës në një kohë të dytë.

Areali magjik ndihet në disa aspekte ndër to më i vërejtshmi është burimi prej nga është marrë subjekti. Përdorimi i hiperbolizmit, transgresionit kohor, plasja e qelqeve të verës në zyrën e hetuesisë metaforikisht, sjell divergjenca ndaj asaj çka mund ta quajmë realitet të veprës. Koha është e ndërdyshtë, personazhet të gjithë janë të dyshuar dhe kjo është vetëm vepër e vdekjes. Personazhi që i bën të gjithë lëmsh në një farë sensi është vetë vdekja. Ajo trazon dhe alivanos gjersa ua pinë frymën personazheve e degdis njerëz të hetojnë derisa të bëjnë të mundur gjetjen e një fakti konkret të cilin vdekja kurrsesi nuk mund ta infektojë. Nën vdekje shtrihet areali i magjisë tek Kadareja, sepse në jetë personazhet janë aktivë, kërkojnë të dinë, lëvizin, mësohen me kohën. Ndërsa nën vdekje janë të nështruar të rregullojnë një element të sistemit të jetesës siç është koha, që të shmangin tisin e vdekjes. Kjo ndodh tek “Kush e solli Doruntinën”.

Disa veçori të veprës së Kadaresë

Përdorimi i mitive dhe figurave mitologjike. Mitologjia dhe mitet duke qenë një përfytyrim fantastik i marrëdhënieve shoqërore të popujve të ndryshëm në një shkallë të hershme të zhvillimit të tyre përfaqësontë për atë kohë një element culture. Si e tillë ajo nuk mund të injorohet në zhvillimin e kulturës, historisë përfshirë edhe letërsinë. Lëvrimi i temës historike e cila shtrihet ndonjëherë deri në kufijtë e mitologjisë. Personazhe të temave historike ka raste që u shkon përshtat manteli mitik. Kadareja është gjithnjë i ndjeshëm ndaj krijimtarisë folklorike nga e cila ka marrë lëndë duke shfrytëzuar në mënyra të ndryshme. Në veprat e tij ka figura shprehëse, leksik nga shumë lloje mitologjish: pagane, afetare, egjiptiane, greke, romane, slave, iliro-shqiptare, por që mbizotëron mitologjia greke.

Përdorimi i lëndës mitike në tri shkallë: 1. Përdorimi me kuptimin e tyre të hershëm. 2. Aktualizimin e tyre për të vënë më mire në dukje përmbajtjen e një dukurie a personazhi në kohë të reja. 3. Çmitologjizimi i tyre. Në rastet kur figurat mitologjike vihen në shërbim të ngjarjeve dhe personazheve bashkëkohorë ato përdoren kësisoj me një kuptim të ri. Mitet dhe figurat e mitologjisë kur përfshihen ngjarje e personazhe të bashkëkohësisë përdoren si metafora, krahasime, paralelizma, simbole, antiteza, epitete. Në raste të tilla e gjithë ngarkesa e tyre kuptimore që rri e strukur te historia dhe ndërgjegja e lexuesit bie menjëherë në kohën e sotme dhe ndihmon të kuptohet më mirë thelbi i saj, madje edhe të zgjerohet korniza e saj. Prezenca e enigmave është karakteristikë e veprave të Kadaresë. Kjo mund të shihet si tendencë e autorit si symbol i përpjekjeve për të hyrë në botën e të panjohurve për të shtruar problem që presin përgjigje. Shpeshherë ai rimerr enigmat nga lashtësia, të gatshme, por autori i parashtron në variantin e tij për zgjidhjen e tye. Si mitizmi ashtu edhe çmitizimet shoqërohen nga prania e ankthit dhe nga një shqetësim i madh për fatin e dikujt a diçkaje.

Biografia e tipave dhe e personazheve të krijuar nga Kadareja me veprimet, veçoritë psikologjike, karakteret dhe jetët e tyre nuk lë pa shënuar asgjë që ndodh në këtë botë sado e lodhshme apo e veçantë është ajo. Është kjo arsyeja që autori krahas të zakonshmes sjell dhe endrrat, gjendjet delirante, halucinante, fallet, të ashtuquajturat parathënie kasandrike, seancat e spiritizmit, përrallat etj. Paraqitja e këtyre gjendjeve irreale nuk është një qëllim në vetvete, as një abuzim professional për të bërë sensacion. Veç kësaj paraqitja e tyre nuk bëhet vetëm për qëllime artistike apo thjesht për të rritur arsenalin e mjeteve shprehëse. Të gjitha ato ëndrrat janë aktivizuar më një kuptim metaforik në funksion të një ideje të caktuar.

Veçori të gjuhës dhe stilit

Në veprën e Kadaresë krahas ligjërimit, rrëfimit të subjektit, individualizimit të personazhve si veçori të stilit do të veçohet përdorimi i figurave letrare të cilat jo vetëm plotësojnë atë çka kërkon të arrijë autori por herë-herë shënojnë një hap cilësor në njohjen dhe karakterizimin e personazheve, dukurive, ngjarjeve, sendeve. Figurat si: krahasime, paralelizmat, analogjitë, shpirtëzimet, simbolet, konvencionet, hiperbolat, paradokset, alogjizmat bëjnë të paraqitet një sistem i plotë që ka konceptin e vet, strukturën, funksionin, burimet, variantet. Megjithatë është një sistem i hapur, jo i kodifikuar, përherë i freskët.

Mënyra origjinale të trajtimit të temave në veprat e tij

Koncepti hero-send të jetë i copëtuar ose simbol. Shpeshherë kemi pranëvënie të tragjikes, komikes, të bukurës, të shëmtuarës që përqasin shumanësi të personazhit. Kadare nuk vendos kufij të qartë kohorë dhe hapësinorë të veprimit me anë të kuptimeve të paracaktuara duke univesalizuar dukuritë shoqërore. Motivet i merr nga eposi, baladat, legjendat, gojëdhënat, udhëtimet jetë-a-vdekje.

Universaliteti

Aftësia për t’u dhënë krijimeve letrare karakter sa unikal aq edhe universal është një nga vlerat e artit kadarean. Vepra e tij emeton probleme të rëndësishme. Ajo sugjeron të vërteta universal e po ashtu filtrohet një koncentrat që ja vlen të diskutohet për atë fragment kohor të caktuar kur janë vendosur ngjarjet, që në fund shndërrohet në një kohë ideale dhe të largët.

Arkitektura e veprës letrare

Në krijimtarinë e tij kompozicioni çmohet si një nga potencialet që e veçojnë atë. Karakterizohet nga zhdërvjelltësia, përthyerja e një kompozicioni unik e drejtvizor duke përdorur mozaikë kompozicionalë, të harmonizuar ku gjen: fjalën e autorit në vetën e tretë, monologë personazhesh, copra ditaresh, raportesh, relacionesh, letra dhe mesazhe ndërmjet personazheve, dialogë në formën e dramës, kronika dhe gjithfarë alternimesh të kohës. Shpeshherë në qendër të ndërtimit kompozicional gjendet kontrasti. Përthyerja në kapituj e mikrokapituj duke ju shmangur rrjedhës së përgjithshme të ngjarjeve dhe zgjerojnë këndvështrimin. Këto ndërhyrje quhen me gjithfarë emrash: si kapituj pa emër, kapitulli i parafundit, kapitulli i fundit, kronika, të thënat e personazhit x, etj Përsa i përket personazhit qëndror si një element që bie në sy në kompozicionin e një vepre dallohen disa tipe. Ka vepra që 1.Kanë një personazh qëndror. 2- Këtë rol e luan një dyshe. 3- Dy a tri personazhe sillen si katalizatorë të subjektit pa kuptuar se ata nuk kanë ndonjë funksion. Fjala e autorit ka një peshë specifike pasi është më tepër tregim sesa rrëfim, dhe përshkrimi është vlerësim sesa ekspozim. Digresionet dhe alternimet janë një tjetër cilësi kompozicionale e tij të cilat janë krejtësisht funksionale dhe brenda vibrimit të subjektit të veprës dhe të ngjarjeve që trajtohen.

Please follow and like us: