Lisa Dudumi: Lamtumirë Sefedin Braho!
Futbolli shqiptar humb një prej emrave më të mëdhenj të tij. Sefedin Braho është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 71 vjeçare. Ish-futbollisti i jashtëzakonshëm i kombëtares dhe Luftëtarit u nda nga jeta pas disa komplikacioneve shëndetësore të shfaqura në ditët e fundit.
Braho spikati falë talentit të tij, duke qenë një prej lojtarëve më të shquar të futbollit shqiptar në vitet 70-80. Ai njihej me nofkën “shigjeta”, për shkak të shpejtësisë, elegancës dhe driblimit të tij. I lindur në vitin 1953, Sefedin Braho, nuk do ta kishte menduar se do të binte në sy duke luajtur në fushat e lagjes “Punëtore” të Gjirokastrës. Por ai ishte një talent natyral dhe ende pa mbaruar 8-vjeçaren në shkollën “29 Nëntori”, pati kërkesat e para. E të mendosh se Braho nuk donte të luante futboll, i tërhequr nga pasioni për basketbollin. Megjithatë, trajnerët Zisi Cabeli dhe Foto Xhai panë potencialin që të tjerët e kishin injoruar: edhe pse i hollë dhe jo shumë i gjatë, Braho kishte diçka që bënte diferencën: një shpejtësi rrufeje.
Futbollisti që zgjodhi familjen mbi famën
Dy vite me Luftëtarin, ku debutoi 17 vjeç e pastaj kapërcimi në kualitet. Karakteristikat e tij e bënë që Partizani ta thërriste në skuadër, në kohën kur Braho duhet të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pavarësisht famës, dëshira e Sefedinit ishte të qëndronte në Gjirokastër, pranë familjes. Shërbimi ushtarak e transferoi në Tiranë, në një skuadër me yje si Panajot Pano, e debutimi i tij me fanellën e të kuqve erdhi pikërisht përballë ish-skuadrës së tij, Luftëtarit.
Ndryshe nga shumë të tjerë, Braho bëri një zgjedhje që pakkush do ta kishte marrë: pas dy vitesh te Partizani, ai vendosi të largohej. Nuk ishin problemet me klubin apo mungesa e mundësive, por lidhja e fortë me familjen dhe dëshira për t’u rikthyer në Gjirokastër. Në një epokë kur shumica e lojtarëve ëndërronin të luanin me Partizanin, Braho u largua nga aty, duke i befasuar të gjithë.
Oferta 1 milion dollarë
Megjithatë, si shkruan Uvil Zajmi, ai mbeti një figurë kyçe për Partizanin në takimet ndërkombëtare, ku thirrej shpesh si përforcim. Ndeshjet ndaj Rijeka, Malmo e Celtic, janë ndër ato që shënojnë këtë periudhë të karrierës së tij. E pikërisht pas ndeshjes në Tiranë ndaj skocezëve, i marrë si përforcim nga Partizani, gjatë banketit në hotel “Dajti”, presidenti i Celtic i kërkoi trajnerit Birçe të bisedonte me Brahon, të cilit i propozoi 1 milion dollarë për ta marrë në Skoci. Shumë para, por po aq rrezik edhe për ta përmendur në atë kohë.
Karriera ndërkombëtare dhe golat për Shqipërinë
Me nëntë ndeshje dhe një gol për Kombëtaren Shqiptare, Braho e la gjurmën e tij edhe në arenën ndërkombëtare. Ai debutoi në vitin 1973, në ndeshjen ndaj Rumanisë, me trajnerin Myslym Alla, dhe vazhdoi me dy ndeshje të tjera nën drejtimin e Ilia Shukes. Pas një shkëputjeje shtatëvjeçare, ai u rikthye në përfaqësuese nën drejtimin e Zyber Konçit, duke realizuar një gol vendimtar në fitoren 2-0 ndaj Finlandës në Tiranë, në vitin 1980.