Pajtim Sejdinaj: Autodidakti
Ese
Reflektim midis “Mjergullës së reve të zeza… shtratit të Merimangës” dhe “Luleve të thara, skelete fluturash, portrete të shumta dhe foto të larmishme” që gjeta kur po pastroja me fshesë “Rrugët e viteve”.
Asnjëherë nuk e kisha menduar se do të punoja “fshesaxhi”. Por jeta ta dhuron. Kur më tha zemra e pranova me kënaqësi. Mora fshesën dhe kominoshet e fillova punën. Fshesoja (pastroja) “Rrugët e viteve”. E fillova nga viti 1970. Ndofta ai ishte më i papastër. U çudita! Lule të thara, skelete fluturash, portrete dhe foto të zhubrosura kishin rënë në rrjetat e shtratit të Merimagës. Në një labirinth të errët. Të hedhura nga mjegulla e reve të zeza. Në ërrësirën e madhe, ato ndrinin si ar. U afrova dhe nisa t’i pastroj me ngadalë duke dashur të mos ua prish gjumin e tyre të përjetshëm.
Aty gjeta një fotoportret… E mora me kujdes. E pastrova. Po e vështroja, m’u duk fytyrë e njohur. Po, po! Ai ishte “Autodidakti”, siç i thërrisnim ne të gjithë në fshat. E mbaj mend shkëlqimin e syve, buzëqeshjen, zërin e ëmbël, këngëtarin dhe valltarin prefekt. Po, po! Ai ishte LATJA! E shtërgova në gji! Qava! Nisa të meditoj….
Latja! Latja!
Autodidakti! E kush nuk e njihnte Laten në fshatin tonë?! Në vitin 1970 ai ishte 10 vjeç. I traumatizuar, i tmerruar që në moshën 7-vjeçare. Ai ishte armiku më i vogël i shkollës pasi xhaxhanë e babait të tij e kish pushkatuar “Mjergulla e reve të zeza”. Regjimi makabër i Enver Hoxhës e hodhën në shtratin e merimangës. Një nacionalist dhe patriot. Ish predikues i fesë Islame. Aty te shtëpitë e LATES u ngrit mekami i parë në shek. 15. I ati kish punuar si Imam i zones .Në vitin 1968 Latja i vogël pa me sytë e tij ku dora makabër prishi Mekamin. Kjo ishte tronditja më e madhe shpirtërore e vogëlushit. Qante pa zë. Shtrëngonte grushtat e vogla si hakmarrje. Në shkollë Laten e dalloje shumë lehtë. Kur ishin nxënësit në rresht, Latja ishte i fundit. Po të hyje në klasë ishte në bankën e fundit dallohej se ishte i vetmi nxënës pa shami pioneri. Po të vëzhgoje orën e mësimit ishte i vetmi që ngrinte dorën dhe u përgjigjej shumë mirë pyetjeve të mësuesit. Kish një zë të ëmbël. Recitonte bukur, por nuk e lejonin të merrte pjesë në aktivitete lokale dhe kombëtare. Nuk lejohej të vendoste lule te lapidarët e dëshmorëve (kështu e kish marrë urdhërin nga Partia, Drejtoria e shkollës). Ishte i izoluar si armiku i klasës. Ky ishte Latja, me një palë pantallona me andra, me flokë që i mbante të qethura, me një palë sandale me rripa të bërë nga i ati .Me një bluzë që ia kish qepur e ëma me dorë, me një çantë me rripa ku mbante librat dhe një Flamur Kombëtar ku ia kish lënë si testament gjyshi nga i ati. I ruante me fanatizëm kopjen origjinale të veprave “Lulet e Verës”, “Historia e Skënderbeut” të Naim Frashërit dhe “Baba Tomorri “të Çajupit, vepra të cilat djali i lexonte me endje. Vogëlushi vazhdonte të mësonte nën kujdesin e prindërve. Mbaroi dhe klasën e tetë. Korbat e pushtetit nuk i dhanë bursë. Nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e mesme që në ato vite ish hapur në zonë. I ati i jepte kurajo duke i thënë “Nga një prind që nuk është në gjendje të edukojë fëmijët e tij, mos prit asgjë”! Dhe kish të drejtë. Nga 35 komunistë që kish fshati i Lates vetëm tre fëmijë vazhdonin shkollën e mesme. Të tjerët (fëmijët) vinin deri në klasën e 6-të, pastaj merrnin llastiqet dhe dilnin maleve ‘partizanë’ për të vrarë zogj dhe mëllënja. Mbas mbarimit të klasës së tetë vazhdonte të mësonte vetë shkollën e mesme, autoditakt me një vullnet të pa parë (duke i marrë librat e shkollës së mesme nga shokët e tij). Ai nuk mori kurrë deftesë pjekurie. Por mori dije dhe culture, në mënyrë autodidakte për të qenë i aftë për vete dhe familjen. Pas vitit 1990 ai iku në emigracion së bashku me familjen duke më lënë në letër këtë poezi:
Lufta e klasave
Na u qep si ferrë
ditën kur kemi lerë!
Na çoi në Ferr
Kjo e keqe si kolerë
Na la në jetë të mjerë!
U dënoftë “xhaxhi Enver”!
Që mbolli këtë kolerë!
Mbylli mijëra dyer!
Miq e shok u larguan.
Familjet u iternuan.
Të dashurit u pushkatuan.
Ata si martirë guxuan!
Të vinte vërtetë Liria!
Të shpëtonte Shqipëria!
Ky ishte Latha, autodidakti që më ka mbetur në mendje si “Gur Margaritar”.
Ai është zog i lirë!
Unë vazhdoj të pastroj “Rrugët e viteve”…