Poezi nga Nurie Emrullai
ËNDËRR E QEPUR KEQ
Njeriu u hodh në këtë botë
prej një ëndrre të shtrembëruar,
se një qosh i saj nuk qe qepur për qielli,
andaj njeriu pa dritën,
atë dritën e famshme që gjithë
thonë “në fund të tunelit”.
Nuk qe tunel ai, jo,
por qe qafë mitre
e cila qe hapur veç 5-së cm
sa të pillte ëndrra ëndrrën,
por njëra u qep keq,
e dikush besoi njëmend në dritën e fundit,
dhe volli veten jashtë.
***
DITË VJESHTE
Fund shtatori,
rrezet e fundit të diellit po lahen në shi,
rrëzohen manaferrat e pjekura…
Se si lëviz era e pantonimojnë degët e lisave
të cilat luajnë shfaqjen e pasditës mbi
murin e dhomës sime…
Shpesh më kalojnë nëpër duar dhe me kërshëri ngjis fytyrën mbi pllakën e heshtjes.
Poezitë e Borhesit herë zgjohen e herë flejnë mbi shtrat,
që thonë gjithçka që po shtrydhem ta them,
këtë shtator…
Atëherë qesh me vete
për pavdekësinë tonë.
Ditët kalojnë duke u matur me stinë,
java fillon me të hënë dhe të nesërmen
vjen e diela.
Këto s’janë çudi të botës,
por janë shqetësime të ditëve tona
njerëzore që koha më s’na del.
Sa më shumë që shtohen vitet,
aq më shpejt vjen nata,
e kjo s’përbihet,
tani prej prindërve,
e unë jam e paftyra që po e lë këtu…/exlibris.al