Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: U SHOVE “SHIGJET”, LAMTUMIRË MBRET!

Në vend të një homazhi për Sefedin Brahon, magjistarin gjirokastrit të topit

Më të madhin e futbollit gjirokastrit në të gjithë kohërat dhe ndër më të mëdhenjtë shqiptarë të futbollit, prej sot nuk do ta kemi më në jetë.

Për ne të gjallët e të tjerë breza që vijnë pas tani do të kemi imazhin e tij, lojën e tij të jashtëzakonshme në një nga lojrat më të magjishme të planetit.

Sefedin Braho e ktheu lojën me top në magji, sprintin e driblimin në fushë e bëri të pa konkurueshëm, model më vehte, “made in Braho”.

I vogëli që bëri futboll të madh, magjepës, e që falë tij “Luftëtari” gjirokastrit preku maja të pa arritura ndononjëherë në historinë e tij.

Me një aradhë futbollistësh të shquar në krahë si Kalluci, Boni, Shoni, Seiti etj e me Hito Hitajn në “timon”, qyteti i gurtë shkroi histori të madhe, ndërkohë që në majë njëri mbeti “Shigjetë”, nofkën që askush tjetër deri sot s’ka mundur ta marrë, rekord ende i pa thyer.

– Çdo të bëje sikur të ishe sot – i thashë para pak vitesh duke pirë një kafe në Gjirokastër së bashku me Besim Brahimin, mikun e tij të pa ndarë.

– Sot i tërë futbolli është bërë më i shpejtë, – ma ktheu me modestinë e tij proverbiale.

Modestia dhe mirësia – tiparet më madhështorë të këtij njeriu edhe pse profesionistët e sportit e radhitin me më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, në radhë me Panon, Bizin, Haxhiun, Përnaskën e të tjerë sulmues të magjishëm të kohës…

Braho me magjinë e tij na magjepsi të gjithëve dhe ne gjirokastritëve sa herë na bëri të ëndërrojmë, ta ndjekim nga do që ishim e kudo që “Luftëtari” ishte, të dashurohemi aq fort pas tij.

“Manjeti” ishte aty, me nr. 7 të pa ndryshuar ndonjëherë.

 Braho i papërsëritshëm, legjendë e padiskutueshme, ikonë më vehte.

Tani që nuk e kemi më, përveç memorjes, diku duhet ta kemi dhe vendlindja e tij Gjirokastra di se ç’bën për të përjetësuar emrin e atyre që qytetit ia shtuan e begatuan historinë.

Në mos një emër stadiumi, një shesh e një monument të Sefedin Brahos, mbretit të futbollit gjirokastrit e atij shqiptar diku do ta kemi.

Më e pakta që mund të bëhet për këtë figurë të ndritur të sportit kombëtar.

Lamtumirë, Sefedin Braho!

Lamtumirë “shigjet”, lamtumirë mbret dhe legjendë e futbollit!

Lamtumirë, miku im!

Please follow and like us: