SI TË BËJMË NJË MASKË PËR FLOKË TË THATË OSE KAÇURRELA?
Anila Kalleshi
Të bësh një maskë, është e thjeshtë nëse përdorni blenderin, por mund të përdorni dhe thjesht një enë dhe një përzierës dore. Le të fillojmë duke vendosur në blender vajin e kokosit dhe të avokados. Për flokë kaçurrela mund të përdorni dhe vaj ulliri sipas listës më poshtë.
Vaji i kokosit është quajtur mbreti i vajrave për vetitë që ka si për flokët, lëkurën, dhëmbët dhe për organizmin në tërësi. Vaji i kokosit është perfekt për flokët pasi është i pasur me acide yndyrore që ushqejnë dhe zbusin skalpin dhe flokun. Studimet kanë treguar se vaji i kokosit redukton këputjen e flokut për shkak të depërtimit të tij në rrënjë.
Për flokët kaçurrela, vaji i ullirit është një zbutës që depërton në flokë. Është perfekt për kaçurrelat pasi është i lehtë, dhe i ushqen flokët pa i rënduar dhe shtrirë kaçurrelat.
Avokado është përdorur prej kohësh për përmirësimin e gjendjes së flokut duke e ushqyer atë. Avokado njihet si një nga ushqimet më dobiprurëse në planet. Për flokun, ndihmon në parandalimin e rënies, forcimin dhe rritjen e tij. Mungesa e disa vitaminave në organizëm ndikon direkt në shëndetin e flokut, në trashësinë dhe shkëlqimin e tij. Avokado përmban sasi të konsiderueshme të Vitaminave B dhe E, të cilat ndihmojnë dhe mbrojnë flokun deri në nivel qelizor.
Tashmë që keni përzierë vajrat dhe avokadon, shtoni vezët dhe mjaltin për të bërë maskën. Vezët janë të pasura me leticinë dhe proteina të cilat ndihmojnë për të forcuar dhe ushqyer flokun. Për më tepër, përmbajnë dhe sulfur i cili ndihmon në reduktimin e zbokthit.
Mjalti njihet për vetitë e tij ushqyese, antibakteriale dhe antioksidante, veti që ndihmojnë në forcimin dhe ushqimin e flokut.
Tani që u përzienë përbërësit, le të shtojmë dhe përbërësit e fundit: Vajin esencial të Rozmarinës dhe të Livandos.
Vaji esencial i Rozmarinës ka veti fenomenale që e bëjnë një përbërës shumë të çmuar të kësaj maske. Trajtimi i flokut me vaj esencial rozmarine ndikon fuqishëm në rritjen dhe trashjen e flokut. Ky vaj stimulon rrënjën e flokut dhe daljen e flokëve të reja, si pasojë e stimulimit të mikroqarkullimit në skalp.
Vaji esencial i Livandos (Lavanda Vera ose Lavanda Hybrida) është i mrekullueshëm për flokët, dhe po ashtu si vaji i rozmarinës, ndikon në rritjen e flokut. Një studim i kryer nga një grup dermatologjistësh, konkludoi që 44% e pacientëve me alopecia areata patën përmirësime të dukshme pasi masazhuan skalpin çdo ditë me vaj esencial Livandoje për shtatë muaj.
Pasi i keni shtuar të gjithë përbërësit, përziejini mirë që të bëhet një masë homogjene. Aplikojeni në flokë të lagur me ujë të ngrohtë, në të gjithë gjatësinë, dhe mbështilleni flokun, veçanërisht majat. Lëreni maskën të veprojë për rreth 45-60 minuta. Më pas, lajeni kokën me një shampo natyrale dhe kondicioner/balsam. Për rezultate më të mira, aplikojeni maskën një herë në javë.
Këshilla:
Maska është e përbërë nga produkte që normalisht nuk shkaktojnë reaksion ose alergji; megjithatë, nëse vini re ndonjë irritim, ndaloni së përdoruri maskën.
Shmangni kontaktin me sytë.
Sigurohuni që vajrat esencialë të jenë të çertifikuar si 100% organikë (bio), për të pasur rezultate më të mira.
RECETA për Maskë me Livando dhe Rozmarinë për flokë të thatë ose kaçurrela
Koha e përgatitjes: 15 minuta
Sasia: Për 1 aplikim (dyfishojeni recetën nëse keni flokë shumë të gjatë)
PËRBËRËSIT:
2 lugë gjelle vaj kokosi extra virgin (për flokë kaçurrela: 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle vaj kokosi extra virgin)
½ avokado e pjekur mirë
2 vezë
1 lugë mjaltë natyral
5–10 pika vaj esencial rozmarine
5–10 pika vaj esencial livando