Albspirit

Media/News/Publishing

Albin Kurti: Në kujtim të Tahir Emrës!

Sot, me dhimbje të thellë, i japim lamtumirën një figure kyçe të artit te ne, Tahir Emrës. Ai ishte një prej kontribuesve më të mëdhenj në zhvillimin e arteve pamore në Kosovë dhe një shembull për të gjithë ata që ndjekin rrugën e artit.

Kam pasur nderin ta takoj disa herë dhe ta vizitoj në shtëpinë e tij, ku ai dhe vajza e tij më pritën me shumë ngrohtësi një të shtunë të këndshme këtë vit. Ishte një privilegj ta dëgjoja teksa rrëfente për fillimet e karrierës së tij, për fillet e arteve vizuale në Kosovë, për Abdurrahim Buzën, përkushtimin e tij dhe për punën që e vazhdoi me kaq dashuri për artin. Trashëgimia e tij është e gjallë në institucionet dhe zhvillimin artistik të vendit tonë.

Tahir Emra, si Docenti dhe Prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve Figurative, ka lënë pas një thesar të pashoq krijimesh, të cilat do të vazhdojnë të flasin për të brezave që do të vijnë. Veprat e tij janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe janë të njohura si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Për më shumë se 60 vite, puna e tij e palodhur përmes krijimeve, ekspozitave dhe mësimdhënies nuk u ndal asnjëherë. Ai ishte simbol i pasionit dhe talentit, diciplinës dhe rezistencës për artin dhe dijen, duke kontribuar pa dallim kohe dhe vendi për më shumë se gjashtë dekada. Kontributi i tij në strukturimin, zhvillimin dhe institucionalizimin e artit pamor në Kosovë është i pazëvendësueshëm.

Sot, humbëm një mjeshtër, një vizionar, dhe një njeri të dashur për komunitetin artistik dhe më gjerë. Vepra e tij dhe përkushtimi i tij do të kujtohen gjithmonë.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit artistik që ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe.

Please follow and like us: