Albspirit

Media/News/Publishing

Gazmend Leka vjen në galerinë FAB me “VITI ZERO”

Inagurimi / 09 Tetor / Ora: 19.00

Kohëzgjatja / 09 Tetor – 29 Tetor 2024

Kurator / Ermir Hoxha

Galeria FAB / Universiteti i Arteve / Tirane

—————–

‘‘Viti Zero‘‘ / teksti kuratorial

Në fillim u quajt: ‘‘Viti Zero‘‘. Të tjerë tituj erdhën më pas. U përmend aty viti i mallkuar, më pas viti i tmerrshëm, i Djallit, apo edhe Apokalipsi. Të gjithë mund të ishin. Të gjithë ishin të përshtatshëm. Por në fund natyrshëm zuri vend ai, ‘‘Viti Zero‘‘; si për ta heshtur kërkimin dhe për ta kthyer atë përsëri në pikën Zero. Ashtu si nevoja e tij për një fillim të ri, a një fund përfundimtar.

Viti Zero i Gazmend Lekës, është një mozaik tragjedish të jetuara në dekadat e fundit. Si i tillë, ai është një imazh i njohur për shumë prej nesh. Një imazh ngjethës, në kufijtë e mos-arsyes, ku logjika i la vendin marrisë, ndërsa kaosi mbretëronte bashkë me ndjellazinjtë.

E gjithë kjo, ashtu si dhe më parë, përbëhet nga dy qasje. E para, ajo më dominuesja përbëhet nga tablotë e mëdha në vaj; dhe e dyta, ajo me imazhet invers, realizuar në dimensione më të vogla në laps.

Tablotë në vaj janë 13. Për mjeshtrin e kahershëm të gjuhës simbolike, ky numër nuk mund të zgjidhej rastësisht. Numri 13 mishëron energjinë e transformimit, rritjes pozitive, aq sa dhe rifillimit. Por për të rifilluar, duhet fillimisht të takosh nga afër fundin. Kështu Leka në 13 tablotë e tij shkoi të takojë sërish fundin.

Kështu, aty përzihen rrënimi i shtetit në vitin `91, në vitin `97, shpërthimet e Gërdecit dhe nëpër to gjithë siluetat e mbetura të kësaj vorbulle të përsëritur gjunjëzimi. Janë aty kronikat e dështimeve tona, kur shteti rrënohej para syve të të gjithëve, çuditërisht në pak orë. Natyrshëm në to do përsëriteshin edhe gërmadhat e përzhitura, bashkë me perspektivat e zhdrejta të arsyes me në sfond shpërthimet megalitike të municioneve. Aty do mbivendoseshin dhe shtresëzimet e absurdit, mes monumenteve të Kultit të individit dhe mureve të shkarravitura të godinave.

E mbi këto sipërfaqe të mjera mbivendosen aktorët e radhës. Si në një tjetër Theatrum Mundi, ato shfaqen teksa mbledhin municione, thërrasin për mëshirë përballë turmave, apo shpejtojnë të rrëmbejnë bukët e fundit. Anash tyre zhurmojnë ithtarët e tjerë të marrëzisë, ndërkohë që shfryjnë dufin ndaj një grupi policësh, a nxitojnë turravrap përpara një tanku që bën xhiro në bulevard.

Bashkë me ta gjenden dhe fëmijët. Denatyralizuar si ngaherë, ata janë dëshmitarët e pafajshëm të tragjedisë së të rriturve.

Në grupin e dytë Leka servir 30 vizatime. Një dashuri e hershme, ata përbëjnë vlerën e shtuar të ekspozitës. Është po ai imazh apokaliptik; porse zbërthyer krejtësisht ndryshe. Aty çka është dritë, bëhet errësirë. Çka është e qartë, bëhet e errët. Një mimesis i përmbysur, për të theksuar strukturën fantazmagorike të së gjithës. Aty kontrastojnë edhe viktimat, edhe heronjtë, të gjithë bashkë me municionet, kallashët, bukët e rrëmbyera, radhët e vajgurit, maskat dhe monumentet e namatisura.

E gjithë bota përmbys!

Por Leka nuk do të mjaftohej me kaq. Si shpesh ka ndodhur, ai kërkon dhe gjen një element plus. Një element të ndryshëm, brenda strukturës së të tërës. Një element, vulë a emblemë që shënon gjithçka. Ishte ashtu me kurorat e shenjtërisë që shndrisnin mbyturazi në mbikresën e endacakëve tek ‘‘…dhe yjet rrinë e vështrojnë‘‘ dhe numrat e viktimave të luftës së Kosovës tek ‘‘Abel‘‘. Këtë radhë ai shton një element ekstra-piktorik, një numër fizik, me font industrial, treshifror. Është ai numri i Bishës, apo i Djallit. Është numri 666.

Ai shfaqet ngado. Në çdo tablo. Është aty si damkë që kjo nuk është vepër e njeriut, por e një force absolute sipërore. Është vepër e saj, përballë së cilës ne mbetemi të pafuqishëm, si aktorë të rastësishëm të tragjedi-komedisë së radhës.

… 

Në historinë politike, termi ‘‘Viti Zero‘‘ zakonisht i referohet institucionit të ndryshimit radikal. Si ide a gjendje emocionale, ai gjendet prezent në ato kultura, në kohën kur një shoqëri duhet të shkatërrohet plotësisht. Aty çdo gjë duhet të hidhet poshtë, sepse çdo gjë duhet të nisë nga e para. Ky qëndrim vetë-shkatërrues, rrjedh nga përpjekjet e individit për të mbijetuar psikologjikisht duke u ripërballur me konfliktet e veta.

Si i tillë, ‘‘Viti Zero‘‘ është një imazh vetë-shkatërrimi. Në këtë imazh, rrënimi total ka vend për gjithçka. Mund të shtohen tragjeditë e kronikave të fundit, sa dhe ato të shekujve të shkuar. Mes tyre do gjallonin personazhe të tjerë, të blatuar si hije dhe bashkë me ta mund të ishte edhe vetë ai. Sepse aty, ndërkallur mes gërmadhash, qëndron shpirtërisht dhe vetë ai. Mes tyre qëndron nevoja e tij për një fillim të ri, me të tjerë aktorë e të tjerë dialogë.

Prej disa vitesh, Leka e ka drejtuar vëmendjen tonë drejt atyre përthyerjeve tektonike, sa shpirtërore, aq edhe materiale. Si gjithnjë, në atë stacion sezonal të kalendarit vjetor. Ndërsa ka bërë këtë, piktura e tij është bërë gjithnjë e më e vyer, konsoliduar mirëfilli si vlerë sipërore. Aty do jetë dhe në vitet në vijim, për të vazhduar atë dialog personal që ka me publikun e tij, ashtu si pak-kush, nga nevoja për të rrëfyer, si gjithnjë, një rrugëtim ngjizur me imazhe.

Please follow and like us: