Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Sergej Esenin, në shqip nga Arqile Garo

Sergej Esenin: SA E BUKUR ISH TANJUSHA!

Bukurinë që kish Tanjusha nuk e kish tjetër në fshat,

jeleku ngjyrë all qëndisur ç’ i këndonte n’ atë shtat.

Mbrëmanet mbërriti Tanja buzë përroit mbi një gardh,

ndërsa hëna lodërzonte përmbi mjegullën e bardhë.

Vjen djaloshi me kokë ulur, i rri pranë edhe i flet:

– Shpirt, me tjetër do martohem, lamtumirë, mbeç me shëndet!

U zbardh vajza porsi vesa, iu zbeh çehrja si qefin

dhe gërsheti si nepërka u përdrodh, i helmoi gjinë.

– Oh, ti mik, me synë e shkruar, fat të mbarë po të uroj

dhe unë, erdha të të thoshja se një tjetër dashuroj!

Në mëngjes gjëmojnë kambanat shkon karvani me dasmorë,

dhe një çift, fytyrë – mbuluar mbrrin në kishë të verë kurorë.

Nuk janë gjelat kobëndjellës – fisi i Tanjes po vajton,

ndriti tehu i një sëpate dhe ktheu gjëmën në jehonë –

Kish kurorë të kuqe gjaku, përmbi vetullën e brishtë.

– Sa e bukur ish Tanjusha, sa e ëmbël dhe e trishtë!

1911

Shqipëroi: Arqile Garo,

gusht 2020.

Please follow and like us: