Albspirit

Media/News/Publishing

Shimon Perez: SHBA dhe NATO t’i japin fund dhunës dhe diskriminimit në Kosovë

    Opinion i Shimon Perez, fitues i çmimit Nobel për Paqe

    Dikush mund të pyesë se çfarë kuptimi ka një samit i fituesve të Nobelit për Paqe, ndërsa bëhet luftë në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë, që prodhon tmerre e masakra. Ashtu si Ati i Shenjtë të Vatikanit, Papa Gjon Pali II, edhe nobelistët e Paqes nuk kanë ushtri, por zëri i tyre meriton të dëgjohet.Një nga fituesit e këtij çmimi, Gorbaçov, bashkë me kryetarin e bashkisë së kryeqendrës italiane, kanë hedhur idenë e një kuvendi vjetor dhe për këtë problem do të vijnë në Romë Jaser Arafati, Nelson Mandela, Frederik de Klarku, Desdmond Tutu, Rigoberta Mençu, Les Valesa, Henri Kisinger dhe shumë nobelistë të tjerë.

    Një iniciativë e tillë ka një kuptim të veçantë nën dritën e konfliktit në Ballkan. Pra do të diskutojmë mes nesh për këtë luftë absurde, në mes të Europës, që nuk duhet të shpërthente kurrë. Hyn në të vërtetë një kohë, në të cilën luftrat nuk janë më të nevojshme dhe nuk ka më justifikim për racizëm…

    Është e vërtetë që në Ballkan lufta vazhdon prej një muaji dhe për momentin nuk ka ende një rrugëzgjidhje: as fund të bombardimeve dhe as kompromis nga Millosheviçi. E megjithatë rregulli i përgjithshëm mbetet i vlefshëm edhe në këtë rast: luftërat fillojnë shpesh me armë dhe përfundojnë me dialog, nuk ka asnjëherë zgjidhje ushtarake.

    Mund të ketë fitore ushtarake, por ato kanë një çmim që askush nuk mund ta paguajë. Dhe në fund nuk do të ketë një rezultat të vendosur ushtarakisht në fushën e betejës, por një zgjidhje politike. Ky është objektivi dhe pozicioni i SHBA dhe i NATO-s, të cilët nuk hynë në Ballkan për të shkatërruar Jugosllavinë, por mbi të gjitha për të shmangur dhunën dhe për t’i dhënë fund diskriminimit…

    Në Lindjen e Mesme kemi demonstruar që, edhe armiqtë më të egër, udhëheqës dhe popuj që janë urryer dhe kanë luftuar pa ndonjë shfajësim për brezat që vijnë, mund të ulen rreth tavolinës dhe të bëjnë një marrëveshje.

    E njoh pak presidenti jugosllav, për të thënë se kështu do të ndodhë edhe me të. Natyrisht që këtu ka një problem të pamohueshëm: akuzat kundër tij për spastrim etnik dhe për dëbimin e një mase të madhe njerëzish, janë akuza serioze dhe shumë të rënda, janë akuza që duan përgjigje. Nuk mund të mbyllim sytë përballë gjithë atyre krimeve e masakrave që kanë ndodhur.

    Por lufta në Ballkan është një mësim që shkon më tej Millosheviçit, personalitetit, fajeve dhe krimeve të tij. Mësimi është që demokracia moderne që po vjen në prag të shekullit XXI, nuk është vetëm sistem në të cilin të gjithë duhet të ndjehemi të barabartë, por ëshët edhe një përplasje e të ndryshmëve, midis njerëzve e popujve që kanë traditë, kulturë, besime dhe ideologji të ndryshme.

    Sot demokracia është zgjedhje e vullnetshme e të jetuarit së bashku, që kryhet nga njerëz që janë dakort të mos përdorin dhunën për të zgjidhur problemet e ndryshme të tyre. Pikërisht kjo duhet të jetë filozofia e çdo dialogu për paqen ndërkombëtare…

    Detyra që shtrohet në Jugosllavi është që të ndalojë spastrimet etnike duke i paraprirë edhe ‘konfuzionit etnik’, që në thelb është i njëjtë me atë që jemi përballur në përpjekjet mes Izraelit e Palestinës.

    (Marrë nga zyra e kabinetit të Shimon Perez, botuar njëkohësisht në Izrael dhe në disa gazeta perëndimore).

    Please follow and like us: