Zana Tako: Në liri të dua, në liri të ndjej!
Nuk luftoj për të të dashur. Armiqtë e tu i mundi vdekja.
Liria është forca ime. Atë ma dhurove ti. Në liri të dua, në liri të ndjej. Në liri të adhuroj, në liri të përkas.
Nuk jetoj në botë ëndrrash, por jetoj me ty në të vërtetë. Më dhurove besimin për t’u mbajtur fort. Timonier i besimit tim, me sy prej vetëtime. Flakë e zjarr shpirti yt.
Vështrimi yt prek Universin. Atje më rrëmben. Ulemi mbi yje, e nis e më tregon me gjuhën e kthjelltësisë për dashurinë. Fjala jote mbush hambarët e dijes për të mbjellë e korrur. Prodhim i begatë, që ngop e nuk shterron.
Sonte të dua pranë më shumë se kurrë. Ti vjen pa u ndjerë, duke derdhur bekimin e dashurisë të patëmetë, sepse Je i përsosur, ashtu si gjithçka krijove në përsosmëri. E fjala ime le të marrë udhën për të mbërritur tek ti, mbështjellë me përqafimin e vashës që e gjeti e nuk e mohoi dashurinë e saj.