Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: Një mesazh i çmuar për demokracinë

Gjatë vitit 1946 u mbajt Konferenca e Paqes e Parisit, ku morën pjesë shtetet e përfshira në Luftën e Dytë Botërore, midis të cilave edhe Shqipëria nëpërmjet udhëheqësit të saj. Në konferencë trajtoheshin probleme madhore globale politike, gjeografike (kufijve), ekonomike (reparacioneve), demografike (ndarjes, apo bashkimit të shteteve), etj.

Fotografi shqiptaro-amerikan Gjon MIli me përvoja të suksesshme në fotografimin e ngjarjeve të tilla dhe me një status të veçantë amerikan, i ngarkuar nga revista e njohur “LIFE” u angazhua në këtë konference gjatë një periudhë të mjaftueshme kohore për të pasqyruar punimet e kësaj konference. Gjatë kësaj kohe, kur ishte aty, ai çeli gjithashtu në Galerinë du Bas ekspozitën e tij vetiake fotografike sensacionale, promovimin e së cilës e bëri me një fjalim ekzistencialist filozofi e shkrimtari Zhan Pol Sartre, ashtu si edhe karikaturën e mrekullueshme miqësore të Milit të vizatuar nga piktori Saul Steinberg.

Gjon Mili realizoi në Konferencën e Parisit dhjetra fotografi mjeshtërore në të gjitha korridoret politike, seancat, takimet multi dhe bilaterale të udhëheqësve botërorë, situata masive plenare, qoshe të fshehta konfliktesh e kompromisesh, portrete të krerëve dhe delegacioneve të shumë vendeve e popujve, midis të cilëve edhe atë të E. Hoxhës. Për këto kemi pasur rastin të shkruajmë edhe herë tjetër, por në këtë shkrim do ta kemi stacionin në një problem shumë të rëndësishëm politik që ka vlera universale edhe për ditët e sotme, sidomos për Shqipërinë.

I ndodhur gjatë punimeve pranë një konference shtypi që mbante ministri i jashtëm australian Herbert Vere Evatt si përfaqësues i popujve të vegjël (midis të cilëve edhe atij të Shqipërisë) me gazetarë të shumtë e të zjarrtë, atij i bëri përshtypje tema e kësaj konference shtypi. Si një fotograf me nuhatje të thellë, ai realizoi aty dy fotografi, të cilat u botuan në revistën LIFE të dt, 9 Shtator 1946 bashkë me përgjigjen e plotë që ministri Evatt i jep gazetarit zvicerian:

Çfarë Ёshtë Demokracia

EVATT I TREGON BOTЁS

Në konferencën ndërkombëtare të Parisit, Herbert Vere Evatt, Ministër i Jashtëm i Australisë, është shfaqur si një kampion i demokracisë dhe të drejtave të kombeve të vegjël. Në një konferencë shtypi të fundit në Pallatin Luksemburg, ku Evatt ishte duke ndjekur Konferencën e Parisit

(1946), Léon Nemanoff, një korrespondent zvicerian e pyeti atë për çështjen themelore të kohës sonë. Këtu është pyetja të cilën është duke bërë në foton (në të majtë) dhe çështjet e rëndësishme të përgjigjes që Evatt është duke komentuar. (në figurën djathtas).

PYETJA: Njerëzit janë duke luftuar në pjesë të ndryshme të Botës dhe në mënyrë të pavarur rreth fjalës “demokraci” që përdoret nga të dy kuptimet për të përcaktuar motivet e tyre. Zoti Evatt, çfarë është demokracia?

PЁRGJIGJIA:

■Unë e di çfarë është demokracia, sese unë jam rritur në një sistem demokratik. Çdo burrë dhe grua ka të drejtë të votojë. Kjo nënkupton të drejtën e popullit të zgjedhë qeverinë e tij. Kjo është elementare.

■Demokracia nënkupton, gjithashtu, të drejtën për të patur më shumë se një kandidat gjatë votimit. Nëse nuk ruhet e drejta e nominimit, sigurisht nuk ka zgjedhje të vërteta dhe, sigurisht, nuk ka sistem demokratik.

■Pasi një qeveri është zgjedhur nga populli, demokraci do të thotë që verdikti i popullit duhet të respektohet nga populli. Të përpiqesh të heqësh qafe një qeveri të zgjedhur me dhunë ose që qeveria të heqë qafe opozitën e saj me dhunë, kjo është një antitezë e demokracisë. Është pjesë e procesit demokratik të pranosh se humbja mund të kthehet me mjete kushtetuese

■Por, gjithashtu, është edhe një aspekt tjetër i demokracisë. Ju nuk mund të keni zgjedhje të lira dhe një qeveri të lirë pa patur lirinë e shprehjes dhe të kriticizmit. Do të thotë që ata që kanë opinionin se qeveria e zgjedhur po bën gjëra të gabuara, duhet të kenë të drejtë t’i thonë, të shprehin opinionin e tyre lirisht edhe nqs opinioni i tyre është i gabuar.

Ajo ç’po ndodh në këtë konferencë shtypi është një shprehje e demokracisë. Ju keni të drejtë absolute të më kryqëzoni mua me pyetje për të gjitha çështjet pa hezitim dhe kufizim – pra, që ajo çfarë është e drejtë dhe e vërtetë të dalë nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve.

■Ёshtë absolutisht thelbësore për demokracinë që të drejtat e saj duhet të gëzohen dhe të praktikohen pa frikë dhe pa favorizim. Qytetari duhet të jetë i aftë të zgjedhë qeverinë e tij pa intimidim nga kushdo. Nuk mund të ketë diktim, as diktaturë. Demokracia nënkupton detyrën “ta marrësh atë”, si dhe të drejtën për ta “qortuar atë”.

■ Diçka më shumë – në këtë konference unë kam dëgjuar përfaqësuesin e Shqipërisë të bënte deklarata të caktuara mbi ato çfarë populli i Shqipërisë kishte bërë gjatë luftës. Ai tha që populli shqiptar kishte shpëtuar pilotët e aleatëve dhe ju kishte dhënë ndihmë atyre. Dhe kështu ai kërkoi pohim për atë që populli shqiptar kishte bërë. Unë mendova se ai kishte të drejtë, por gjykova, gjithashtu, anën tjetër të tablosë. Këta pilotë kishin ardhur në luftë nga mijra kilometra larg., përse kishin ardhur?

Ata ardhën në Europë për të ndihmuar të përmbysnin një tirani. Ata ardhën me mijra sepse ata besonin në demokraci dhe besonin tek ajo aq sa për të luftuar për të dhe të vdisnin për të shumë larg shtëpive dhe njerëzve të dashur të tyre. Kjo është demokracia.

Please follow and like us: