Albspirit

Media/News/Publishing

Taulant Xhaka njofton tërheqjen nga kombëtarja shqiptare

Taulant Xhaka njoftoi tërheqjen nga kombëtarja shqiptare. Një tërheqje me nder, në pamje të parë e motivuar nga arsye personale, por edhe për t’iu hapur rrugën më të rinjve. Letra e tij publike dhe e gjatë ishte e mbushur me krenari që ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi. Për t’ia njohur këto merita zemërluanit kuqezi, atij që u përball pa frikë me serbët në mes të Beogradit, ka menduar kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka. Po me një mesazh publik përmes rrjeteve sociale, presidenti i FSHF-së e konsideron të pazëvendësueshëm për momentin, në rolin e tij, Taulantin:

“I dashur Taulant!

E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuatjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Ti ke qenë një motorr për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues. Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare.

Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.

Në këtë botë miku im, ajo që mbetet është kontributi për të arritur suksesin dhe emri i mirë. Ti këto i ke arritur. Prandaj, kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë, e ka një fund. Për këtë kontribut të gjatë dhe tepër të vlerësuar, ti miku im, ke hyrë në librin e historisë dhe hollin e famës së futbollit shqiptar. Si dashamirës futbolli, si bashkëudhëtar i suksesit tënd dhe si President i FSHF, jam shumë i lumtur ta konfirmoj këtë.

I dashur Taulant! Mua personalisht do të më kesh gjithmonë një mik të përjetshëm. Besnik dhe krenar për miqësinë tonë”.

Please follow and like us: