Albspirit

Media/News/Publishing

Fatos Arapi: Lamtumira e fundit

Lamtumirë, qiparisa të kaltër.

Cila dorë e shenjtë u mbolli tek unë?

Lamtumirë, gjurmë të fëminisë

ngjeshur valëve lundronjëse të liqenit:

lundra të vogla prej druri,

kongjinj të zesë të një kohe të shuar.

Lamtumirë, dielli im i Mesdheut

që më përshëndet nga syri i pulëbardhës;

peshkatarë mjekëroshë, gojëdhëna të thinjura.

Është i trishtuar shpirti im

dhe u ktheva sot

të takoj pelikanin e bardhë.

Ai të ma tregoj shtegun

gjer atje ku trajta ime shuhet.

Lamtumirë, Ishull i ëndrrave të mia,

dëgjoj zërat miklues po s’ndalem dot.

Please follow and like us: