Organizata japoneze “Nihon Hidankyo” fiton Nobelin për Paqen 2024
“Nihon Hidankyo”, një organizatë japoneze e të mbijetuarve nga bomba atomike ka fituar Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2024 për “përpjekjet e tij për të arritur një botë pa armë bërthamore”, njoftoi sot Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Kreu i Komitetit të Nobel-it Jorgen Watne Frydnes tha në Oslo se puna e grupit kishte treguar “nëpërmjet dëshmive të dëshmitarëve se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë”.
“Dëshmia e të mbijetuarve – të njohur në japonisht si “hibakusha” – nga qytetet e bombarduara të Hiroshima dhe Nagasaki në fund të Luftës së Dytë Botërore ka dhënë një kontribut unik në gjenerimin e kundërshtimit të gjerë ndaj armëve bërthamore në mbarë botën”, tha ai.
“Nihon Hidankyo” u mbështet në histori personale dhe krijoi fushata edukimi që përmbanin “paralajmërime urgjente” kundër përdorimit të bombave atomike.
Çmimi këtë vit vjen mes një periudhe konfliktesh intensive në mbarë botën, duke përfshirë Lindjen e Mesme, Ukrainën, Sudanin dhe shumë vende të tjera.
“Ështe alarmante që vendet e reja duket se po përgatiten të marrin armë bërthamore dhe kërcënimet po bëhen për të përdorur armë bërthamore si pjesë e luftës së vazhdueshme”, tha Frydnes.
Gjithsej, për çmimin këtij viti u nominuan 286 kandidatë – duke përfshirë 197 individë dhe 89 organizata.
Vitin e kaluar, çmimi prestigjioz iu dorëzua aktivistes së burgosur për të drejtat e grave, Narges Mohammadi nga Irani.
Të tjerë laureatë të çmimit të paqes gjatë 30 viteve të fundit përfshijnë grupin e ndaluar rus të të drejtave të njeriut “Memorial”, ish-presidentin e SHBA-së Barack Obama, Bashkimin Evropian dhe udhëheqësit palestinezë dhe izraelitë Yasser Arafat, Shimon Peres dhe Yitzhak Rabin.
Tradicionalisht, të gjitha çmimet Nobel jepen në Stokholm, ndërsa çmimi Nobel për Paqen në Oslo.
Çmimet Nobel e kanë burimin nga vullneti i themeluesit të çmimit dhe shpikësit të dinamitit Alfred Nobel (1833-1896).
Medaljet e çmimeve do të dorëzohen më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel – me Çmimin Nobel për Paqen – i vetmi që do të jepet në Oslo./atsh