Sadik Bejko: Manastiri i rrugës së madhe
(Monologu i murgut)
Në krahët e mi, në krok-krok krahë korbi,
kam vënë dashuri.
Në horizonte pikëllimi të vrerët
I kam therorizuar si lumë qumështi,
të bardhë shkumë
të gjithë shqerrat,
të llamburisur në çdo fije pushi
aq sa të shëndritnin netët, të shëndritnin dhe shpellat.
Sa shpesh kjo fli më është përbuzur, shkelur…
Sa shpesh…
(shih, pa shih, në sy më dallgëzojnë lotë)
një barrë me male gjethimbardhë,
e shkelur vetëm nga një gozhdë.
Pikëllime që mund të vrenjtnit botën,
në ngjyrën e mugut të lotëve zbardhur,
kurrë nuk e shpëlatë dot terrin,
dhe se kulluat në mundësi shkrirjeje të akullit.
Kam vënë dashuri… bankë e çelur hap e gardh… fushë krejt e korrur, veç merrni!
Eja, hajdut, brigand, lypës a duarndytë i lindur,
kryqëzojini mbi mua kamat, thikat,… veç merrni.
Veten tuaj mbi thesare të hapura pa çelës,
Njëri-tjetrin, ju lutem… mos e therni.
Ju pres, i dalë nga mure virgjër e të shenjtë.
Ju pres, unë tharë në kockë, murg, mur e trung…
Merri çelësat, barbar, ti gjete budallanë e artë,
më kot shtyhesh, vë brrylat,
është i hapur,
veç merri, veç zhgrrap dhe nduk.
Ja… po pështyn gishtat, numëron ç’more,
teksa mbi pragun tim syshqyer, trandur,
trallisur po pshurr.
Gëlltis lotët unë, i fshihem thikës sate,
dhe lutem mos më vrasësh, i dredhur, mekur, i ngjitur për mur.
Kam vënë dashuri. Kam falur tufën e qëngjave
nga vatha ime dhe e dija se do t’ma thernin në muzg.
Veç…dashuri. Rrugës së madhe s’ia del tej me urrejtje.
(Gur e trung… mos e thaj kurrë zemrën, o murg).
Leter Hamurabit, 1997.