Albspirit

Media/News/Publishing

Xhafaj: Top Channel gjobaxhi dhe i kriminalizuar/Si lindi sherri?

Një xhalo e vërtetë, nga ato që shpjegojnë marrëdhënien politikë-media, përdorimin e televizioneve dhe integritetin moral të hierarkëve të rilindjes, ka nisur mes ish-ministrit socialist Fatmir Xhafaj dhe televizionit kombëtar, Top Channel. Të enjten në mbrëmje ish-ministri i Brendshëm u shfaq në emisionin “Opinion”, për të shpjeguar implikimin e tij në procesin e montuar kundër Ervin Salianjit.

Por mes shumë pyetje përgjigjeve ai sulmoi me epitete tejet të forta televizionin Top Channel. Ai foli për organizimin nga ky ekran kombëtar të një emisioni “gjobëvënës” që është akuzuar dhe njihet publikisht për gjobëvënie. Ai e quajti këtë një “produkt të aleancës së plehrave, midis krimit, biznesit, grupeve të biznesit në këtë fushë dhe medias së kriminalizuar”.

Për këdo që e ka kujtesën të fortë kuptohet se përse fliste ish-ministri i Brendshëm. Kur ai ishte larguar me dorëheqje të detyruar nga posti që mbante, Top Channel, me anë të një emisioni investigativ, “Inside Story” e pati sulmuar atë. Në një dokumentar një orësh që gjendet ende në You Toube i bëhej skanim karrierës së Fatmir Xhafajt që kur ishte hetues i kohës së komunizmit, transmetoheshin pamje ekskluzive të tij pranë Enver Hoxhës, rrëfehej ngjitja në fund të shekullit të kaluar në Partinë Socialiste, përfitimet që kishte nxjerrë prej saj, ku si shembull merrej një pallat i ndërtuar në qendër, në Pogradec e shkohej deri në lidhjet e mundshme me një ndërtues të fortë të Tiranës, Armand Lilo.

Pikërisht për këtë emision të transmetuar në dhjetor 2018, Fatmir Xhafaj foli për herë të parë këtë enjte. “Është makabre e gjitha kjo. Është e turpshme. Në 2017 – 2018 është bërë një emision në një televizion kombëtar, gjobvënës, që njihet dhe është akuzuar publikisht për gjobvënie, dhe është bërë emision për mua pasi kam ikur nga Ministër i Brendshëm, produkt i aleancës së plerave, midis krimit, biznesit, grupeve të biznesit në këtë fushë dhe medias së kriminalizuar, dhe është ndërtuar një fabul”, – tha ai duke mohuar të ketë ndonjë lidhje familjare apo miqësore me Lilon. “Nuk e di kush është ky njeri, di vetëm emrin dhe kompaninë, nuk e kam idenë, i kam pyetur të gjithë familjarët e mi, nuk kanë asnjë lidhje.”

Por akuzat e forta kundër Top Channel, që njihet përndryshe edhe si kështjella e propagandës Ramiste, nuk kaluan pa përgjigje nga ekrani i televizionit kombëtar. Të nesërmen e intervistës së Xhafës, redaksia e televizionit u përgjigj se i takon ish-ministrit të pastrohej nga e shkuara e tij e nxjerrë në pah në Inside Story: “Dalja publike përkon me ambicien e re politike, të cilën Xhafaj e ka shpalosur kohët e fundit nëpërmjet një komisioni të posaçëm anti-korrupsion, që brenda radhëve të socialistëve shihet si një rikthim i ish-Ministrit të Brendshëm.

E për të arritur këtë, Xhafaj duhet të pastrojë të shkuarën e tij, ku Inside Story ka një rol të pashmangshëm. Dokumentari, për të cilën Xhafaj i referohet me zhargonin e gjobvënies, reflekton një mllef të mbartur, një argument shterp, një akuzë penale, përballë dhjetëra fakteve të publikuara në dokumentarin e vitit 2018″, thuhej në deklaratën e televizionit.

Atëherë kush ka të drejtë? A duhet besuar Xhafaj që e quan Top Channel “gjobëvënës” dhe “televizion të kriminalizuar që bashkëpunon më bandat e plehrave”, apo ekrani kombëtar që i kërkon të sqarojë pikat e errëta të së shkuarës, që nxirrte investigimi i tij i para gjashtë viteve?

Lapsi.al është përpjekur të shkojë përtej batutave dhe të kuptojë prapaskenat e kësaj përplasjeje. 

Që kur u shfaq emisioni Inside Story nuk munguan zërat se ajo temë kundër ish-ministrit të brendshëm, të dorëhequr, ishte frymëzuar nga kryeministri. Në dokumentar Rama citohej në sinkron kur përmendte se Fatmir Xhafaj nuk mund të qëllonte me gurë shtëpinë e tij duke i’u referuar kritikave publike që ai pati bërë për disa aspekte të qeverisjes. Për më tepër aty intevistoheshin edhe personazhe që dukej hapur se ishin dërguar nga vetë Rama.

Por këto pandehma i vulosi vite më vonë në një intervistë me Çim Pekën, ish-krahu i djathtë i Ramës Arben Ahmetaj. “Ai ka urdhëruar njësoj siç bëri për mua, emisione kundër Fatmir Xhafajt dhe Ditmir Bushatit”, – deklaroi ish-zv.kryeministri. Pra nuk ka asnjë dyshim se investigimi i Inside Story nuk ka pasur një motivim gazetaresk, por ka qenë një mashë që është përdorur për larjen e hesapeve brenda shumicës qeverisëse.

Nga ana tjetër Fatmir Xhafaj nëse donte të përgjigjej, nuk mund të mjaftohej me epitetet “gjobëvënës” apo ‘i kriminalizuar”. Njësoj siç dha përgjigje për lidhjet me ndërtuesin Armand Lilo, ai duhet të sqaronte një për një akuzat përpara se të niste me sharje. Por kjo sjellje jo dinjitoze nuk e amniston aspak Top Channel-in. Sepse ky TV me politika editoriale të përçarta, kur e ka mbyllur emisionin Inside Story, ka dalë në lajme me qëndrim editorial që thoshte: “I larguam gjobaxhinjtë” (foto e madhe lart). Pikërisht ato fjalë që i tha edhe vetë Xhafaj. Për më tepër vetë Rama kur ka pasur konflikte apo ka marrë ndonjë kritike nga lajmet e TCH, i ka akuzuar si njerëz që dizinformojnë se kërkojnë favore nga qeveria. Pra e thënë troç: se vënë gjoba.

Për këto arsye, në këtë përplasje, e drejta nuk shkon në asnjërën nga palët. Fatmir Xhafaj sulmon me gjysëm të vërteta sepse ai e di mirë që Top Channel ka qenë vetëm vegla dhe jo urdhëruesi i sulmit ndaj tij. Ndërsa televizioni mbrohet në mënyrë kaotike dhe për ta fshehur këtë urdhërues, detyrohet të lëpijë atë që vetë ka pështyrë, kundër atyre që njësoj si Xhafaj i kishte etiketuar vetë “gjobëvënës”./lapsi.al

https://lapsi.al/2024/10/11/xhafaj-top-channel-gjobaxhi-dhe-i-kriminalizuar-si-lindi-sherri

Please follow and like us: