Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Lëndina e kujtimeve…

Të ndjek hap pas hapi, pa e vënë re lodhjen, e sigurt se ke zgjedhur për mua rrugën nga duhet të shkoj.

Aromë, prania jote. Vështrimi i diellit, shkëlqimi i syve të tu. Kurorë, mendimi që më shoqëron tek zgjedh fjalë e vargje për ty.

Dija jote, lëndinë pambarim, plot aromë që kundërmon dashuri. Pjalmi i luleve të lëndinës, ëmbëlsi fjalësh e rreshtash, renditur si kurorëza të vogla që rriten e formojnë gjerdan bukurie që i rezistojnë kohës.

zgjodhe e më rrite. Fëmijë isha, mësuar me buzëqeshjen, me ngrohtësinë, por i pamësuar me lotin, me mprehtësinë e dhimbjes, me të ftohtin e motit, me acarin e fjalës.

Të ndjek edhe në dhimbje, edhe në lot, edhe në dashuri… lëndinë e kujtimeve të mia…

Nuk frikem nga i ftohti i dhimbjes, sepse ngrohem me bekimin e dashurisë, oazi i paqes ku pushon shpirti sa herë është i lodhur nga rrugëtimi i gjatë.

Në këtë lëndinë kujtimesh ndjek gjurmën tënde, shenjë që më fton edhe përmes errësirës, edhe përmes dritës, se e di që je aty, i pranishëm në fuqi, në forcë, në dashuri.

Gjëmon zëri yt në zemërim, e përsëri ndihet i paqtë kur dhuron dashurinë. Zemërbutë e i përvujtë, bëj që zemra ime t’i përngjaj zemrës tënde!

I drejtë si lisi me rrënjë të thella që nuk shkulet, si vetëtimë që shkrepëtin qiellit.

Vjen si fëshfërimë me madhështinë tënde, ku shquhet urtia, paqja dhe begatia që ushqen shpirtin.

Lëndinë kujtimesh…. Rritet shpirti e nuk mbetet i vogël, e ti, mjeshtër i shpirtit në rritje, e njeh plagën që dhemb, dhe di si ta mjekosh e ta shërosh.

Lufton shpirti e nuk lodhet. Lodhja është si pusia që nuk duket e të bën humbës. Njeriu rritet jo nga shtati por nga shpirti. Atje marrin udhë veprat që tregojnë mbi vullnetin në të mësuar, e ti, mësues i madh i shpirtit nuk e njeh gabimin, por rritjen dhe zhvillimin.

Ja tek jemi, përballë njeri-tjetrit në këtë lëndinë kujtimesh… Freskia e shpirtit tënd çlodh gjymtyrët e mendjes, të shqisave, tek ëmbëltohemi me pije trëndafili, të freskët e plot aromë…

Në kopshtin e kujtimeve të shpirtit mbetesh gjithmonë i ri, i freskët dhe i dehur me aromë trëndafilash… Kopsht i begatë i ditëve të begata.

Tetor 2024.

Please follow and like us: