Serbia e thotë hapur: Duam Rusinë, BE drejtohet nga gënjeshtarët
Megjithëse prej kohësh është kujdesur të ruajë balancën mes lidhjeve me Rusinë dhe dëshirës për tu integruar në BE, Serbia duket se e ka zgjedhur se cilën prej të dyjave do më shumë. Zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vulin, e shprehu hapur dashurinë për Moskën, me të cilën siç tha janë pjesë e vëllazërisë së madhe sllave. “Ne jemi një familje. Kemi një histori por edhe një të ardhme me të”, tha Vulin për median ruse, Russia Today. Ai shton më tej se Serbia i bën vetë politikat e saj dhe prandaj zgjodhi të mos ishte pjesë e histerisë anti-ruse. “Bashkimi Europian drejtohet nga gënjeshtarët. E prandaj Serbia nuk dëshiron të jetë pjesë e luftës europiane”,- vijon më tej Vulin që përsërit qëndrimin se nuk do ti bashkohen kurrë sanksioneve kundër Rusisë. Vulin përmendi bombardimin e ish-Jugosllavisë dhe pushtimin e Kosovës, siç tha, si arsye për të mos qenë pjesë e politikës hipokrite të Brukselit. Teksa komenton luftën në Ukrainë, zv/kryeministri ia shpreh hapur mbështetjen Rusisë, duke thënë se Perëndimi nuk mund ta mposhtë dot një fuqi bërthamore. Anëtarësimin në BRIC-s e cilëson si alternativë emocionuese ndaj BE.