Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Robelli: Një hero i Kosovës

Ka shumë pamje të paharrueshme nga qershori i vitit 1999, kur u çlirua Kosova. Luftëtari kosovar të cilit i shkojnë lotët për fytyre duke shprehur dhimbjen për shokët e rënë dhe gëzimin për lirinë e fituar.

Ushtari britanik i shtrirë në një livadh diku mes Hanit të Elezit e Kaçanikut duke lexuar librin “Historia e Kosovës” të Noel Malcolmit. Ushtarët nepalezë në shërbim të ushtrisë britanike duke hyrë në Kosovë, me një lloj hanxhari në brez. Sipas një legjende kjo thikë, nëse nxirret, nuk kthehet në këllëf pa e therur armikun. Gjenerali gjerman Helmut Harff, i cili në Morinë u thotë oficerëve serbë se i kanë edhe 28 minuta të largohen nga këtu. Harff vdiq më 2018.

Dje, siç njoftojnë mediat britanike, paskësh vdekur gjenerali Mike Jackson. Një gazetar, të cilin e citon gazeta “THE TIMES”, kështu e përshkruante gjeneralin: “Pamja e tij e vrazhdë mund të ngatërrohej lehtësisht me vijat e një harte të maleve të Kosovës”. Ashpërsisht dashamirës: kështu dukej gjenerali. Kështu dukej edhe Kosova pas çlirimit në ato ditë të qershorit të vitit 1999. Jackson ishte komandanti i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë. Më 1999 ishin rreth 50 mijë ushtarë të vendosur në Kosovë, sot janë larg më pak se 5000. Edhe këto shifra tregojnë për zhvillimin e Kosovës. Ndryshimet e mëdha. Përparimet e rëndësishme.

Më 1999, para britanikëve, u futën në Kosovë ushtarët rusë. Disa u vendosën në Aeroportin e Sllatinës (kështu quhej atëherë). Pas një debati jo pa tensione me gjeneralin amerikan të NATO-s Wesley Clark, britaniku e tejkaloi situatën me sharm të vrazhdë, me zërin e tij të ndryshkur dhe me uiski. Në ditën e tretë të debateve me Mike Jacksonin në Sllatinë, gjenerali rus Viktor Zavarzin u ankua se ushtarët e tij ishin rrethuar nga snajperistët kosovarë. Me gjasë për të mbytur frikën, rusi solli vodkë, pasi Jackson e kishte gostitur më parë me uiski. Për t’ia hequr definitivisht frikën rusit, Jackson i tha se ushtarët britanikë rreth e rrotull komandoheshin nga i biri i tij, Mark Jackson.

Mes viteve 2003-2006 Mike Jackson ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të armatës britanike. Ai shërbeu mbi 40 vjet në ushtrinë britanike. U lind më 21 mars 1944. La pas vetes tre fëmijë nga dy martesa dhe katër nipër e mbesa. Diplomoi në akademinë mbretërore ushtarake në Sandhurst – aty ku viteve të fundit kanë diplomuar edhe kadetë të ushtrisë së Kosovës. Kush e kishte menduar këtë në ato ditë me diell të qershorit të vitit 1999? Jackson ishte më shumë se ushtarak. U specializua në çëshjet ruse mes viteve 1964-1967. Kolegët e tij të dikurshëm lavdëruan gjeneralin Jackson për shërbimin e tij – dhe për sensin e tij të humorit.

Gazeta “The Times” jo pa simpati e quajti njërin nga “përbindshat e mëdhenj” të ushtrisë britanike – dhe e krahasoi me Bernard Law Montgomery, një nga gjeneralët më të shquar të ushtrisë britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Please follow and like us: