Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Kryeministri, Kryepërçarësi i Kombit?!

E çfarë nuk guxojnë të na thonë gojët e liga. Na flasin e na kuvendojnë, jo vetëm në rrugët e në kafenetë por edhe në studiot televizive sikur kryeminstri ynë Edi Rama të ishte kryeshpopulluesi, kryeshkatrimtari, kryepërçarësi i kombit, krye…?!

Turp të kenë! Jazëk u qoftë! Do të na thoshte vëllai i madh i Ramës, Erdogani! Dhe ne duhet të besojmë atë që na thonë shokët e afërt të Edi Ramës, sepse ai i zgjedh me kujdes shokët e tij. Gjyshja gjithmonë i thosh: ”Edvin (se atëhere nuk e kish ndryshuar ende emrin), zgjidhi shokët më të mirë se vetja”!

Një detyrë vërtet e vështirë sidomos kur je një talent i rallë një “Zeus” e një fanar ndriçues jo vetëm në Ballkan, po në gjithë botën. Po amaneti është amanet prandaj dhe Edvini e zgjodhi mik të zemrës madje e bëri vëlla e shkuar vëllait Aleksandër Vuçiçin. Meqë ra fjala për Serbinë e Vuçiçin çfarë nuk kanë thënë gojët e liga për këtë miqësi vllazërore: Ftesën që Rama i bëri Goran Bregoviçit në Korçë na e komentonin si një tentativë për të futur përçarjen midis shqiptarëve ortodoksë dhe myslimanëve, sidomos si tentativë për të përçarë shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Si mund të quhet armik i shqiptarëve Goran Bregoviçi, si mund të quhet himn i çetnikëve muzika e tij? A nuk e dinin këta se Goran Bregoviçi është mbajtësi i “Çelësit të Tiranës”? Si, si, thua ti?! Na thua se Goran Bregoviçi nuk e meritonte këtë?! Vetë Rama ja dha “Çelësin e Tironës”. Si mund ta bënte Edi Rama këtë po të mos kish qenë Goran Bregoviçi me zemrën qelibar, po të mos kish qënë një mik i padiskutueshëm i shqiptarëve! Muzika gjithmonë ka luajtur rol pozitiv për bashkimin e kombeve. Këtë na e dëshmon më së miri rolin që luajti muzika e kompozitorit Richart Wagner për të forcuar miqësinë midis kombit hebre dhe kombit gjerman në kohën e Adolf Hitlerit.

Pastaj çfarë nuk na thanë për “Ballkanin e Hapur”, folën e përgojosën, shpifën e propaganduan saqë i bindën edhe ndërkombëtarët. Ata telefonuan dhe “Ballkani i Hapur” u mbyll. Një tragjedi e vërtetë, gjithë ai mund, gjithë ato deklarata lapidare, gjithë ato fjalime të Edi Ramës kudo ku shkonte me misionin e lartë si avokat i Vuçiçit. Le të mos harrojmë kurrë dhe fjalimet e tija të mbajtura në parlamentin e Sërbisë, fjalime që i bëmin tu ngazëllohej zemra dhe tu ridhin lotët çukë edhe armiqve më të betuar të Shqipërisë e të Shqipëtarëve! Dhe të gjitha shkuan kot! Përse? Për shkak të gojëve të liga!  Sot del qartë e vërteta. Po të ish realizuar “Ballkani i Hapur”, po të kishim plotësuar ëndrën e gjithë Pansllavistëve dhe ti jepnim Sërbisë mundësinë të sillte forcar ushtarake në Durrës, sot nuk do të kishim tensione në kufirin verior të Kosovës!

Kështu na përgojosën “gojët e liga” dhe projektin për “Shtetin e Bektashinve”, kështu po përgojoset edhe Xhamia e Namazgjasë. Vetëm të nisur nga fakti se në ceremoninë e përurimit të saj ishte i pranishëm Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, por jo kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu si dhe nga disa fakte të tjera, ka persona që guxojë të dyshojnë fjalët dhe deklaratat që na jep Edi Rama për këtë çështje! Madje ka që na thonë se ky është edhe një tjetër projekt i kryeministrit që synon të mbjellë përçarje e dasi midis shqiptarëve, njësoj si koncerti i Goran Bregoviçit në Korçë, e si shumë projekte të tjera të Ramës.

Që nga Xhamia e Namazgjasë në Tiranë nuk do të mbillet përçarje midis shqiptarëve, aq më pak të ketë indoktrinin ekstremist ndaj rinisë ne kemi një garanci të dyfishtë. Në radhë të parë garancia më e fuqishme është Edi Rama! Ai kurrë nuk do ta lejonte një gjë të tillë!

Një garanci e fuqishme na vjen edhe nga Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Ai kurrë nuk do të lejonte që ndërtesa e Xhamisë së Namazgjasë të përdorej si një kazermë për të rekrutuar e stërvitur ushtarët, kurrë nuk do të lejonte që kupola e kësaj xhamie të përdorej si helmetë luftarake, kurrë nuk do të lejonte që minaretë të përdoreshin si heshta, shtiza apo si raketa. Në qoftë se dikush nuk është i sigurt për këtë fakt le të analizojë karrierën politike të Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, le të dëgjojë fjalimet e tij publike që ka mbajtur ai që nga fillimi i karrierës së tij politike dhe do të bindet vetë!

Nuk dyshojmë në sinqeritetin dhe patriotizmin e Ramës, e dimë që ai ka miq të mënçur si humanisti i madh George Soros and co. Megjithatë kur njeriu është në pushtet Shejtani e çon vazhdimisht në ngasje prandaj duam ta ndihmojmë duke i cituar se çfarë na thotë Bibla, fjala e Zotit, për tradhëtinë dhe tradhëtarët: Isaia 14:

18 Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;

19 ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobe të të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.

20 Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.

21 Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

Po citojmë edhe Psalmin 109, psalmin profetik për tradhëtarin Judë Iskariotin që u përmbush historikisht me vetvrasjen e tij:

6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

Këto fjalë janë fjalët e Zotit, nuk janë fjalët tona. Janë një paralajmërim për të gjithë ne. Janë shkruar para mijëra vitesh, qëndrojnë edhe sot. Kush është i mënçur, u bindet i largohet të keqes dhe shpëton, të tjerët i injorojnë dhe e pësojnë. Sado pasuri, pushtet, e influencë  të fitojë një person në tokë ai kurrë nuk mund t’i sfidojë dot Ligjet e Qiellit!

Please follow and like us: