Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Qarku i Vlorës në LANÇ

Lufta Antifashiste e popullit shqiptar ishte pjesë përbërëse e Luftës së Madhe Antifashiste të popujve. Në këtë betejë të pabarabartë, populli i qarkut të Vlorës, i shquar në luftërat për liri dhe për mbrojtjen e pavarësisë dha një kontribut të madh dhe me vlera.

Më 7 prill 1939, ushtri fashiste italiane kreu sulmin ushtarak kundër Shqipërisë, duke zbarkuar dhe në Vlorë. Në këtë ditë, në Skelë të Vlorës bie trimërisht luftëtari nga Gumenica Hamit Vashko, i cili u bë dhe dëshmori i parë i luftës në qarkun e Vlorës. Përleshje të ashpra u zhvilluan në Bestrovë për të penguar kalimin e fashistëve drejt Fierit. Në muajt e parë të pushtimit fashistët italianë ndeshën në qëndresën e intelektualeve dhe të rinisë shkollore, të punëtorëve dhe fshatarëve, të cilët u ngritën në luftë kundër armiqve, fillimisht duke gërshetuar luftën politike me atë ekonomike. Demonstrata e parë popullore shpërtheu më 28 Nëntor 1939. Populli i Vlorës me këngë atdhetare dhe flamurë kombëtarë, u grumbulluan në Sheshin e Flamurit dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Në mëngjesin e kësaj date në qytet nuk shikoje asnjë flamur Italian, ndërsa nxënësit e shkollave nuk kishin uniformën fashiste, por veshjen kuq e zi. Për të përjetësuar italianizimin e plotë të vendit, përveç 100 mijë trupave, në Shqipëri erdhën dhe dhjetëra mijë kolonë italianë. Në maj 1940, në lëvizjen antifashiste u pa një dukuri e re: përhapja dhe afishimi i trakteve kundër fashistëve, ku në fund të muajit në qytetin e Vlorës u arrestuan disa persona. Më 28 nëntor 1941 zhvillohet një demostratë e fuqishme anifashiste.
Moment i rëndësishëm në historinë e LANÇ-it ishte krijimi më 8 Nëntor 1941 i PKSH, që u pasua me krijimin më 4 dhjetor 1941 i Komitetit Qarkor të PKSH për Vlorën. Në mbledhjen themeluese të qarkorit, sekretar politik Hysni Kapo dhe sekretar organizativ Sinan Gjoni. Antifashistët e parë ishin kryesisht nxënës të shkollës tregëtare si Naun Hondro, Rrapo Dervishi, Vllas Arapi, Aranit Çela, Arif Hasko, Hajro Çakërri, Babaçe Faiku, Halim Ramohito si dhe profesorët Shemsi Totozani e Mihal Prifti.

Në periudhën janar-prill 1942 u krijuan dy njësite guerile për Vlorën me drejtues Arif Haskon dhe anëtar Vehbi Hoxha, Koço Kllapi dhe Rrahman Përllaku dhe njësiti i dytë me drejtues Hito Çakon dhe anëtar Babaçe Faikun, Ismet Çakërri, Shaqo Arapi, Kristaq Çalin. U kryhen disa atentate të rëndësishme e të guximshme që tronditën Vlorën kundër pushtuesit dhe spiunëve të tij; në shkurt 1942, në ndërtesën e gjyqit u krye aksioni për të marrë armë; më 9 mars 1942 zhvillohet demostrata e madhe me emrin “aksioni i bukës” nën drejtimin e komunistëve; në prill 1942 kryhet një atentat i bujshëm kundër shefit të SIM-it; në korrik 1942 edhe në këtë qark, priten telat e telefonëve, që lidhnin Vlorën me Gjirokastrën, Fierin e Himarën dhe më tutje, me Sarandën; dëshmori i parë që ra në krye të detyrës pas krijimit të PKSH, në gusht 1942 ishte Teli Ndini; po në gusht 1942 njësitet guerile kryen disa aksione dhe hodhën në erë depot e marinës luftarake në Qafën e Koçiut; në Qafë të Pëllumbit bëhet prita e parë nga partizanët kundër ushtrisë fashiste; në tetor 1942 bien katër dëshmorët e Topanasë; bëhet një pritë partizane në Mal të Bardhë; më 10 nëntor njësiti partizan i Bregut shkatërron një patrullë ushtarake afër Himarës; më 28 nëntor 1942 bëhet një demonstratë e madhe për ditën e flamurit dhe lirohen 61 të burgosur politikë; po këtë ditë çlirohet plotësisht dhe krahina e Mesaplikut; në dhjetor 1942 krijohet çeta e parë partizane (çp) në Qarkun e Vlorës me emrin çp “Plakë” në fshatin Gjorm, ku dhe në dhjetor 1942, zhvillohet Lufta e Gjormit; më 26 dhjetor 1942 çp “Plakë” kreu aksionin kundër depove ushtarake në Radhimë; në fund të dhjetorit në Brataj bëhet një kuvend i madh prej 1.000 veta, i cili vendosi t’i presë me pushkë forcat fashiste e mercenare, kështu nisi mësymja e armikut më 31 dhjetor 1942 deri më 1 janar 1943 drejt Mesaplikut dhe shpërtheu sulmi i partizanëve të çp “Plakë” dhe i forcave vullnetare territorial të Mesaplikut. Shpirti luftarak i Vlorës u ngrit lart dhe mori pamje të re. Përfundimi i vitit 1942 e gjeti qarkun e Vlorës me çp “Plakë”, si dhe mjaft njësite guerile në qytet e në fshatra.

Viti 1943 erdhi i vrullshëm. Ngjarje të rëndësishme po ndodhnin. Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare po zgjerohej; kudo po krijoheshin këshilla nacionalçlirimtare dhe çeta partizane, kryheshin aksione në qytete e fshatra, zhvilloheshin luftime kundër fashizmit.

Në vitin 1943, deri në formimin e Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër (ZIOp) ishin krijuar këto çp: 3 prill 1943 çp “Kanan Maze” Shkozë; 7 prill 1943, çp “Halim Xhelo” në Mazhar; 3 maj 1943, çp “Kanan Maze” Shkozë; 10 maj 1943, çp e Rinisë Gumenicë; 5 qershor 1943, çp “Zigur Lelo” Matogjin; 10 qershor 1943 çp “Hodo Zeqiri” Tragjas; 15 qershor 1943, çp “Halim Rakipi” Gorrisht; qershor 1943, çp “Avmi Rustemi”; 1 gusht 1943, çp e Bregut, Vuno.

Më 4 gusht 1943 ditën e krijimit të Komandës e Shtabit të ZIOp, në qarkun e Vlorës ishin krijuar 2 batalione partizane (bp) me një efektiv deri në 600 luftëtarë që ishin krijuar më 20 qershor 1943, bp “Halim Xhelo” dhe më 22 qershor 1943, bp “Ismail Qemali”. Në shtabin e ZIOp nga qarku i Vlorës bënin pjesë: zëvendëskomandant Hasan Pulo, zëvendëskomisar Hysni Kapo, oficeri i planeve Jaho Gjoliku, ndihmës oficeri i planeve Qazim Kondi, anëtar Hariz Velo dhe Faslli Jaho. Në qarkun e Vlorës efektivi i forcave partizane në çp e bp arrinte në 1.000 veta. Por këtu vepronin dhe rreth 2.000 luftëtarë, që bënin pjesë në çeta territorial vullnetare (çtv) e batalionet territoriale vullnetare (btv) në zona të lira, në njësitet guerile në qytete e në disa krahina të pushtuara. Ky organizim ushtarak përbënte një shtrat të përshtatshëm për zgjerimin e luftës së armatosur. U shtuan zonat e lira, të cilat shërbenin si baza të rëndësishme e me peshë për luftën dhe zgjerimin e saj si në Kurvelesh, Mesaplik, Topallti, etj. Në të gjithë zonën ishte vendosur dhe ushtronte funksionet edhe pushteti i Këshillave NÇ.

Pas formimit të Shtabit të ZIOp u krijuan këto çp: 20 gusht 1943, çp “Bashkimi”, Llakatund; 25 gusht 1943, çp “Sali Murati”, Vranisht dhe më 9 shtator 1943, çp “Myzeqeja”, Pish Poro. Batalione partizane pas formimit të Shtabit të ZIOp ishin: 20 shtator 1943, bp “Perlat Rexhepi” dhe në mars 1944, bp “Kastriot Muço”. Në Qarkun e Vlorës, përveç mobilizimit të popullit, si forcë e armatosur, ishte gati një brigadë. Një nga detyrat që ngriti me forcë mbledhja e Shtabit të ZIOp ishte shtimi i çp e i bp në katunde e krahina dhe përqëndrimi i forcave partizane në grupe.

Në Gumenicë më 28 nëntor 1943 u formua Brigada V Sulmuese (BrVS) dhe më 20 janar 1944 u inagurua në Tërbaç. Komandant Abaz Shehun, ra në përpjekjen më nazistët gjermanë në Gjorm. Në komandë të saj ishin komandant Shevqet Peçi, komisar Hysni Kapo. Efektivi dhe kuadrot drejtuese të çetave, batalioneve si i grupit partizan të Vlorës shërbyen njëherazi dhe si bazë furnizimi me luftëtarë e kuadro të formacioneve të saj përbërëse si brigada sulmuese. Kështu BrVS dhe BrVIS e, më pas edhe BrVIIIS, BrXIIS, BXIVS, BrXIXS dhe BrXIS u organizuan mbi bazën e kontigjenteve të grupeve partizane të Qarkut të Vlorës.

Në Luftën e Drashovicës, shtator 1943, kanë marrë pjesë këta batalione territoriale; të krahinës së Treblovës, Kudhësit, dy batalione të krahinës së Mesaplikut, si dhe çetat territoriale të Dukatit, Tragjasit, Radhimës, Gumenicës, Kaninës, Nartës etj.

Shtimi dhe forcimi i reparteve partizane në mesin e vitit 1943, goditjet e shpeshta dhe sukseset e arrituar në qendrat e fortifikuara të armikut e kishin tronditur okupatorin dhe e kishin detyruar atë të strukej në qendrat e qyteteve dhe me vështirësi mbronte rrugët dhe linjat kryesore me qytetet e tjera, në zonat e çliruara ishte bërë organizimi i pushtetit ushtarak të prapavijave. Forcat partizane kishin çliruar plotësisht Luginën e Mesaplikut, Kudhësin, Treblovën, Dukatin dhe, me përjashtim të fshatit të Drashovicës, qendrën e Selenicës, si dhe Qafën e Llogorasë, që armiku i mbronte si nyje rrugore, Vlorë-Himarë-Sarandë. Pra, gati në 2/3 e Qarkut të Vlorës, qysh në muajin prill 1943, nuk njihej më pushteti i vjetër, ishin krijuar këshillat krahinore dhe çdo gjë administrohej e drejtohej nga organet e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare. Në krahinën e Mallakastrës në pjesën më të madhe të saj, armiku nuk mund të shkelte më, veçse me operacione të organizuar dhe të drejtura me forca të shumta. Në një shkresë që i dërgonte kuestori i Vlorës Ministrit të Brendshëm, më 3 prill 1943, midis të tjerash shkruante se tërheqja e disa stacioneve të karabinerisë nga komunat e qarkut gjatë kësaj kohe u bë për arsye që të mos u nënshtroheshim goditjeve të partizanëve.

Në bazë të direktivave të Shtabit të Përgjithshëm për prapavijat e zonave të çliruara, për mbajtjen e qetësisë, për forcimin e organizimin e prapavijave dhe lidhjen e kombinimin e veprimeve të forcave partizane me pushtetin e Këshillave Nacionalçlirimtare, Komanda e ZIOp, më datë 25 gusht 1943, bëri organizimin e pushtetit ushtarak të prapavijave, që përfshinte komandat e qarqeve, komandat e vendit dhe rojet partizane. Komandat e qarkut u ngrihen: komanda e Qarkut Kurvelesh, qendra në Kuç dhe komanda e Qarkut Vlorë, qendra në Brataj. Komanda e Qarkut të Kurveleshit kishte komanda vendi në Gusmar, Kuç, Himarë dhe komanda e Qarkut të Vlorës kishte komanda vendi në Kudhës, Mesaplik, Dukat, Drashovicë, Treblovë.

Vlora u çlirua më 15 tetor 1944 nga forcat e BrXIIS, ndërsa Sazani u çlirua më 22 tetor 1944.

Vlora në LANÇ dha një kontribut me mbi 10.000 luftëtarë, duke i dhënë luftës për çlirim mbi 1330 dëshmorë. Vlora i dha vendit Heronj të Popullit Qeriba Derri, Zonja Çurre, Persefoni Kokëdhima, Haredin Bylyshi, Barjam Tushi, Hiqmet Buzi, Mumin Selami, Ali Demi, Shyqyri Alimerko, Zaho Koka, Hysen Çino, Kastriot Muço, Maliq Muço, Kozma Nushi, Perlat Rexhepi, Laze Nuro, Memo Meto etj. Kuadro drejtues të njësi të mëdha luftarake të UNÇSH ishin Hysni Kapo komisar korpormate, komandant brigade Mevlan Dervishi, Halil Pulaj, Refat Barjami, Gjon Banushi, Qazim Kondi, Jaho Gjoliku, Nuri Arapi, Dane Mehmeti.

Me Urdhrin e Flamurit u dekoruan fshatrat Kuç dhe Ramicë, të cilat gjatë viteve të luftës shërbyen si qendra të rëndësishme të veprimtarisë politike, ushtarake dhe logjistike për ushtrinë partizane. Me Urdhrin e Trimërisë u dekoruan fshatrat Kuç, Tërbaç, Tragjas, Karbunarë dhe Vuno. Vlora në 50 vjetorin e Pavarësisë është shpallur qytet “Hero i Popullit”.

https://telegraf.al/kulture/prof-asoc-dr-bernard-zotaj-qarku-i-vlores-ne-lanc

Please follow and like us: