Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Milazim Krasniqi

“OJ SHQIPNI MOS THUEJ MBAROVA”

Ata nisen me radhë në kohë të caktuar

Për në Malme për në Oslo

Për në Helsinki

Të mbushur spic gra e fëmijë

Që nën ritmet e këngës

Oj Shqipni mos thuej mbarova

Përshëndesin me lot në sy

Derisa rrotat e autobusëve si gurë mulliri

Bëjnë rrotullimet e para

Si gurët që bluajnë kokrra gruri

Edhe statujës i ther në shpirt

Kjo ikje e përjetshme

E shndërruar në humnerë

Nëpër mijëvjeçarë

Po kjo këngë në ikje

Ngjizur me lot e me harrim ç’duhet

Farsë e vajtimit shqiptar.

KUR QENI CIATË

Këtë mëngjes edhe Agimi

Ia ktheu shpinën shtëpisë

Kthesa e fundit e përbiu

Si akulli që çahet papritur

Nëpër oborrin e shtëpisë

Ende enden hije

Babai, nëna dhe motra

Si aktorë në një dramë

Po hapat e tyre s’ndihen

Ata shkelin mbi plagë

Vetëm qeni i lidhur në stelë

Ciatë ciatë ciatë

Me putra gërvish dheun

E sikur thotë

Ç’arsye kam më shumë unë

Ta ruaj atdheun.

PRAPA MBETET ZBRAZTËSIRA

Si një shtjellë para sysh

Po më shpërbëhet atdheu

Fëmijë që s’kuptojnë ku i shpiejnë

Tek i veshin me ngut

Gra anemike

Që duan të ikin kudoqoftë

Nga vetja

Dhe burra zëçjerrë

Që dridhen si fotografia në ekran

Kur antenat i dridh stuhia

Si një shtjellë para sysh

Po më shpërbëhet shpirti

Prapa mbetet zbraztësira

Në formë përfytyrimi për pishën

Që kur përplaset ah kur përplaset

Bën një përpjekje të ngrihet

Dhe ashtu e bën absolut

Kuptimin për vdekjen

TERAPI ME QUKAPIKË

Ishte një ëndërr me shumë qukapikë

Që çukisnin tak tak tak

Nëpër trungjet e ajrit të rralluar

Njëri bënte ç’bënte e më çukiste në ballë

Tak tak tak miqësisht

Është ora ta pish një tablet Histazol

Tak tak tak në tru si mbi dru

Në dhe të huaj

DIMËR NË ZEMËR

Një nënë e shikon diellin

Në të perënduar

Se nga ç’zonë e zemrës

Dhembja si ngjyrë i derdhet

Në formë të së folmes përçart

Ku je në këtë cast humneror

O bir nëna të pastë

Në oborr hije dhe mungesë

Si një dalmatikë dridhen

Ndërsa larg në hapësirë

Një plym kojrilash

Paralajmërojnë dimrin e gjatë

O Zot

Ç’parathonë këto shigjeta kojrilash

Për Lanskrunën e largët.

DALJA E ATDHEUT EDHE NGA ËNDRRAT

Më pare kjo ishte vatër

Ku shtrohej tryeza e kënga

Ku rriteshin fëmijë

Thureshin ëndrra

Një Fitore, një Ilir, një Shpresë

Dhe një Atdhe i vogël

Ata janë tash diku në Kirunë

Janë bërë më të brishtë

Më apatikë

Dhe në ëndrra u futen me përdhunë

Shkretëtira të bardha

Atdheun s’ua kujton as gjëmë

Madje as këtë vatër

Me themele që mbahen

Mbiemrat e tyre ndër shekuj

KËNGË RIATDHESIMI

Marrin udhët djemtë natën

Nëpër hone cytanike eksodi

Në çdo hap shkelin mbi mandatën

Dridhen ata dhe dridhet globi

Ua ndjellin kthimin nënat

Duke u hedhur ujë thëngjijve

Ikin të premtet e të hënat

Me kujet e kulmeve të shtëpive

Po ata një ditë do të kthehen

Të dëshëruar e me shpirtin plot

Mall e dashuri këtu të prehen

Ndihi në këtë rrugë o Zot

(Nga libri “Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat).

Please follow and like us: