Albspirit

Media/News/Publishing

“DITËT E NAIMIT”, SIMBOL I DASHURISË PËR POEZINË, PËR GJUHËN DHE KULTURËN SHQIPE

D. Hadri

Nga data 17 deri më 19 tetor 2024, në Tetovë u mbajt edicioni i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky edicion mblodhi poetë nga vende të ndryshme të botës dhe hapsira shqiptare, të cilët morën pjesë në një sërë aktivitetesh letrare, artistike dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si dhe poetë nga e gjithë hapsira shqiptarë, si: Magda Carneci (Rumani) Gale Berns (Britania e Madhe), Jennifer Maloney (SHBA), Kristina Stoltz (Danimarkë), Hasan Erkek (Turqi), Stefania Romito (Itali), Maja Panajatova (Bullgari), Maria Mistrioti (Greqi), Hristo Petreski (Maqedonia e Veriut), Olimbi Velaj (Shqipëri), Lina Buividavičiūtė (Lituani), Vanja Shteriova (Maqedonia e Veriut), Ndue Ukaj (Kosovë), Daim Ilazi (Maqedonia e Veriut), Julijana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Remzi Salihu (Maqedonia e Veriut), Zhaneta Barxhaj (Shqipëri), Bujar Plloshtani (Maqedonia e Veriut) etj.

Hapja festive e Edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureatja rumune Magda Carneci vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minutë heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.

Edicionin e 28-të të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, “Është një kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres sot në edicionin e 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky festival nuk është thjesht një takim i zakonshëm letrar, por një dritare për shpirtin njerëzor, një vend ku bashkohen zërat e shumë kulturave dhe përvojave të ndryshme, për të ndarë një gjuhë të përbashkët – poezinë.

Poezia ka fuqinë të na çlirojë nga përditshmëria e zhurmshme, të na ofrojë hapësirën për të menduar dhe ndjerë thellë. Ajo krijon ura të padukshme mes zemrave të njerëzve, duke kapërcyer distancat gjeografike dhe ndarjet kulturore. Në këtë kohë të sfidave globale dhe ndryshimeve të vrullshme, poezia mbetet një portë drejt një bote të qetësisë dhe reflektimit.

Në këto ditë të festivalit, do të kemi rastin të dëgjojmë poetë nga vende të ndryshme, që përmes vargjeve të tyre do të na sjellin përvoja të jetës, ëndrra, shqetësime dhe dashuri. Çdo poezi është një zë që na fton të hyjmë në botën e brendshme të autorit dhe, njëkohësisht, të gjejmë pjesë të vetes sonë në të.

“Ditët e Naimit” ka mbetur një simbol i dashurisë për poezinë, për gjuhën dhe kulturën tonë. Ky festival, që për më shumë se dy dekada ka ndriçuar qytetin e Tetovës dhe ka tërhequr vëmendjen e skenës ndërkombëtare, është një testament i rëndësisë së artit në ndërtimin e urave mes njerëzve. Përmes fjalës poetike, ne jo vetëm që ruajmë traditat tona kulturore, por edhe krijojmë hapësira për dialog e mirëkuptim me botën.

Në atë skenë poetike, para publikut artdashës, laureates rumune Magda Carneci, iu nda çmimi i madh letrar “Naim Frashëri”. Laureatja Carneci, me këtë rast, falenderoi për këtë nder që iu bë poezisë së saj dhe mes tjerash ajo u shpreh: “Dëshiroj t’ju falënderoj ngrohtësisht për Çmimin letrar “Naim Frashëri” të edicionit të 28-të të FNP “Ditët e Naimit”. Është një nder i madh për mua ta pranoj këtë çmim, dhe gjithashtu është një përgjegjësi e madhe. Falë tij, zbulova qytetin e bukur të Tetovës. Por gjithashtu zbulova një shpirt të jashtëzakonshëm, Naim Frashërin, poetin kombëtar të shqiptarëve, i cili ishte themeluesi i poezisë moderne shqiptare dhe një nga frymëzuesit e rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare dhe Kulturore Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit 19-te. Naim Frashëri më kujton Mihai Emineskun, poetin kombëtar të rumunëve, i cili jetoi në të njëjtën kohë me Frashërin dhe luajti një rol të ngjashëm në fillimin e poezisë moderne dhe kulturës rumune. Kjo rastësi më kujton ndikimin e madh që kanë pasur poetët në modernizimin e kombeve të tyre dhe hapjen ndaj pjesës tjetër të botës në fund të shekullit 19 dhe në gjysmën e parë të shekullit 20 në të gjithë Evropën.

Jam e lumtur që jam këtu, sepse më pëlqejnë festivalet ndërkombëtare të poezisë. Mendoj se ky lloj aktiviteti, që organizohet gjithnjë e më shpesh në qytetet e Evropës, po ndërton një rrjet të fshehtë, por të fuqishëm në të gjithë kontinentin tonë, përmes të cilit fryma poetike mund të qarkullojë lirisht dhe poetët të njohin njëri-tjetrin më mirë, duke kapërcyer dallimet e gjuhëve dhe kulturave falë përkthimeve.

Jurinë e Festivalit e përbënin Fiona Sampson (kryetar), Olimbi Velaj dhe Mr. Ndue Ukaj (anëtar).

Gjithashtu, në këtë orë të madhe letrare çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit nga Turqia, Hasan Erkek.

Në ditën e dytë të Programit, u bë përurimi i librit të poetes së njohur angleze Fiona Sampson, “Shpella e Dantes”, të cilin shtëpia botuese “Ditët e Naimti” e botoi kohë më parë. Për tekstin poetik të poetes foli poetja dhe studjuesja shqiptare, Olimbi Velaj dhe professor Xhelal Zejneli.

Më pas poetët vizituan monumentet kulturo-historike të Tetovës. Ndërkaq, në teqenë Arabati Baba, gjithnjë sipas programit, u mbajt ora letrare “Poetë dhe vargje”, në të cilën poetët lexuan krijimet e tyre.

Ndërkaq, në mbrëmje në Qendrën për kulturë dhe art “Shift Center” u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku poetët pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe poetë shqiptarë, lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit anglez Gale Berns, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik shkoi për poeten nga Maqedonia e Veriut, Julijana Veliçkovska. Çmimi letrar “Silke/Liria” i takoi poetes daneze Kristina Stoltz. Ndërkaq, çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mire e mori poetja bullgare, Maja Panajatova nga Bullgaria.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja Rona Amiti dhe Benjamin Menga, violistja Zulehan Sahiti dhe flautistja Markela Menga, ndërkaq, leximin e poezive në gjuhën shqipe të poetëve pjesëmarrës i përcolli me piano, Rona Amiti.

Drejtoria e Festivalit, si gjithmonë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Muzgu i kaltër”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu e me parathënie të laureatit të edicionit të kaluar, poetit Italian, Pierfranko Bruni.

Festivalin, përveç Ministrisë së Kulturës, e sponzorizuan restorantet “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

Please follow and like us: