Iris Halili: Përkushtimi im për kauzën e vërtetë, përtej thashethemeve
Për habinë time, kohët e fundit emri im është bërë objekt thashethemesh të pavlera nga disa gra që, edhe sikur të kërkoni emrat e tyre në Google, nuk do t’i gjeni dot. Të dështuara intelektualisht, profesionalisht dhe mbi të gjitha, të njohura për mungesën e sinqeritetit në miqësi dhe komunitet, këto gra kanë muaj që mundohen të sabotojnë punën time me mjete nga më të ultat!
Këto përfolje arritën kulmin në aktivitetin e fundit të tyre për Tetorin Rozë, të zhvilluar më 12 tetor në Boca Raton. Ky aktivitet, që supozohej të mbështeste kauzën e kancerit të gjirit, u kthye në një “aheng” ku për turp të organizatoreve u kërcye me balonën rozë, simbolin e kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që çdo 13 minuta një grua humb jetën nga kanceri i gjirit, aktiviteti i protagonsiteve anonime u kthye në një festë të padenjë. Kjo mungesë e thellë e empatisë së organizatoreve në atë aheng meriton të hyjë në librin Guinness! Fatkeqësisht, nuk pati asnjë grua në aktivitet që të fliste për përvojën e saj me këtë sëmundje, por pati me okë vetëm sfilatë rozë, tapet rozë dhe muzikë këngësh tallava.
Aktiviteti në vend që të niste me 1 minutë heshtje për viktimat e kancerit të gjirit, nisi me emrin tim dhe baltosjen time që mesa duket ishte misioni i vërtetë i aktivitetit. Për shansin e tyre të keq kur organizatoret anonime përpiqeshin të më përçanin, unë po jepja mësim për 30 fëmijë në Klubin Flas Shqip, ku 40% e pjesëmarrësve në aktivitetin e anonimateve ishin nëna të fëmijëve që unë i mësoj falas – pa dallim bindjeje politike, fetare apo mllefi femëror.
Unë si përfaqësuese e institucioneve që drejtoj, nuk kam marrë pjesë dhe nuk do të marr pjesë në aktivitete që nuk kanë si qëllim sensibilizimin e vërtetë, por vetëm përfitimin personal dhe protagonizmin ekstrem. Kam qëndruar larg njerëzve të tillë dhe do të vazhdoj ta bëj, pavarësisht nga pasuria e tyre – qoftë e ndershme apo e shtirur. Pas 30 vitesh pune akademike dhe drejtimi në nivele të larta në Shqipëri dhe SHBA, si dhe si autore e mijëra faqeve librash dhe artikujsh, unë – ndonëse pothuaj shumë më njohin – nuk e kam vendosur asnjëherë emrin apo foton time në aktivitetet që organizoj, sepse për mua flasin veprat, jo promovimi personal, flet e shkuara dhe e tashmja, flet Linkedin, por flet edhe miqësia e vërtetë.
Përbaltja nga individë anonimë është një veprim i ulët,dhe turpi le të mbetet mbi to, por për hir të atyre që nuk më njohin personalisht, po bëj këtë deklaratë të hapur: Vatra, e krijuar nga Fan Noli dhe Konica, nuk do të shkatërrohet nga ata që nuk e kuptojnë vlerën e saj ose urrejnë historinë e saj, se ka 114 vite jetë, është shqiponjë që jeton duan apo nuk duan milingonat, ashtu sikur edhe Klubi Flas Shqip – i cili është krijuar nga përkushtimi im dhe thirrja e gjakut të paraardhësve të mi – do të mbetet gjithmonë i fortë dhe i pandalshëm. Klubi do të ofrojë mësim falas për çdo shqiptar që troket në derën e tij, pavarësisht nga injoranca dhe ligësia e atyre që përpiqen të dëmtojnë këtë mision të shenjtë.
Të dashur miq, ndërsa anonimatet merren me mua, unë merrem me librat dhe klubet e dijes që kam krijuar, dhe do të vazhdojnë jetën e tyre paçka se sorrat janë shfaqur dhe do vazhdojnë të shfaqen me shpresën se po gjejnë gjah. Kam mësuar që e vogël se “Pema që ka kokrra goditet” dhe se “Mos rri me pulat se do hash krunden”. Populli si gjithmonë e vë pikën mbi ‘I’! Edhe sot edhe nga mot!
Autorja është themeluese dhe Drejtuese e Klubit Flas Shqip & Kryetare Vatra Miami!
https://telegraf.al/aktualitet/iris-halili-koha-per-nje-shqiperi-ndryshe-ka-ardhur-me-kohe