Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Duraku: Motra

Në majë të malit motra ime, mu në kikël

borë e papranuar, rreze dielli që rrëshqet në akull.

Mjegulla e mërzisë u mbështillet gurëve

i bën të përhirtë.

Rrufeja plakë kullotë grykat, pjell rrufetë e reja

pranë prekjes së engjëllit pa qenë Moisiu

mund të flasë kushdo me zotin.

Atje iu sulën tri shigjeta

drejt zemrës flakët e kaltra i rrit afrueshëm heshtja.

Po vdekja, a ekziston vdekja?

Pëllumbat rreth saj u bënë korba

shpatit rrokullimë deri në fund të malit

ku zien zifti i jetës,

himni i burrit që e lëshon Ora.

Tash, mali i shtrënguar në breza guri

më ngjan si Saturni.

Motra ime, një grusht kockash të bardha

kthyer në breshër.

Atje pushon, poshtë kepit pa shenja

mes dy kreshtash në ëndrrën e magmës

vullkan i fjetur…

Fëmijët e saj, a thua, do të lindin nesër

në rikrijimin e botës,

kur korbat do të mbeten korba e pëllumbat

pëllumba, pa u shkrirë me njëri-tjetrin?!

Motra ime, mal i premtuar heshtjesh

ku bora s’pranohet,

ku rrëshqet akullit rrezja e diellit,

ku mjegulla i mplakë marrëzitë tona

e rrufetë e vjetra hanë të rejat.

Motra ime

zgjimi im i vonshëm.

Please follow and like us: